LAJMI I FUNDIT:

Injorim e jo kundërshtim i “platformës” serbe

Ndonëse u cilësua vetëm si një “copë letre”, si “platformë raciste”, “platformë që do të dështojë dhe kurrë s’do të merret parasysh”… Qeveria jonë pjesërisht ra në kurthin diplomatik të presidentit serb. Them pjesërisht, sepse në vend që ta injoronte tërësisht platformën si akt, ajo e kundërshtoi atë vetëm si përmbajtje.

Nëse analizohet deklarimi i kryeministrit kur tha se “i kam telefonuar Washingtonit dhe Brukselit”, ajo që e mundonte atë dukej se ishte përmbajtja e platformës, sigurisht fyese, e jo platforma si e tillë. Ai vet tha se “nuk do të mund të zbatohet në asnjë cep të territorit”, që do të thotë se e ka analizuar përmbajtjen e saj.


Duket se qëllimi i vetëm i Serbisë me këtë të ashtuquajtur platformë, ishte dhe është kinse të provojë ta “shesë aktin”. E, duke e ditur që s’mund ta bëjë atë, atëherë të vije te përmbajtja. Në rastin konkret, ku na qenka dallimi ndërmjet aktit të Serbisë dhe përmbajtjes së kësaj “platforme” të saj?

Qëllimi i këtij akti është luajtja e rolit sikur statusi politik i Kosovës për të dhe bashkësinë ndërkombëtare ende nuk është zgjidhur, dhe se ajo, Serbia, duke ofruar “platforma” na qenka faktori kyç i zgjidhjes. Meqenëse Serbia e di se këtë kërkesë nuk mund ta realizojë, pra s’mund ta ç’bëjë një proces tashmë të instaluar historiko-politik – siç është pavarësi e një vendi – atëherë të paktën ta ketë të garantuar rolin e saj destruktiv në ecjen para dhe zhvillimin e kësaj pavarësie. E dimë të gjithë tashmë se këtë përpiqet ta arrijë përmes bisedimeve eventuale për veriun.

Sa i përket përmbajtjes, edhe vet Serbia e di që gjithçka aty duket jashtë kontekstit, si historik ashtu edhe aktual në të cilin është Kosova. Bile, propozimet e bëra nuk janë vetëm tendencë për ndërhyrje në çështje të brendshme, siç thonë disa, por përmbysje të shtetësisë. Në të vërtetë, do të ishte arritje e madhe e Serbisë në rrafshin diplomatik, sikur akte të tilla të saj, si kjo “platformë” fantome të kundërshtoheshin, e jo të injoroheshin tërësisht. Edhe kundërshtimi është deklarim.

Pra, ky është edhe qëllimi, ta tërheqë palën tonë që të deklarohet. Çfarëdo kundërshtimi ynë rreth saj, do të thotë se ajo “platformë” për ne merret si e qenë, por e pafavorshme, armiqësore etj. Çfarëdo kundërshtimi ynë rreth saj do të thotë se ne mbajmë vesh për ofertat serbe, çoftë edhe duke i kundërshtuar. Pastaj, kundërshtimi vetëm i përmbajtjes mund të dërgojë sinjale të gabuara në Washington dhe Bruksel – pikërisht për veriun – se nëse përmbajtja ndryshohet, atëherë edhe Kosova mund ta trajtonte atë.

Andaj, a duhet humbur kohë me të tilla broçkulla serbe?

Meqenëse kryeministri nuk mund ta ndalojë Serbinë të prodhojë “platforma për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, ajo për çka duhej t’i telefononte kryeministri Washingtonit dhe Brukselit, do të duhej të ishte kërkesa e qartë që t’i ndalohet Serbisë dërgimi i çfarëdo lloj dokumenti me çfarëdo lloj përmbaje në këto dy qendra, e që kanë lidhje me statusin politik të Kosovës. Këtë mund ta bëjë edhe Brukseli edhe Washingtoni, pavarësisht pesëshes problematike evropiane. Këtyre dy qendrave do të duhej t’ju bëhej e qartë se sa e rëndë dhe fyese është për Kosovën që t’i lejohej edhe më tutje Serbisë që të luajë me karta të tilla kinse diplomatike. Këtyre dy qendrave do të duhej t’ju bëhej e qartë se përderisa nuk e shndërrojmë FSK-në në ushtri funksionale, Serbia nuk do të ndalet me të tilla “oferta”. Këtyre dy qendrave do të duhej t’ju bëhej e qartë gjithashtu se pa forcën tonë mbrojtëse Serbia vërtetë ëndërron për “ditë më të mira në arenën ndërkombëtare”.

Miqtë tanë e dinë se është De Goli ai që ka porositur të gjitha kombet, se “është e patolerueshme që një shtet ta lërë fatin e tij në dorën e mendimeve dhe veprimeve të ndonjë shteti tjetër, sado mik qoftë ai”.