LAJMI I FUNDIT:

Interesim rekord për finalen “evropiane” në Prishtinë

Interesim rekord për finalen “evropiane” në Prishtinë

Plot 15 mijë bileta kanë dalë në shitje për ndeshjen që po parashikohet të jetë më e përcjella pas luftës në nivel të klubeve në Kosovë.

Të premten, janë nxjerrë në shitje biletat në Gjilan e Prishtinë, qytete prej nga vijnë skuadrat finaliste të Kupës së Kosovës në futboll. Bashkë me ftesat për mysafirët, numri i shikuesve pritet të shkojë mbi 16 mijë vetë, sa është edhe kapaciteti u ulëseve në stadiumin e qytetit në Prishtinë ku do të luhet ndeshja, shkruan sot Koha Ditore.

Ndeshja finale do të zhvillohet të shtunën (sot, 16:00).


Në fakt, finale të kupave janë luajtur tash e shumë vite në Kosovë, por kjo e sivjetshmja ka fituar në peshë, pasi fituesi pritet të marrë pjesë në fazën e parë eliminatore të Ligës së Evropës.

Po ashtu të dy skuadrat kanë pasur një edicion larg pritjeve në kampionat dhe Kupa, do të shpëtonte sezonin e tyre.

Për këtë arsye edhe interesimi është tejet i madh, si nga “Intelektualët” e Dritës që kanë paralajmëruar se do të vijnë në Prishtinë rreth 7.000 tifozë të organizuar, ashtu edhe nga “Plisat” e Prishtinës, që presin të grumbullohen rreth 6.000 veta në përkrahje të skuadrës së tyre.

Për dallim nga skuadra e Dritës që e ka fituar vetëm njëherë këtë trofe (2000/01), skuadra e Prishtinës ka fituar katër herë Kupën e Kosovës (1993/94, 1994/95, 2005/06, 2012/13).