LAJMI I FUNDIT:

Intervista e plotë e Thaçit në “Opinion”: Presidenti shuan debatin shqiptaro-kosovarë, e quan të panevojshëm

Intervista e plotë e Thaçit në “Opinion”: Presidenti shuan debatin shqiptaro-kosovarë, e quan të panevojshëm

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, mbrëmë i ka dhënë fund debatit shqiptaro-kosovarë, të ngritur pas vizitës së kryeministrit Rama në Beograd. Në një intervistë rreth 2 orëshe me gazetarin Blendi Fevziu në emisionin “Opinion”, presidenti Thaçi ka folur edhe për identitetin kombëtar dhe shtetëror…

Opinion: Zotëri President, mirëmbrëma mirë se keni ardhur.


Thaçi: Mirë se ju gjeta, faleminderit.

Opinion: Ka pasur një klimë të tensionuar në pesë ditët e fundit. Një klimë, e cila është provokuar pas vizitës së kryeministrit shqiptar Edi Rama në Serbi dhe takimit të tij me kryeministrin serb Vuçiç. Një seri pyetjesh dhe përgjigjesh, por dhe dokumentesh që janë firmosur nga kryeministri dhe Qeveria e Shqipërisë ka ngjallur një reagim jo të vogël në Kosovë. Unë kam listuar këtu 22 artikuj të shkruar në shtypin e shqiptarëve të Kosovës, pra në shtypin e Prishtinës, të cilat në masën më të madhe janë tejet agresive dhe kalojnë nga problemi politik i vizitës së kryeministrit shqiptar në Beograd dhe qëndrimeve të tij, në raportet midis Prishtinës dhe Tiranës, po aq nga një po e quaj distancim në raportet midis dy vendeve, në identitetin midis tyre. Në idenë që Kosova po formëson një identitet të saj kosovar, që nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me identitetin shqiptar,siç e njohim ne deri tani çështjen si shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e Shqipërisë. Në fakt, ka qenë një deklaratë e ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, që e ka provokuar në fillim debatin. Një deklaratë që dukej sikur ishte më e ashpra në raportet midis Tiranës dhe Prishtinës këto kohë. Zotëri Thaçi, intervista e sotme është e fokusuar vetëm tek raporti në mes dy vendeve, nuk do të merremi me problemet e brendshme të Kosovës, me problemet e politikes koherente atje, por vetëm me raportet Shqipëri-Kosovë. Sapo mora vesh nga shtypi, që rrugës për në Tiranë për të marrë pjesë në intervistë, ju jeni takuar edhe me Edi Ramën përpara. Ka qenë takim formal, informal, miqësor, çfarë ka ndodhur?

Thaçi: Pas konfirmimit që do të jem sonte mysafir në emisionin tuaj Blendi, natyrisht se kurdo që vijë në Shqipëri, unë kam qenë i informuar se zotëri Rama gjendej në fushatë në Kolonë, por ndërkohë jemi dëgjuar edhe jemi dakorduar që të pimë një kafe dhe është diçka shumë më korrekte, se edhe zotëri Rama çdo herë që vjen në Prishtinë, qoftë edhe në rrafshin privat apo edhe institucional, takohemi edhe privatisht.

Opinion: Ishte kafe e tensionuar zotëri Thaçi?

Thaçi: Ishte kafe shumë e mirë, me disponim shumë të mirë të miqësisë.

Opinion: A ju pyeti kryeministri i Shqipërisë se çfarë do të thotë kjo deklaratë e ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj? Për sa i takon normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, vetëm Kosova është aktor politik dhe Shqipëria besoj historikisht e ka të qartë këtë proces dhe besoj edhe në të ardhmen do ta ketë të qartë. Kosova është shtet i pavarur sikurse çdo shtet tjetër në rajon, ndërsa Shqipëria nuk është ndonjë aktor global sikurse SHBA-ja apo BE-ja. Prandaj, në raportin mes Kosovës dhe Serbisë, natyrisht që kërkojmë mbështetje amerikane dhe natyrisht që kërkojmë mbështetje evropiane, meqë këta kanë edhe instrumente që të ushtrojnë ndikim. Ndërsa, çdo bashkëpunim që mund të ketë Shqipëria në rrafshin ekonomik është çështje bilaterale mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Thaçi: Unë dëshiroj të theksoj se me zotin Rama as që kemi biseduar për asnjë opinion të asnjë opinionisti as në Tiranë dhe as në Prishtinë.

Opinion: Zotëri Hoxhaj nuk është opinionist, është ministër i Jashtëm i Kosovës?

Thaçi: I përmendët fillimisht disa opinione dhe desha t’i largoj prej shqetësimeve, se nuk kemi biseduar për këto opinione. Do të thotë, aq të parëndësishme janë ato opinione dhe është një debat aq i kotë, aq jo domethënës, aq artificial, është një problematikë e paqenë dhe mund të them edhe dashakeqëse.

Opinion: Por nuk është kjo një frymë që po fryn raportet mes nesh zotëri Thaçi, pra mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës? Po ju citoj pa emrat e komentatorëve: Ideja e pajtimit mes Shqipërisë dhe Serbisë është mohim dhe injorim i krimeve dhe gjenocidit në Kosovë, ngase Shqipëria zyrtarisht nuk ka qenë në konflikt me Serbinë, prandaj rrjedhimisht çfarë kuptimi ka pajtimi mes dy vendeve. Rama sërish e ka bërë Serbinë qendër të Ballkanit, një veprim kundër interesave të shqiptarëve dhe kundër çdo kujt tjetër në rajon. Deklarimi i Ramës, se Serbia është më evropiane sesa shtetet evropiane anëtarë të BE-së është pa takt dhe fantastike për të qenë e vërtetë. Po lexoj shkrimet që tregojnë se ka pasur një qëndrim të ashpër në këtë mes, nuk po them tani me apo pa të drejtë se unë nuk po citoj veten. Ata që minojnë shtetësinë e Kosovës, e kanë zbuluar vonë Kosovën, vetëm para disa vitesh dinin për të, mbase edhe më pak sesa për shtete fqinje. Ata ende ngurrojnë që fëmijët t’i sjellin për ekskursione në Kosovë, ndërkohë që mijëra nxënës nga Kosova vërshojnë Shqipërinë. Ata ende ngurrojnë që të kalojnë një fundjavë në vende të bukura të Kosovës, ndërkohë që gati 1 milion kosovarë harxhojnë miliona euro çdo vit nëShqipëri. Për ta, kosovarët janë ende të trashë, malokë, provincialë. Ata ende nuk ngurrojnë të pyesin çfarë ju duhet kosovarëve shteti? Çfarë deshët që u ngritët kundër Milosheviqit kur i kishit të gjitha? Më tutje, deshi apo nuk deshi dikush, Kosova e pavarur është rezultat i përpjekjeve shekullore të popullit të saj për të fituar liri, për ta fituar shtetin. Shqipëria ka mundur ta ndihmojë, të bëjë më shumë, por nuk ka dashur ose nuk ka ditur. Po lexoj, të dashur miq nga Shqipëria, kjo është esenca, për çfarë pajtimi po fliste Rama dhe çfarë është tepër e rëndësishme, madje në mënyrë kritike e rëndësishme, a ka marrë Rama pëlqimin e Prishtinës për të na pajtuar me serbët? Kam dhe një ose dy citime të fundit, potë tregoj frymën që është krijuar në këtë rast. Aventura përfundon po këtë javë në Beograd dhe për normalizimin e relacioneve shqiptaro-serbe, e vërteta është se problemet me Serbinë s’kanë qenë kurrë mes Tiranës dhe Beogradit. Prandaj, Tirana s’ka çka të normalizojë atje. Beteja e shqiptarëve me serbët është bërë në Kosovë. Politika e Tiranës për protagonizëm individual po bie me vetëdije në kurthin e Beogradit, që s’do Kosovën ta trajtoj si subjekt. Tirana po u asiston serbëve për mrekulli. Janë 22 artikuj, kam vetëm një përmbledhje, mund t’ua vë në dispozicion të plota, nëse zyra juaj e shtypit zotëri Thaçi, nuk ua ka vënë në dispozicion, është një klimë e tërë.

Thaçi: E opinionet e opinionistëve nga Shqipëria?

Opinion: I kam dhe ato patjetër, por ju vura këto që janë më problematike. Të ashpër kanë qenë, ka pasur opinionistë që kanë qenë shumë të ashpër, duke kaluar edhe çdo limit etik, absolutisht njoh edhe këtë fakt. Por, fryma u krijua pas një deklaratë të ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Thaçi: E para, nuk jam sonte këtu që të komentoj komentet e opinionistëve. Secili jetojmë në demokraci, jetojmë në pluralizëm, në shumëllojshmërinë e ideve, qëndrimeve dhe unë e vlerësoj çdo qëndrim të kujtdo që paraqitet, për çdoçështje që debatohet. Por, ritheksoj, ky debat është aq artificial, aq i kotë dhe do të jetë i pandikim, pavarësisht se dikush mendon se do të ndikojë. Raportet mes shtetit të Kosovës dhe shtetit shqiptar janë raporte të shkëlqyera në nivel institucional, edhe në nivel privat. Mund të themi lirisht se këto opinione që janë paraqitur, apo për të nxitur çështje që nuk ekzistojnë janë opinione që janë prezantuar në një ballafaqim të një fryme apo të një vale që as nuk ka qenë e nevojshme, as nuk është e nevojshme. Unë dua të them edhe për zotëri Hoxhaj, ministrin e Jashtëm, se nuk jam këtu as t’i komentoj deklarimet e ministrave, as të zëvendësministrave, as të opinionistëve. Unë prezantoj qëndrimet e shtetit të Kosovës, qëndrimet e Presidentit të Kosovës, të institucioneve dhe vullnetit të popullit të Kosovës.

Opinion: Por, zotëri Thaçi ju jeni nga personalitet politike më të rëndësishme në Kosovë në dekadën e dytë, sidomos në dekadën e fundit?

Thaçi: Unë prezantoj qëndrimet e shtetit. Nuk komentoj opinionet e opinionistëve. Nëse më pyet në rrafshin privat, diskutojmë a pajtohemi në ca segmente apo nuk pajtohemi. A ka gjëra të cilat janë thënë drejtë apo jo, nga opinionistët në Shqipëri dhe në Kosovë. Ju e dini këto gjëra kanë filluar të diskutohen edhe në vitin ’92, janë diskutuar edhe më vonë në debatin Maliqi-Plasari-Lubonja, edhe nga të tjerët. Ky debat realisht është krejt artificial, mund të themi lirisht dhe target e ka HashimThaçin si President i Republikës së Kosovës me legjitimitetin më të madh qytetarë, si dhe Edi Ramën me legjitimitetin më të madh në Republikën e Shqipërisë.

Opinion: Pra, ju po thoni se është një sulm personal ndaj jush?

Thaçi: Shumica e këtyre opinionistëve që kanë shkruar kundër Shqipërisë, kanë shkruar dhe vazhdojnë të shkruajnë kundër meje vazhdimisht. E shumica nga ajo që kam parë edhe në Shqipëri, që realisht janë drejtuar kundër këtij opinioni të këtyre njerëzve në Kosovë, vazhdimisht shkruajnë edhe kundër kryeministrit Rama.

Opinion: Kthehemi te deklarata e zotëri Hoxhaj, po e vendos edhe njëherë që ta kemi të qartë edhe për qytetarët që nuk e kanë ndjekur?

Deklarata e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj: “Për sa i takon normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, vetëm Kosova është aktor politik dhe Shqipëria besoj historikisht e ka të qartë këtë proces dhe besoj që edhe në të ardhmen do ta ketë të qartë. Kosova është shtet i pavarur sikurse çdo shtet tjetër në rajon, ndërsa Shqipëria nuk është ndonjë aktor global sikurse SHBA-ja apo BE-ja. Prandaj, në raport mes Kosovës dhe Serbisë, natyrisht që kërkojmë mbështetje amerikane dhe natyrisht që kërkojmë mbështetje evropiane, meqë këta kanë edhe instrumente që të ushtrojnë ndikim. Ndërsa, çdo bashkëpunim që mund të ketë Shqipëria në rrafshin ekonomik ështëçështje bilaterale mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Opinion: Deklarata është e drejtpërdrejtë zotëri president dhe duket sikur i thotë Shqipërisë stop deri këtu është vendi yt?

Thaçi: Jo, ministri Hoxhaj nuk i thotë Shqipërisë stop dhe nuk mund t’i thotë as ministri Hoxhaj, as nuk mund t’i thotë askush nga Kosova stop Shqipërisë. Sikur që nuk mund t’i thotë stop Kosovës. Ministri Hoxhaj ka theksuar me vëmendje të veçantë përparësinë në procesin e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë të Bashkimit Evropian. E ka theksuar përparësinë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe ku qëndron kjo përparësi. Kjo përparësi si akterë global, qëndron tek roli udhëheqës i Bashkimit Evropian në procesin e negociatave për normalizimin e marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, dhe rolin e fuqishëm bashkudhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bashkimi Evropian, drejtpërdrejtë zonja Mogherini udhëheq këtë proces, ndërsa SHBA-të janë prezentë në takime, edhe këshilluese, por edhe të drejtpërdrejta.

Opinion: Deklarata e zotëri Hoxhajt është një tregim vendi Qeverisë së Shqipërisë?

Thaçi: Tjetër send është keqkuptimi, keqinterpretimi, tjetër send është leximi i drejtë i deklaratës që i jep përparësi Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që është edhe realitet. Por, zotëri Hoxhaj nuk e mohon rolin e Shqipërisë, një rol ndihmues, shumë i rëndësishëm që ka qenë edhe më herët dhe është edhe sot, e do të jetë edhe në të ardhmen. Shtrohen edhe pyetje të tjera, a ka pasur të drejtë të flasë zotëri Rama?

Opinion: Ka pasur një opinion të shprehur nga Kryetari i Bashkisë së Prishtinës, zotëri Shpend Ahmeti, pak kohë më parë, duke iu referuar një shkrimi të zotit Selimi, që keni qenë ju që e keni sponsorizuar atë. Dhe, po ashtu, një tjetër komentator, Mentor Nazarko,është shprehur se nëse keni qenë ju pas sulmeve të zotit Hoxhaj ndaj Edi Ramës. Pra, e ka personalizuar duke e konsideruar që keni qenë ju dhe vetëm ju që e keni sulmuar, po e quaj tani Kryeministrin e Shqipërisë dhe qeverinë shqiptare.

Thaçi: Tash opinione ke çfarë të duash, prej kujtdo qoftë. Zotërinjtë i dinë shumë mirë raportet e shkëlqyera që kemi me zotin Rama edhe në rrafshin personal, edhe në rrafshin institucional. Po ua heq ngarkesën edhe atyre, se asnjë opinionistë, asnjë institucionalistë, asnjë partiakë, nuk do të mund të futet në raportet e Edit me mua në rrafshin personal dhe në atë institucional. Këto raporte janë të nivelit më të lartë edhe të besimit personal, edhe privat, edhe institucional. Kështu që, mendoj se Kryetari i Prishtinës duhet të fokusohet në punët e tij teknike dhe t’i kryej në Prishtinë, sepse ka mbetur me të vërtetë kryeqyteti më i pazhvilluar dhe më në kaos si kryeqytet në Evropë. Ndërsa, për zotëriun tjetër, ne njihemi shumë mirë, kështu që nuk ka…

Opinion: Zotëri Thaçi a do të ndërmerrte zëvendësministri i Jashtëm dhe ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, pra të dy bashkë sulme kundër kryeministrit të Shqipërisë, duke ditur raportet zyrtare dhe personale mes jush dhe …

Thaçi: Së pari, zotëria nuk është zëvendësministër i Jashtëm dhe nuk ka qenë as në atë kohë. Ndërsa, në anën tjetër opinionet private të askujt nuk i komentoj. Unë prezantoj qëndrimet e shtetit të Kosovës. E theksova, sa i përket ministrit Hoxhaj, i ka dhënë përparësi çfarë edhe e kanë të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një rol ky i pazëvendësueshëm, por në asnjë rrethanë pretendimit sfidues të Shqipërisë për të qenë si ndihmuese në procesin edhe të normalizimit të marrëdhënieve, edhe mes Kosovës dhe Serbisë me aq rol që ka, sikur që janë ndihmuese edhe shumë vende të tjera edhe në rajon, por edhe në botë. Tek e fundit Shqipëria është pjesë e NATO-s.

Opinion: Rikthehemi tek thelbi i kontestimit, dhe po citoj një pjesë të madhe të komentatorëve që vijnë nga shtypi i Kosovës, ndoshta se e njohin më mirë problemin se njohim ne. A ka gabuar Edi Rama që po i jep prioritet raporteve me Beogradin dhe madje atyre personale me Vuçiçin, duke krijuar një aks, po e quaj aleance ose raporti miqësor të ri në Ballkan, që nuk ka qenë kaq prezent të paktën në 25 vitet e fundit midis Shqipërisë dhe Serbisë?

Thaçi: Atëherë me lejo të komentoj edhe unë disa prej këtyre opinioneve që kam arritur t’i lexoj, edhe të Kosovës, edhe të Shqipërisë. Në një nga ato që lexuam tash,duhet që edhe Ismail Qemalin ta shpallim tradhtar, sepse ka mbetur vetëm kjo pjesë e Shqipërisë, gjithë ato hapësira kanë mbetur jashtë shtetit shqiptar të vitit 1912. A ka pasur aftësi, potencial dhe kapacitete Ismail Qemali me Hasan Prishtinën, me Isa Boletinin, për me e shpall edhe shtetin çfarë është shpallur dhe ta kurorëzojnë plotësisht, është çështje e diskutueshme…

Opinion: E shpallën, se sa ju lanë fuqitë e mëdha të administronin, ishte një problem i fuqive të mëdha?

Thaçi: Gjithashtu, lexova që edhe Nolin e akuzonin, sepse s’i ka përfshirë kosovarët, dhe pse s’ka arrit të zgjeroj autoritetin e tij qeverisës edhe në Kosovë dhe në hapësira tjera. Gjithashtu, lexova fjalë edhe prej më të rëndave për Zogun, për kohën e Zogut, për sjelljen e tij ndaj kosovarëve. Lexova gjëra edhe më të tmerrshme për Enver Hoxhën. Lexova gjëra interesante edhe për Konferencën e Bujanit, për takimin për bashkim të trojeve shqiptare. Por, lexova gjëra edhe shumë më interesante për procesin e Prizrenit, ku kanë marrë pjesë vetë kosovarët dhe janë pajtuar edhe në presion çfarë e kanë pasur me mbet nën Serbi. Lexova gjëra shumë të tmerrshme edhe për vitin ’45 deri në ’90 për qëndrimin e Enver Hoxhës dhe gjithë asaj nomenklature të Shqipërisë, dhe interesimin e tyre të paktë për shqiptarët jashtë Shqipërisë, e në të njëjtën kohë edhe për periudhën 90-99. Ne jemi dëshmitarë, jam dëshmitarë edhe vetë, se cili ka qenë roli i Shqipërisë. Ka qenë ai çfarë ka pasur mundësi dhe potenciale, edhe gjatë qeverisjes së parë pluraliste, edhe në kohën e Ramiz Alisë, edhe në kohën e qeverisjes së parë pluraliste të Nanos, pastaj të presidentit Berisha, përsëri të Nanos, përsëri të Berishës.

Opinion: Realisht a ka hatërmbetje të shqiptarëve të Kosovës zotëri Thaçi për sjelljen e Shqipërisë ndaj Kosovës?

Thaçi: Hatërmbetje të shqiptarëve të Kosovës ndaj Shqipërisë nuk ka. Ka falënderim për sistemimin dhe për mikpritjen vëllazërore të gjysmë milioni të shqiptarëve të Kosovës në vitet 98-99.

Opinion: Besoj se ishin më shumë se gjysmë milioni?

Thaçi: Tash s’i kam numëruar, mund të jenë pak më pak apo mund të jenë pak më shumë, por rreth gjysmëmilioni njerëz kanë ardhur nga Kosova në Shqipëri dhe janë vendosur prej Kukësit deri në Konispol, dhe janë falënderues, edhe përulen me respektin më të madh. Në të njëjtën kohë, i jemi falënderues edhe shtetit shqiptar për atë ndihmesë, sepse e ka pasur obligim edhe kushtetues, e ka obligim edhe vëllazëror. Tekefundit, si shqiptarë jemi një komb kudo që jetojmë. Prandaj, këto dilema qëngritën, ky debat artificial,është plotësisht i paqëndrueshëm, është i paargumentueshëm. Dhe, kur shoh disa zëra që më të vërtetë kanë një nostalgji edhe për Jugosllavinë dhe tash e shajnë Shqipërinë, kjo është e gërditshme, është me të ardh me vjellë.

Opinion: Po rikthehemi te thelbi i pyetjes zotëri president. A po gabon Kryeministri i Shqipërisë, duke ndërtuar një aks miqësor, diplomatik dhe mjaft intensiv në raportet me Beogradin? Një aks që ka qenë i ngrirë në 25 vitet e fundit?

Thaçi: Duhet me pas të qartë diçka. Problematika e Beogradit me shqiptarët është një problematikë që ndërlidhet mes Serbisë dhe Kosovës dhe shqiptarëve që kanë jetuar nën ish-Jugosllavi. Shqipëria s’ka qenë në luftë me Jugosllavinë, ani pse i ka përkrah kërkesat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Tjetra, Prishtina 45-99, ka qenë kryeqyteti i shqiptarëve në ish-Jugosllavi, edhe të Kosovës, edhe të Maqedonisë, edhe të Preshevës, edhe të Malit të Zi. Kjo është e vërtetë. Edhe kryeqyteti politik, edhe kulturor, edhe social. Ka qenë adresa e bashkimit të tyre. Në anën tjetër, ky bashkëpunim që sot po ndodhëështë një bashkëpunim i nivelit bilateral, në asnjë rrethanë në dëm të Kosovës. Se sa herë takohet, kur takohet, ku takohet, vendosin autoritetet e Shqipërisë me autoritetet e Beogradit.

Opinion: Nuk mund të ketë një aks pajtimi Beograd-Tiranë, pa u zgjidhur problemi i shqiptarëve të Kosovës?

Thaçi: Asnjë lider i Kosovës, qysh nga Enver Hoxha kur ka vizituar Titën, nuk e ka vizituar Serbinë derisa kemi arritur marrëveshjen e paqes në Bruksel më 19 prill 2013, mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ato të Serbisë. Pas kësaj marrëveshje u hap mundësia e shkuarjes së lidershipit apo e kryeministrit Rama në Beograd, si dhe e ardhjes së Vuçiçit në Tiranë. Tash, këto raporte çfarë do jenë, a do jenë të nivelit politik, diplomatik, ekonomik…

Opinion: Keni ju vërejtje për nivelin aktual të raporteve?

Thaçi: Edhe se sa shpesh shkon kryeministri Rama atje, vendos ai vetë. Dhe nuk janë institucionet e Kosovës që vendosin atë. Zotëri Rama ka të drejtë plotësisht me fol për Kosovën, jo në emër të Kosovës, por për Kosovën. Për Kosovën vendosin institucionet legjitime. Edhe unë flas për Shqipërinë ku të më jepet mundësia, por vendimmarrja i takon Tiranës. Kosova dhe Shqipëria nuk janë në garë, janë shtete që plotësojnë njëra-tjetrën. Në të gjitha angazhimet, Shqipëria kudo që është, qoftë në Asamblenë e Përgjithshëm të OKB-së, gjithë liderët e saj, qoftë ministrat e Jashtëm, qoftë kryeministrat, e kanë afirmuar kauzën e Kosovës.

Opinion: Zotëri Thaçi meqë thoni këtë gjë, po i referohem sërish shtypit të Kosovës sot, i cili ishte mjaft interesant. Qeveria e Shqipërisë ka nënshkruar një marrëveshje dypalëshe, bilaterale me Qeverinë e Serbisë, për autostradën Durrës-Nish, pa praninë e Kosovës. Mbase në prill të 2015 ka firmosur me Qeverinë e Kosovës, për interesa të njëjta, pra interesin e përbashkët në këtë segment. Dhe, në një moment, kur një pjesë e madhe e kësaj autostrade kalon territorin e Republikës së Kosovës… A është kjo shkelje ose tejkalim i të drejtës së kryeministrit Rama në raport me shqiptarët e Kosovës?

Thaçi: Qëndrimet që ka prezantuar kryeministri Rama në takime, unë e kam përcjellë, kanë qenë qëndrime parimore, kanë qenë qëndrime të drejta, kanë qenë qëndrime të cilat janë plotësisht në përputhshmëri edhe me politikën e jashtme të Republikës së Kosovës në raport me Serbinë. Tekstin e kësaj marrëveshje unë nuk e kam lexuar dhe nuk e di që është nënshkruar një marrëveshje e tillë e autostradës Nish –Durrës. Një projekt i tillë nuk ekziston!

Opinion: Nuk ekziston?

Thaçi: Unë nuk e di dhe nuk e kam lexuar.

Opinion: A është një zgjidhje ekonomike ndërtimi ose vënia në funksion e këtij projekti?

Thaçi: Në takimin e parë që kemi zhvilluar në Bruksel, unë si kryeministër i vendit më herët dhe kryeministri në atë kohë Daçiq, marrëveshjen e parë që kemi arritur është kjo, bile me vullnetin e dyanshëm dhe pa ndonjë ndikim mund të themi të Bashkimit Evropian, pra për fillimin e ndërtimit të autostradës Prishtinë-Nish. Nuk është përmend as Durrësi, as Morina, as një hapësirë tjetër.

Opinion: Ndërkohë, kjo pjesa tjetër e autostradës është gati e gatshme?

Thaçi: Është përmbyll, në Kosovëështë80 për qind e përmbyllur, kanë mbetur edhe disa kilometra deri në Merdare. Se kur e fillon Serbia është çështje e saj, se kur i përmbyll Shqipëria këto ura që i kanë mbetur në Kukës, pa përmbyllur nja 3 a 4, që po bien viktima udhëtarë që vijnë nga Kosova dhe kthehen,është çështje e tyre kur e përmbyllin.

Opinion: Janë tre – katër ura në Kukës?

Thaçi: Jo, unë mendoj se Shqipëria duhet ta përmbyll autostradën nga Miloti deri në Durrës, sesa të mendoj më tepër për Nish. Shqipëria duhet ta përfundojë autostradën që i takon në territorin e vet më tepër sesa në projekte regjionale.

Opinion: Ky defekt i yni ka qenë gjithmonë që duam të japim mend më shumë për punët e tjerëve se për tonat. Ka pasur një tezë tjetër, e cila në gjykimin tim nuk është për tu neglizhuar, që pajtimi Shqipëri-Serbi, marrëdhëniet bilaterale nuk mund të funksionojnë asnjëherë pa u zgjidhur problemi i shqiptarëve të Kosovës dhe që nuk mund të ketë pajtim shqiptaro-serb pa u zgjidhur Kosova. Ju lexoj një editorial të zotit Buzhala, i cili thotë: “Ne jemi therur me serbët, pra ne kemi luftuar me serbët. Shqipëria s’ka luftuar, në qoftë se pajtimi nuk vjen për shqiptarët e Kosovës për çfarë pajtohen dy vende që kanë qenë të pajtuara?”

Thaçi: Dëgjo, mohimi i kontributit të Shqipërisë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës është injorancë komplete. Është edhe tendencë, edhe padijeni e plotë. Por, pajtimi apo normalizimi i plotë i marrëdhënieve serbo-shqiptare, nuk ndodhë në relacionet Tiranë-Beograd. Nuk ndodhë, sepse s’ka çka të pajtohet Tirana e Beogradi, të pajtuar kanë qenë në kuptimin e një bashkëpunimi edhe në kohë të Enver Hoxhës. Ka pasur bashkëpunim edhe politik, edhe diplomatik, edhe ekonomik. Kanë qenë ambasadat e hapura në të dyja vendet.

Opinion: Shkëmbenin edhe të arratisurit madje?

Thaçi: Edhe të arratisurit, edhe raporte të tjera e të tjera, por shqiptarët në ish-Jugosllavi kanë qenë të diskriminuar. Kanë qenë të shtypur, të burgosur, të vrarë dhe ato raporte kanë ndikuar natyrisht edhe në Shqipëri. Mua më kujtohet në veçanti nga viti ’81 kur Shqipëria zëshëm dhe publikisht e ka përkrahur kërkesën për Republikë, po flas nga qëndrime zyrtare, nga ato mediale. Ato të tjerat unë nuk i di, kam qenë edhe i ri në atë kohë, edhe si nxënës, edhe si student. Gjithashtu, edhe në vitet 90-99, janë raporte çfarë kanë qenë. Unë të gjithë liderët i njoh dhe i kam takuar edhe në atë periudhë dhe e di qëndrimin e Tiranës zyrtare çfarë ka qenë në raport me Kosovën, sesa kanë besuar në liri dhe pavarësi, si dhe sesa kanë kontribuuar në këtë proces, por edhe në raportet Prishtinë–Tiranë të dy kryeqyteteve. Ndërsa, tash dëshiroj të theksoj se vetëm normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë do të nënkuptonte normalizim të plotë të raporteve të shqiptarëve me Serbinë. Nuk mund të ketë raporte të shkëlqyera Tirana me Beogradin dhe në anën tjetër Beogradi të luaj një rol destruktiv dhe armiqësor në raport me Kosovën. Tani jemi në rrugë të mbarë dhe asnjë prej liderëve shqiptarë nuk i ka takuar më shpesh se unë, edhe kryeministrin Vuçiç, edhe ish-kryeministrin Daçiç, kemi diskutuar për normalizim, kemi diskutuar për bashkëpunim, kemi diskutuar edhe për pajtim dhe pajtimi është i paevitueshëm.

Opinion:Çdo me thënë pajtimi është i paevitueshëm?

Thaçi: Pajtimi ndërshtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Opinion: Kush e pengon këtë pajtim për momentin?

Thaçi: E pengon e kaluara, por ne nuk duhet të punojmë me agjenda historike. Duhet të punojmë me prioritete të së ardhmes.

Opinion: Ish-kryeministri Berisha hodhi një tezë në Parlamentin e Shqipërisë, ku u shpreh që raportet midis Shqipërisë dhe Beogradit duhet të kalojnë nga Kosova. Pra, në praninë e shqiptarëve të Kosovës dhe institucioneve të Kosovës, që do të i rikthehem pyetjes që ju bëra:Çfarë pajtimi dhe çfarë relacioni mund të ketë midis Shqipërisë dhe Serbisë bilaterale, në momentin që nuk flitet për Kosovën, sepse edhe vetë Kosova uron që të mos ketë.

Thaçi: Shiko, unë asnjë lideri shqiptar nuk i bëjë garë në raport të afërsisë me autoritetet në Beograd dhe me Beogradin. Çdo autoritet e ka të drejtën e komunikimit, bashkëpunimit dhe avancimit të këtij bashkëpunimi, edhe politik, edhe institucional, por edhe kulturor dhe sportiv. Unë nuk i përcjellë deklarimet e çdo politikani dhe nuk kam ardhur që t’i komentoj ato deklarime të kujtdo qofshin, por e ritheksoj atë që është bindja ime dhe e di që është e drejtë dhe qëndrim i shtetit të Kosovës, se normalizimi, bashkëpunimi dhe pajtimi ndërshtetëror Kosovë-Serbi kalon përmes Prishtinës, si dhe normalizimi i plotë i raporteve shqiptaro-serbe kalon përmes një normalizimi të plotë Kosovë-Serbi.

Opinion: Po anashkalon Edi Rama, Kosovën, në këtë normalizim?

Thaçi: Jo, qëndrimet e kryeministrit Rama kanë qenë qëndrime parimore. Kanë qenë qëndrime edhe në vizitën e parë. Kanë qenë qëndrime parimore edhe në deklarimet e mëvonshme dhe e potencoj qartë edhe në takimin e fundit që e kishte në Beograd dhe në Nish. Tash, janë të komentueshme takimet e shpeshta, vizitat e shpeshta, kudo që ndodhin.

Opinion: Ju e gjykoni gabim intensitetin ose shpeshtësinë e takimeve të Ramës me Vuçiqin?

Thaçi: Unë e theksova se asnjë liderë shqiptarë nuk është takuar më shpesh se unë me të, por e kam pasur obligim kushtetues, ligjor, por edhe përgjegjësi para bashkësisë ndërkombëtare. Është në vullnetin e çdo lideri që të takohet kurdo, kudo, si të do dhe e përcakton agjendën e vet. Nuk ka nevojë, ta zëmë unë si president i vendit, kurdo që takohem me autoritetet e Beogradit të pyes dhe nuk e pyes as Tiranën dhe asnjë kryeqytet tjetër, me përjashtim të koordinimit me Bashkësinë Ndërkombëtare. Por, edhe me autoritetet e Tiranës,unë kam qenë vazhdimisht korrekt dhe kam qenë shumë i hapur për këtë bashkëpunim dhe për çdo hap që kemi ndërmarrë me Serbinë. Jemi koordinuar dhe kemi pasur sukses dhe nuk kemi pasur divergjenca kurrë, as me kryeministrin Berisha, as me kryeparlamentarin Meta dhe as tash në asnjë rrethanë me kryeministrin Rama.

Opinion: A qëndron Meta pas sulmeve ndaj Ramës?

Thaçi: Çka më pyet mua për këto çështje të niveleve të ulëta komentuese, thashethemeve të Tiranës? Unë e çmoj zotin Meta, ka bërë punë të mirë si zëvendëskryeministër gjatë kohës së luftës. Edhe si kryeministër pas luftës, edhe si ministër i Jashtëm, ka qenë një zë i fuqishëm për avancimin dhe afirmimin e së drejtës së Kosovës për pavarësi.

Opinion: Ka një ide tjetër që qëndron zotëri president, në të cilën po i referohem sërish komentatorit Buzhala, i cili thotë se Rama është i fundit që duhet të flas për Kosovën, tash jo si kryeministër i Shqipërisë, por si një individ krejtësisht laik për zhvillimet në rajon. Ai bashkëpunimin rajonal e kupton si një vizitë artistike, si art bashkëkohor. Ai nuk ka asnjë referencë tjetër, krejtësisht i papërgatitur. Ai është lideri i vetëm në rajon që i beson Vuçiçit, i cili me ngulm po kërkonte partnerë në Ballkan. Këtë mundësi nuk ia dha Kroacia, as Greqia, por për çudi po ia jep Edi Rama, duke e lavdëruar Serbinë për sjellje shumë evropiane, madje më evropiane se shtetet evropiane,siç është fjala për refugjatët. A po i jep një shans Vuçiçit, kryeministri i Shqipërisë, për të ndërtuar një fabul në Ballkan? Ndërkohë që është refuzuar nga Ciprasi dhe nga Kroacia?

Thaçi: Kryeministri i Shqipërisë ka të drejtë të flas për Kosovën. Këtë të drejtë nuk mund t’ia mohoj askush. Kryeministri dhe Presidenti i Kosovës ka të drejtë dhe unë kam folur për Shqipërinë, por nuk kam vendosur për të dhe kudo që më jepet mundësia flas, flas në kuptimin më afirmativ të mundshëm. Por, se a është Serbia vend më evropian? Nuk është vend më evropian, derisa synon të cenoj integritetin territorial të Kosovës, të instaloj strukturat paralele në veri, të cenoj sovranitetin e Kosovës dhe derisa nuk kthen të pagjeturit që i ka ende në varrezat masive në Beograd. Prandaj, për raportet, derisa i ka vra mbi 12 mijë shqiptarë, ka kryer gjenocid, 20 mijë gra janë të dhunuara nga Serbia dhe këta njerëz kanë qenë në pushtet në kohën e Milosheviqit, raportet e Kosovës me Serbinë ende janë raporte që duhet të punohet shumë për to, për të shkuar drejt një bashkëpunimi të sinqertë, një normalizimi të vërtetë dhe një pajtimi ndërshtetëror.

Opinion: Si duhet të jetë raporti Shqipëri-Serbi? Në çfarë rrafshi dhe ku duhet mbështetur?

Thaçi: Duhet të jetë raporte të një bashkëpunimi të nivelit të barabartë, pa asnjë kompleks, pa asnjë inferioritet të ndonjë lideri të Shqipërisë në raport me Beogradin. Beogradi nuk është ndonjë kryeqytet i engjëjve.

Opinion: As ndonjë kryeqytet i fuqishëm?

Thaçi: As i fuqishëm dhe Beogradi nuk është lider në rajon, por është kryeqytet i një prej shteteve të rajonit. Unë i kushtoj vëmendje të veçantë bashkëpunimit me vendet e Adriatikut. Edhe me Slloveninë, me Kroacinë, me Malin e Zi kemi një bashkëpunim të shkëlqyer. Ndërsa, duhet të punojmë shumë edhe për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Unë nuk i jap favor marrëdhënieve me Serbinë.

Opinion: Zotëri Thaçi a ka diskutuar ose a ka biseduar paraprakisht, para vizitës dhe a i ka rrahur këto çështje me ju kryeministri Rama?

Thaçi: Me kryeministrin Rama ne takohemi shpesh edhe privatisht dhe bisedojmë për të gjitha çështjet. Kam biseduar për raportin e dialogut, kam biseduar për implementimin e marrëveshjeve.

Opinion: Konkretisht për vizitën?

Thaçi: Konkretisht kam biseduar për vizitat që i ka zhvilluar më herët dhe kam qenë i informuar që do ta vizitojë.

Opinion: Për këtë të fundit, sepse qeveria e Kosovës sipas shtypit të Kosovës, thotë se nuk ka pasur dijeni?

Thaçi: Në takimet e Londrës që kanë qenë ka marrë pjesë edhe kryeministri Mustafa, edhe ministri Hoxhaj, se në ç’masë kanë qenë të informuar për takimin e Nishit,është çështje e diskutueshme. Ndërsa, për debatin që do të zhvillohet në Nish apo për ekspozitën e zotit Rama, apo për prezantimin e librit të tij, nuk ka nevojë me marrë leje as prej Hashim Thaçit, as unë prej Edi Ramës. Ne jemi institucionalistë, jemi njerëz me identitet, kemi kushtetutat, kemi ligjet, kemi qëndrimet tona, por natyrisht gjithmonë dakorduese dhe pajtuese. Dhe theksoj, kurrë, asnjëherë nuk ka pasur nivel më të lartë të bashkëpunimit të institucioneve të Kosovës me ato të Shqipërisë. Kemi filluar mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta të dyja qeverive, kemi pasur rezultate konkrete, janë implementuar shumë marrëveshje. Përsëri po them është një ekzagjerim i këtyre temave, thjesht për të qenë në mediume, për të krijuar një situatë artificiale.

Opinion: A ka qenë një gabim nga kryeministri i Shqipërisë, citimi i Ivo Andriq, nobelistit jugosllav, njëkohësisht një prej hartueseve të elaboratit të famshëm antishqiptar, që kërkonte cenimin e kufijve të Shqipërisë, daljen e Serbisë në det që nga Shëngjini e deri në Durrës dhe një person që praktikisht njihet nga shqiptarët si një njeri antishqiptar, pra si një intelektual antishqiptar, ka qenë gabim?

Thaçi: Citimi i kryeministrit Rama për Ivo Andriqin ka qenë në kontekstin e shpresës, kështu që kushdo që flet për shpresë – mirë është që flet për shpresë, besim, për optimizëm. Por, Andriq njihet si antishqiptar i tërbuar, Cubrilloviq gjithashtu. Se pse e ka zgjedhur për të cituar Andriqin, është mirë ta pyetni kryeministrin Rama. Por, në kuptimin pozitiv, nuk ka folur në kuptimin negativ. Se a ka qenë Andriqi një antishqiptar i tërbuar, ka qenë. Në Kosovë, edhe përmendet, edhe shkruhet, edhe lexohet, edhe kujtohet, si njeri prej armiqve më të mëdhenj të kombit shqiptar dhe që ka pasur ndikim në platformat antishqiptare deri në përmasat e gjenocidit, kjo është fakt.

Opinion: Ndërkohë që sipas të dhënave të publikuara po në shtypin e Prishtinës, thuhet që sot në tekstet shkollore të shqiptarëve të Kosovës, Ivo Andriqi studiohet, është e vërtetë?

Thaçi: Studiohet, lexohet.

Opinion: Por, jo politikisht po thoni, vetëm si shkrimtar?

Thaçi: Vetëm si shkrimtar. Dëshiroj që standardet që dikush i respekton në Prishtinë, të mos i bartë si antivlerë për Edi Ramën në Tiranë apo për liderët në Tiranë. Gjërat që disa të tjerëve u kanë ndodhur më herët në Prishtinë, të mos ia veshin lidershipit të Tiranës. Unë nuk jam avokat dhe as zëdhënës i asnjë lideri në Tiranë dhe as që pretendoj të jem, por pretendimi i cenimit të raporteve Kosovë-Shqipëri, me të vërtetë është një pretendim i cenimit të interesit kombëtar.

Opinion: Ndërkohë që një problem tjetër është çfarë ndodhi mes Ramës – qeverisë dhe po e quaj shoqërisë në Kosovë? Dy vjet më parë e pritët, duke konsideruar që nuk bëri ndonjë heroizëm të veçantë, thjeshtë se përmendi Kosovën si një realitet, gjatë konferencës së shtypit me kryeministrin Vuçiç. U prit me shumë pompozitet në Kosovë dhe ministri i Jashtëm e shoqëroi, e konsideroi hero. Ndërkohë që dy vjet më pas, reagimet ishin shumë të ashpra. Çfarë është shtyrë këto dy vjet dhe çfarë ka bërë gabim kryeministri shqiptar kësaj here?

Thaçi: Unë e theksova, qëndrimet që ka prezantuar kryeministri Rama kanë qenë qëndrime parimore, të sakta, të drejta. Kanë qenë qëndrime në përputhshmëri me orientimet euroatlantike. Tash, natyrisht se Shqipëria po i afrohet zgjedhjeve dhe ngritën tema të tilla edhe në nivel të pretendimeve elektorale. Zoti Rama ka thënë një të vërtetë të madhe në Beograd, në prezencë të kryeministrit Vuçiç.

Opinion: S’ishte gjest për të qenë as heroik, sa u perceptua?

Thaçi: Po u perceptua, bëri shumë mirë që e tha atë të vërtetë në Beograd. Ishte lideri i parë që e vizitoi Serbinë dhe lideri i parë shqiptar, që e tha atë që edhe amerikanët edhe shumë evropianë të tjerë e kishin thënë në Beograd. Por, mirë ta dëgjonte Beogradi edhe prej institucioneve të Shqipërisë këtëqëndrim dhe mund të them se prej tëgjithë liderëve që kanë qenë në Beograd ndonjëherë, kryeministri Rama ka mbajtur qëndrimin më parimor, më të drejtë dhe më të pastër historik në raport me shqiptarët jashtë Shqipërisë. Ka pasur të tjerë historikisht që kanë shkuar në Beograd dhe janë kthyer në Shqipëri, ju e dini nëpërmes Kosovës, me agjenda dhe adresa të gabuara.

Opinion: Kanë qenë kushte tjera historike, por a ka në Kosovë dy qëndrime në raport me politikën zyrtare të Tiranës. Vura re që sot zotëri Veseli kishte një qëndrim krejtësisht të ndryshëm. Pra, ai thoshte se mund të flas kryeministri i Shqipërisë dhe bënë mirë të flas atje ku nuk shkon dot Kosova, ndërkohë që nuk shoh dot asnjë reagim pozitiv apo qoftë edhe një koment nga Qeveria e Kosovës.

Thaçi: Ne nuk mund të merremi dhe të mbesim duke komentuar njëri-tjetrin, duke vlerësuar njëri-tjetrin. Ne kemi qëndrime të përbashkëta, kemi një orientim të drejtë të çështjeve që i diskutojmë. Ka harmonizim të këtyre përkushtimeve dhe unë për çdo takim që kam zhvilluar në Bruksel, për shumicën prej tyre kam informuar në atë kohë edhe kryeministrin Berisha. I ka përshëndetur ato veprime. Edhe më vonë kam diskutuar me kryeministri Rama, kam diskutuar me presidentin Nishani, kështu që të jesh i sigurt dhe dëshiroj të konfirmoj edhe para të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë dhe gjithë qytetarëve të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë, në çdo hapësirë dhe në diasporë, se ne koordinohemi në angazhimet e përbashkëta të interesit kombëtar dhe vlerave euroatlantike. Flas për zhvillime madhore, por jo për çështje të politikës ditore. Ajo që është më së miri është se tash nuk ka ndonjë pretendim as nga Tirana për ndikim në Prishtinë dhe as nga Prishtina për ndikim në Tiranë. Bile mund të them shumë hapur se agjenda e Kosovës ka qenë më ndikuese në politikën e Tiranës, sesa politika e Tiranës në Prishtinë.

Opinion: Zoti Thaçi nga vjen kjo atmosferë e krijuar dhe mjaft e nervozuar midis Prishtinës dhe Tiranës, qoftë në nivele komentatorësh, qoftë në nivelet e shtypit, qoftë nivelet e tjera, por e rezervuam pjesën politike. Çfarë po ndodhë realisht dhe pse po ftohen raportet midis shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Shqipërisë?

Thaçi: Raportet mes shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Shqipërisë, kurrë nuk kanë qenë të një niveli më të mirë dhe më të lartë të bashkëpunimit edhe si qytetarë, edhe si institucione. Kurrë nuk ka qenë komunikimi më i mirë. Të jemi të sinqertë, kur kryeministri Berisha filloi ndërtimin e autostradës, shumica prej këtyre komentatorëve ishin kudër ndërtimit të autostradës për Kosovën. E akuzonin se po dëmton natyrën, ekologjinë. Po, po. Komente cinike, injorante, përbuzëse dhe pse po shpenzon mjetet e po e lidh Kosovën me një rrugë që s’na çon askund. Kur e kam filluar ndërtimin në të njëjtën kohë të autostradës nga kufiri i Shqipërisë për Kosovë, ka pasur opinionistë që tash janë në këto opinione, që kërkonin që rruga të fillon nga Merdari, nga Serbia në drejtim të Shqipërisë. Kështu që, opinionet nuk do të ndalen kurrë. Ne i kryejmë punët tona që i kemi si agjendë shtetërore, kush ka kohë mu marrë me gjëra të kota le të merret. Por, janë me ndikim zero në politikën e Prishtinës dhe në politikën e Tiranës.

Opinion: A ka një tendencë për të krijuar një distancë midis Kosovës, qoftë edhe për krijimin e identitetit shtetëror, nuk po them kombëtar, në raport me Shqipërinë. Vura re që në ceremoninë tuaj të inaugurimit si president, zotëri Thaçi nuk kishte asnjë flamur kombëtar shqiptar. Kishte vetëm flamuj të Kosovës?

Thaçi: Unë punoj që shteti i Kosovës të jetë i fortë, të jetë i fuqishëm në kuptimin politik, ekonomik, diplomatik, social, në të gjitha aspektet, por i gëzohem forcimit të shtetit shqiptar. Prandaj, forcimi i dy shteteve tona, e forcon kombin, e forcon rajonin, paqen dhe stabilitetin. Ne nëse bëjmë garë pozitive për t’i forcuar shtetet, kjo mrekullia më e madhe. Nëse dikë e pengon forcimi i shteteve tona, ajo është çështje tjetër. Ose nëse është dikush në agjendë elektorale apo në agjendë të politikës ditore nuk dëshiroj t’i komentoj, sepse jam edhe president i vendit. Por, i garantoj qytetarët e Shqipërisë, i garantoj qytetarët e Kosovës, gjithë shqiptarët kudo që janë se këto raporte janë të shkëlqyeshme.

Opinion: Zotëri Thaçi keni dalë të luftoni në moshën 20 vjeçare me simbole kombëtare. Nuk e di nëse më nxirrni dot stemën e UÇK-së. Keni dalë të luftoni për bashkim kombëtar, në atë kohë. Pra, keni dalë të luftoni për bashkim kombëtar, ndërkohë thash në ceremoninë tuaj të inaugurimit nuk kishte asnjë flamur kombëtar. I takoni asaj kategorie politikanësh të cilit për hir të interesave dhe kur vijnë në pushtet i harrojnë idealet e shkuara apo është thjeshtë pragmatizëm?

Thaçi: E theksova unë, edhe Ismail Qemali kur e ka shpall pavarësinë, e ka shpallë për të gjitha trojet shqiptare. Se sa është arritur të realizohet, jemi dëshmitarë të gjithë. Nga ato copëtime që kanë ndodhë pastaj, edhe sot e paguajmë atëçmim kudo që jetojmë, më tej kemi edhe historikun e zhvillimeve të mëvonshme. Unë lexova tash një opinion që ishte tmerrësisht negativ, pse Ismail Qemali s’ka qene kurrë në Kosovë fizikisht, pse Fan Noli s’ka qenë kurrë fizikisht në Kosovë? Do të thotë aq larg shkonin, sa sulmonin edhe ato dy personalitete.

Opinion: Nuk është e vërtetë për Ismail Qemalin, në informacionet e mia Ismail Qemali ka kaluar në Kosovë.

Thaçi: Janë komente të një historiani që shkruan. Aq larg shkojnë për t’i etiketuar edhe Skënderbeun, edhe Ismail Qemalin, edhe Fan Nolin, edhe Hasan Prishtinën, edhe Isa Boletinin. Nuk ka një personalitet të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, për Liri, për bashkim kombëtar që nuk është njollosur prej vetë shqiptarëve. Kjo është keq, sepse në mëngjes zgjohesh patriot, në mbrëmje përfundon si tradhtar. Bie si hero, zgjohesh si tradhtar, vetëm tek ne ndodhë.

Opinion: Ju vetë e keni braktisur këtë?

Thaçi: Unë jam një nga ata që si lider edhe i Lëvizjes Studentore dhe si një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kam filluar betejën kundër Serbisë me një armatim modest, por me vullnet, qëllim dhe vizion për çlirimin dhe bashkimin e hapësirës së trojeve shqiptare për bashkim. Për bashkim, s’po flas.

Opinion: Për bashkim të Kosovës me Shqipërinë?

Thaçi: Çlirimin e të gjitha viseve edhe në Maqedoni, edhe në Preshevë, edhe në Mal të Zi. Kjo është e vërtetë dhe s’mund ta mohoj askush dhe e kam dhënë betimin.

Opinion: Dhe e keni harruar këtë?

Thaçi: E kam dhënë betimin sikur të gjithë të tjerët. Në vitet ’98 kemi ardhur në një situatë, që bashkërisht me ndërkombëtarët kemi diskutuar dhe ka qenë qëndrim i qartë i Bashkësisë Ndërkombëtare, nëse dëshironi të na keni afër koncentrohuni në Kosovë. Nëse ju lëvizni në drejtim të destabilizimit edhe të tri hapësirave të tjera të rajonit, të Malit të Zi, të Maqedonisë dhe në Preshevë, atëherë neve harrona si Bashkësi Ndërkombëtare, harroni SHBA-të, NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Ju do të mbeteni të vetmuar dhe ne vetëm do të shikojmë. Prandaj, ka qenë projekti pastaj për liri dhe për pavarësi të Kosovës, që e kemi realizuar. Kam marrë pjesë personalisht në këto takime. Jemi dakorduar që të mos cenohet në atë kohë as Presheva, as Mali i Zi dhe as Maqedonia. Kam marrë sulme të mëdha edhe personale, se pse u la në harresë kauza e shqiptarëve në Maqedoni dhe në Preshevë? Në vitin 2000 ka filluar konflikti i armatosur në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc. Mbi 12 orë kam diskutuar me autoritetet amerikane dhe përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, në Gjilan. E kemi krijuar një këshill politik dhe qëndrimi jonë ka qenë shumë i qartë. NATO nuk është instrument i shqiptarëve, prandaj fokusohuni në një proces politik për aq sa mund të arrijmë afirmimin e të drejtave të shqiptarëve. Janë dakorduar, e kanë krijuar atë këshill, pastaj ka ndodhë çfarë ka ndodhë, kanë qenë disa që s’kanë dëgjuar, por në fund janë çarmatos dhe kanë hy në një proces çfarë e kemi promovuar. Edhe në raport me Shqipërinë, përsëri jemi akuzuar se kemi injoruar kërkesat e shqiptarëve për bashkim edhe të hapësirave në Maqedoni. Ka filluar konflikti i armatosur me qëllimin e bashkimit të atyre trojeve, të bashkimit të atyre trojeve në të gjitha hapësirat shqiptare. Pas tre muajsh të kryengritjes kemi deklaratën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që thotë nën 1, se Ushtria Çlirimtare Kombëtare, konfirmon përpjekjet e saj për ruajtjen e integritetit territorial të Maqedonisë dhe pse ndodhi kjo? Edhe ata i dëgjuan këshillat, edhe zoti Ahmeti, të miqve ndërkombëtarë dhe unë mendoj që bëri mirë që i dëgjoi këshillat e Bashkësisë Ndërkombëtare. Ne nuk mund as të çlironim Kosovën, as ta fitonim lirinë e as pavarësinë, pa SHBA-të, pa Bashkimin Evropian dhe pa NATO-n. As shqiptarët në Maqedoni nuk do të mund t’i afirmonin të drejtat e tyre deri në marrëveshjen e Ohri-t, pa mbështetje ndërkombëtare. Prandaj, ne duhet të jemi edhe fleksibil, duhet të jemi edhe pragmatik, duhet të jemi edhe realist, tek e fundit ne nuk jemi forcë globale për të lëvizur gjërat në gjithë botën.

Opinion: E kuptoj këtë pragmatizëm zoti Thaçi, por ju pyes si ndiheni ju sot, ndiheni shqiptar apo jo, si do të më përgjigjeshit, do të thotë në raport me identitetin, mos të bëhet pyetja folklorike?

Thaçi: Unë jam shqiptar i Kosovës, president i shtetit të Kosovës.

Opinion: A ka një identitet kosovar, jo shtetëror, se shtetëror padyshim se ka?

Thaçi: Ka identitet shtetëror, nuk ka identitet kosovar dhe nuk do të mund të ndërtohet identiteti kosovar. Ne në Kosovë jemi me shumicë shqiptarë, jemi vend multietnik, atdhe i të gjithë qytetarëve të saj. Republikë multietnike, ku jetojnë shqiptarë me shumicë, pastaj serbë, maqedonas, malazezë. Dua të them edhe diçka, ne duhet të jemi krenarë që si shumicë jemi dy shtete të vetmet në rajon, Shqipëria dhe Kosova. Edhe në Shqipëri jetojnë edhe serbë, edhe malazezë, edhe romë, grekë. Do të thotë, është një koncept i shteteve multietnike, prandaj nuk duhet të shqetësohet askush pse ne ndërtojmë demokraci qytetare, edhe pse ndërtojmë një rend multietnik në përmasa standarde çfarë e kanë edhe vendet e tjera të rajonit. Ai që pretendon të ndërtoj shtet një etnik në Ballkan, do të jetë i dështuar. Janë përpjekur edhe të tjerë para neve, por shiko gati mbetën në Pashallëkun e Beogradit.

Opinion: Ndërkohë, kush i fryn tentativës për të krijuar një identitet kosovar që distancohet nga identiteti shqiptar?

Thaçi: Në Kosovë ka pasur pretendime më herët për të ndërtuar edhe identitetin jugosllav, por s’kanë pasur sukses. Kush pretendon të ndërtojë identitetin e qytetarisë kosovare, plotësisht pajtohem, do të thotë shtetit të Kosovës. Por, identiteti i kombit kosovar nuk ekziston në kokat e shëndosha të asnjë njeriu, mund të them as në Kosovë e as në Shqipëri. Mua më pengon kur shpesh dëgjoj në Shqipëri, kosovarët, kosovarët, kosovarët, mendoj se nuk është e shëndoshë.

Opinion: Unë nuk e kam shprehur kurrë këtë, shqiptarët e Kosovës, shqiptarët e Shqipërisë, shqiptarët e Maqedonisë, shqiptarët e Malit të ZI, shqiptarët e Luginës.
Thaçi: Shqiptarët kudo që jetojnë janë një, janë shqiptarë. Jetojmë ku jetojmë, si pasojë e padrejtësive historike.

Opinion:Identiteti i ngritur nga Rilindja Kombëtare dhe i ngjizur është proces 150 vjeçar?

Thaçi: Blendi, është proces historik. Nuk është shpikje as e imja, nuk është shpikje as e juaja. E theksoj, kudo që jetojnë shqiptarët janë një, janë një komb, kanë një gjuhë, kanë traditat, kanë kulturën, kanë një flamur kombëtar. Flamuri shtetëror i Kosovës është diçka tjetër. Për aq sa është flamuri kuqezi i juaji, po aq është i imi.

Opinion: Ai mungonte në ceremoninë tuaj zoti Thaçi si president?

Thaçi: Unë jam President i Republikës së Kosovës. Unë me flamurin kombëtar kam filluar dhe e kam zhvilluar luftën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Është i gjakosur me gjak të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës dhe ai që pretendon të cenoj identitetin kombëtar në Kosovë, atëherë ai ka pasur interpretime të ndryshme edhe sa i përket gjuhës dhe gjithashtu është qasje e gabuar.
Kështu që, pretendimi me i nda sot shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, Kosovë, Mal të ZI, Preshevë…

Opinion: Kjo është pyetja, para dhjetë ditësh kur po bëhej një debat i tillë që nisi nga debati për ekipet e futbollit dhe përfshirjen, një prej eksponentëve të lartë politik dhe me aktivitet shumëvjeçar në Maqedoni më shkruajti: “Në qoftë se Kosova krijon një identitet të vetin, Shqipëria e ka një identitet të vetin, po ne shqiptarët e Maqedonisë ku do shkojmë? Kush do na përfaqësoj ne dhe çfarë kombësie do kemi ne?”

Thaçi: Unë javën e kaluar kam qenë në Tetovë, kam takuar gjithë botën akademike dhe gjithë njerëzit e politikës në Maqedoni dhe shoh një afirmim të fuqishëm të të drejtave të tyre dhe një zotësi të një popullate shtetformuese në Maqedoni, duke respektuar plotësisht marrëveshjen e Ohrit, gjë që ka munguar më herët. Sa i përket kombëtareve, unë kam lexuar edhe opinione të ndryshme kur e ka fituar Majlinda Kelmendi, Medaljen e Artë në Rio de Janiero, se pse nuk e ngriti flamurin kombëtar. Ajo ka qenë përfaqësuesja e Republikës së Kosovës në Rio de Janiero dhe duhet përgëzuar nën 1, që patëm të drejtë me marrë pjesë në Lojërat Olimpike, që edhe Shqipëria ka ndihmuar, në anën tjetër. Në vend që të përgëzohet prej të gjithëve, këtu dalin shkrime pse nuk e ngriti flamurin kombëtar. Nuk dëshironte Majlinda të ngrehte flamurin kombëtar. Derisa kemi dy qeveri, do t’i kemi gjithashtu edhe kombëtaren e Shqipërisë, do të kemi edhe përfaqësuesen e Kosovës, do t’i kemi edhe njerëzit që luajnë në përfaqësuese të Maqedonisë, sikur që i kemi edhe në përfaqësuese të Malit të Zi. A do të dëshironim ta kishim një kombëtare? Do të dëshiroja ta kishim edhe një qeveri, të them të drejtën.

Opinion: Ka mundësi që kjo të ndodhë?

Thaçi: Unë shpresoj dhe besoj fuqishëm që shqiptarët do të jetojnë në hapësirë pa kufij, pa pengesa, në familjen e madhe euroatlantike. Ai që pretendon t’i ndryshoj kufijtë, mendoj se ka qasje të gabuar, por ai që beson në heqjen e kufijve, eliminim e barrierave kufitare, ai e ka të drejtë. Ky është qëllimi dhe vizioni im i heqjes së kufijve, barrierave kufitare dhe i një lëvizjeje sipas standardit evropian. Kjo do të ndodhë.

Opinion: Duke e njohur plotësisht shtetin e Kosovës, të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të pasur një shtet të tyre, respektin e plotë për të gjitha simbolet e tyre, që nga ekipi përfaqësues, flamuri, himni dhe gjithçka tjetër, zoti Thaçi ka një tezë tjetër, që besoj që qëndron. Që Shqipëria dhe Kosova për arsye të faktorizimit të elitave kryesisht politike nuk po bëjnë atë që duhet në afrimin midis tyre, që do të thotë përse duhet të ketë një kufi midis Shqipërisë dhe Kosovës, zoti Thaçi? Përse duhet të ketë barriera doganore midis Shqipërisë dhe Kosovës zotëri Thaçi, përse të mos ketë etiketa të njëjta të prodhimeve zoti Thaçi, përse të mos ketë një treg të përbashkët kur ne po hapemi sot me vendet e Bashkimit Evropian? Përse midis Shqipërisë dhe Kosovës ka barriera të cilat nuk duhej të qëndronin në një rrethanë tjetër?

Thaçi: Unë e theksoj, aty ku janë pikat e përbashkëta që po punohet më shumë. Në luftë kundër korrupsionit ka trupa të përbashkët, ka një bashkëpunim të shkëlqyer. Kundër krimit të organizuar, kundër terrorizmit, kundër fundamentalizmit. Pra, po punohet bashkërisht në shumë segmente për integrime euroatlantike. Se a duhet të ketë ende kontroll kufitare apo jo, ju e shihni çfarë përmirësimi ka ndodhë me lëvizjen e lirë të njerëzve.

Opinion: Përse të mos hiqet fare?

Thaçi: Po janë standarde evropiane që ne duhet t’i respektojmë në procesin e liberalizimit të vizave, pastaj edhe të perspektivës evropiane të Shqipërisë, standarde këto që i menaxhon edhe Bashkimi Evropian. Mendon se me u pyet qeveria në Prishtinë dhe në Tiranë nuk hiqen ato barriera? Janë lehtësuar shumë. Prandaj, kurrë ky bashkëpunim më i mirë s’ka qenë. Dy qeveritë takohen, bashkëpunojnë, kanë prioritete, implementojnë marrëveshjet. A ka hapësirë për përmirësime? Ka sa të duash.

Opinion: Ku kanë dështuar raportet Shqipëri-Kosovë?

Thaçi: Nuk kanë dështuar askund, por kërkohen përmirësime më të mëdha.

Opinion: Ndërkohë që janë dy – tre çështje mjaft të rëndësishme për Kosovën, për qeverinë e Kosovës, por edhe Kosovën në përgjithësi. E para, çfarë po ndodhë me liberalizimin e vizave, meqë edhe këto lidhen me raportet tona. A do udhëtojnë qytetarët e Republikës së Kosovës pa viza në hapësirën Shengen?

Thaçi: Qytetarët e Kosovës do lëvizin në hapësirën Shengen, në momentin që do të përmbyllet procesi i demarkacionit, që është problem i brendshëm në Kosovë, politik dhe jo i një raporti të hapur, të një kauze të hapur në raport me Malin e Zi. Unë sot kam diskutuar me kryeministrin Gjukanoviq, e kam uruar për fitoren dhe në të njëjtën kohë e kam shprehur zotimin tonë për vazhdimin e bashkëpunimit të një fqinjësie të mirë dhe të raporteve tona të bashkëpunimit për perspektivën euroatlantike. Për ne si Kosovë dhe Shqipëri është jetike që edhe Mali i Zi t’i bashkëngjitet NATO-s. Edhe mendoj se kjo çështje do të përmbyllet në të ardhmen e afërt, edhe qytetarët e Kosovës sikur të gjithë të tjerët, pasi që të gjitha kriteret tjera i kemi plotësuar.

Opinion: A ka kurajo Qeveria e Kosovës të marrë përgjegjësi për zgjidhjen e problemit të kufirit me Malin e Zi?

Thaçi: Qeveria e Kosovës ka kurajon, ka marrë guximin, mendon dhe vlerëson që është marrëveshje e drejtë, e saktë. Diçka tjetër janë interpretimet politike, numri i deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe qëndrimi kundër i Listës Serbe.

Opinion: Zoti president një pyetje e fundit lidhet me atë që kthehemi sërish në fillim. Pajtimi shqiptaro-serb, pajtimi i shqiptarëve të Kosovës me serbët që natyrisht shkon në kuadrin e gjithë pajtimit shqiptaro-serb. A ka kurajo klasa politike e Kosovës, a ka një bindje që raportet me Serbinë duhet të normalizohen duke kaluar historinë e dhimbshme të së shkuarës? Bota ka shembuj të vazhdueshëm të saj, palestinezët me izraelitët, Egjipti me Izraelin, këto vendet që kanë qenë me probleme shumë të mëdha nuk po kthehen pastaj tek pajtimi midis Francës dhe Gjermanisë, sepse nuk ka pasur të njëjtën dhimbje që ka pasur raporti i shqiptarëve të Kosovës me Serbinë. Pra, ku dhe deri ku mund të shkojë klasa politike kosovare në këtë rrugë?

Thaçi: Atëherë më lejo ta jap opinionin tim Blendi. Unë jam një nga ata që kam filluar rezistencën e armatosur dhe politike kundër Serbisë, për largimin e saj prej Kosovës. Në të njëjtën kohë, besoj fuqishëm se pas pavarësisë së Kosovës ne duhet të punojmë për normalizim, për bashkëpunim dhe pajtim. Ky pajtim ndërshtetëror dhe në mes popujve jam i bindur edhe si një nga njerëzit e parë të rezistencës politike dhe ushtarake, se do të ndodhë më shpejtë se që mendohet. Sepse, ka vullnet prej lidershipit të Prishtinës, ka vullnet edhe prej autoriteteve në Beograd dhe ka një përgjegjësi më të lartë të angazhimeve edhe nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, unë i besoj normalizimit, i besoj bashkëpunimit.

Opinion: Kë quani ju normalizim?

Thaçi: Normalizim të raporteve të bashkëpunimit institucional, të mos cenimit të integritetit të njëri-tjetrit. Ndërsa, bashkëpunim në të gjitha sferat në nivel nacional, në nivel lokal.

Opinion: A mund të quhet ky pajtim final? Bashkëpunimi ekziston edhe kur je në luftë.

Thaçi: Edhe pajtimi do të ndodhë dhe jam i bindur se do të ndodhë, për arsye se është duke u punuar dhe nuk është zoti Rama ai që ju pretendoni ta akuzoni që i pari ka folur për pajtim. Unë çdo ditë flas për normalizim, për bashkëpunim dhe pajtim mes Kosovës dhe Serbisë, mes popujve tanë. Kështu që, ky pajtim do të ndodhë. Serbia dhe Shqipëria nuk janë fqinjë, për arsye se nuk kufizohen askund njëra me tjetrën. Raportet e tyre bilaterale varen prej politikës së dy kryeqyteteve. Ky pajtim do të ndodhë.

Opinion: Serbia dhe Shqipëria zoti Thaçi janë të varur në pemën e Kosovës? Këtë e dimë të gjitha palët.

Thaçi: Deri në një masë të theksuar, por plotësisht varen raportet e Shqipërisë me Serbinë, prej raporteve të Kosovës me Serbinë. Nuk mund të ketë raporte të acaruara Kosova me Serbinë dhe raporte të shkëlqyera Tirana me Serbinë. Prandaj, unë i besoj plotësisht dhe është duke u punuar që të shkohet drejt një bashkëpunimi maksimal dhe një pajtimi ndërshtetëror Kosovë-Serbi, si dhe në mes popujve tanë, ku do të nënkuptohej edhe integrimi i Kosovës në Interpol. Ky bashkëpunim, pajtim apo kjo marrëveshje do të ndodhë më shpejtë se që mendohet.

Opinion: Megjithatë dy pyetjet e fundit. Ky bashkëpunim a po tenton të krijohet në një lidhje të ngushtë dhe ndoshta me shtyrjen e Gjermanisë dhe të vendeve tjera të Bashkimit Evropian, me një pajtim Tiranë-Beograd, duke anashkaluar Kosovën.

Thaçi: Unë nuk besoj kurrë që as kryeministri Rama dhe as ndonjë lider në Tiranë ka një pretendim të anashkalimit tëKosovës. Ne plotësojmë njëri-tjetrin, nuk jemi në garë me njëri-tjetrin. Zoti Rama përkrah çdo qëndrim të institucioneve të Republikës sëKosovës, kjo ka qenë praktika e deritanishme.

Opinion: Ju përmenda rrugën?

Thaçi: Po nuk e cenon Kosovën bashkëpunimi Kosovë-Serbi dhe nuk e cenon Kosovën normalizimi i këtyre raporteve.

Opinion: A e defaktorizon Kosovën si shtet të pavarur, forcimi i këtyre marrëdhënieve Tiranë-Beograd?

Thaçi: Raportet Tiranë-Beograd nuk mund të forcohen duke u dobësuar raportet Prishtinë-Beograd. Duke u normalizuar raportet Prishtinë-Beograd, atëherë edhe forcohen raportet me Tiranën. Tek e fundit është interes i të gjithëve që secili të bashkëpunojë me secilin, por duhet kuptuar gjithashtu se Beogradi është një nga lojtarët, sikur që është edhe Prishtina, edhe Tirana, edhe Podgorica dhe nuk është epiqendra e rajonit.

Opinion: A është Beogradi në moment të vështirë diplomatik dhe gjeopolitik në rajon?

Thaçi: Beogradi është në një rrethanë jo të favorshme, për arsye se ka probleme me Republika Srpskën, ku ka ndikim të fuqishëm Rusia. Po ka ndikim të fuqishëm Rusia edhe në Beograd, që paradite ndërkombëtarëve ju thonë jemi me perëndimin, pasdite komunikojnë dhe bashkëpunojnë me Rusinë, ndërsa gjithashtu ndikim shumë negativ prorus dhe proserbka edhe te opozita në Mal të Zi, që ishte një rrezik. Gjithashtu ka edhe pretendime për ndikime edhe në veri. Raportet e Beogradit nuk janë të mira as me Zagrebin, as me Sarajevën. Nuk janë të mira as me Podgoricën, as me Prishtinën. Prandaj, është më tepër një kryeqytet nxitës i problematikave në rajon, se një kryeqytet i një vendi për paqe dhe stabilitet.

Opinion: Pyetja e fundit zoti Thaçi. Ju kam dëgjuar në dy-tre herët e fundit keni thënë se shqiptarët janë në momentin e tyre më të mirë. Kur keni parasysh shqiptarët, flisni për të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni apo në Mal të Zi. Në fakt, janë shqiptarët në një moment kaq të favorshëm apo përkundrazi, po krijohet një moment kur po ndodhë një ndarjes midis nesh ose distancim, që nuk ka ndodhur as në kohët kur Kosova ka qenë, po e quaj tani me një regjim represiv serb dhe Shqipëria krejtësisht e izoluar me tela me gjemba. Pra, megjithëse ishim distancuar fizikisht kishte më shumë afërsi shpirtërore se sa duket që ka aktualisht kur jemi të lidhur me autostradë dhe nuk kemi më ndarje mes nesh?

Thaçi: Raportet Shqipëri-Kosovë nuk i përcakton një opinion i katër—pesë vetave, që deklarohen në opinione krejt të lira, personale, private, ndoshta edhe të nxitur në aspektin komercial apo vetëm për klikime të ndryshme. E theksoj fuqishëm, se shqiptarët në rajon kurrë dhe në histori të vet nuk kanë qenë në një pozicion më të mirë. Shqipëria është pjesë e NATO-s, Kosova është vend i pavarur, në rrugë të sigurt për t’u integruar në NATO, në Bashkim Evropian. Shqiptarët në Maqedoni janë duke i realizuar të drejtat e tyre në kuptimin më afirmativ përmes marrëveshjes së Ohrit dhe liderëve legjitim të tyre. Shqiptarët në Preshevë, gjithashtu zgjedhin liderët e tyre, përfaqësohen në institucione lokale dhe qendrore. Aty duhet të punohet edhe më tepër dhe ky është edhe mesazhi. Shtrohet pyetja pse Serbinë e pengon ndihma e Kosovës për shqiptarët në Preshevë? Dhe pse më lehtë e pranon ndihmën prej hapësirave tjera shqiptare? Që do të thotë se e ka problem. Jo abetaret e Kosovës qenkan më të rëndë me peshë, se sa ato të Shqipërisë. Sepse, e ka paranojë Kosovën.

Opinion: Për mendimin tim jo librat abetare, por kam përshtypjen librat shkencorë?

Thaçi: Mirë de edhe librat shkencorë, edhe abetaret edhe të tjera. Unë i takova edhe të premten liderët e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, kishin ardhur për të më nderuar në Tetovë. Kam diskutuar shumë hapur me ta. Ata po mundohen maksimalisht, jemi në koordinim. Kështu që, është një koordinim i mirë edhe i Tiranës, edhe i Prishtinës. Por, a duhet të përmirësohemi në veprimet taktike dhe strategjike politike? Po, duhet. Askush nuk i pengon shqiptarët me dalë të bashkuar në zgjedhje në Maqedoni dhe me qenë faktor. Kush i pengon shqiptarët në Preshevë me dalë të bashkuar në zgjedhje apo kush i pengoi edhepse kishte inkurajim edhe prej Prishtine, edhe prej Tirane, që shqiptarët në Mal të Zi të dalin të bashkuar edhe ato 20.000 vota t’i bashkojnë në një adresë dhe të mos i shpërndajnë e ta lejnë në pikëpyetje fitoren e forcave proruse në Mal të Zi.

Opinion: Zoti Thaçi ky që deklaruat sot në emision është opinioni juaj i vërtetë real, apo keni pasur presion thjeshtë për gjetur një rrumbullakim në raportet mes dy vendeve pas një tensioni javës së fundit?

Thaçi: Në bisedë edhe me ju pasi që kam parë këtë degjenerim të këtij debati të padobishëm dhe krejt të paqëndrueshëm, si President i Republikës së Kosovës kam ndjerë obligim edhe personal edhe të përgjegjësisë shtetërore, por edhe kombëtare, që para gjithë shqiptarëve të prezantoj qëndrimet se raportet Kosovë-Shqipëri nuk do të mund t’i cenoj asnjë opinion i asnjë opinionisti, kushdo që të jetë ai, kudo që të jetë ai, sepse këto raporte janë në nivelin më të lartë të bashkëpunimit institucional, edhe privat, edhe shtetëror, edhe vëllazëror dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen.

Opinion: Zoti Thaçi, a e mbani flamurin e Shqipërisë diku? Thatë se jeni shqiptar dhe President i Republikës së Kosovës?

Thaçi: E mbaj edhe në zyrë, e mbaj edhe në shtëpi dhe kam luftuar me flamurin shqiptar.

Opinion:Luftërat nisin gjithmonë me idealizëm, por përfundojnë me pragmatizëm?

Thaçi: Për aq sa e ka në zemër një shqiptar i Shqipërisë flamurin e Shqipërisë, e kam edhe unë. Jam rritur duke dashur Shqipërinë, jam edukuar duke dashur Shqipërinë. Jam prej adresave politike që gjithmonë ka qenë adresë e Shqipërisë. Të tjerët kanë pasur hezitime në raport me Shqipërinë edhe pas 99. Ndoshta kam paguar edhe çmim politik elektoral në masë të caktuar, të vogël po flas, por s’jam mërzitur kurrë. Mbi interesin elektoral e kam vendos interesin kombëtar. Shqipëria dhe Kosova duhet të ofrohen dhe të bashkëpunojnë dhe duhet të jenë bashkë me agjenda të përbashkëta. Prandaj, flamurin kombëtar e mbajë edhe në zyrë edhe në shtëpi dhe kudo dhe jam krenar për gjithë atë angazhim dhe atë identitet kombëtar të cilin duhet ta afirmojmë, po aq sa jam shumë krenar me identitetin shtetëror të Republikës së Kosovës. Ndërsa, ata që më flasin për bashkim kombëtar e që recitonin mbi kontinjerë me entuziazëm të Titos dhe të Jugosllavisë në Prishtinë, për nder e kam theksuar edhe të zoti Haxhiu, më vjen me vjellë dhe them lëshomë tokë e mos t’i dëgjojë duke folur për bashkim kombëtar në interesat politikës komplet ditore, sepse në shpirt e mendje nuk e kanë bashkimin kombëtar.

Në trend Lajme

Më shumë
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
Gjatë një operacioni policor në Prishtinë e Gjilan, gjenden dy bunkerë dhe armë zjarri

Gjatë një operacioni policor në Prishtinë e Gjilan, gjenden dy bunkerë dhe armë zjarri

Kronika e Zezë
Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Lajme
Departamenti amerikan i Shtetit demanton dyshimet e ngritura ndaj Escobarit

Departamenti amerikan i Shtetit demanton dyshimet e ngritura ndaj Escobarit

Lajme
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Gjenden pa shenja jete dy persona, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori