LAJMI I FUNDIT:

IPKO, për nëntë muaj 52 milionë euro të hyra

IPKO, për nëntë muaj 52 milionë euro të hyra

IPKO telefonia mobile e cila në ditën e parë të operimit kishte marrë 20.000 konsumatorët e parë, sot feston 5 vjetorin e saj në tregun e telefonisë mobile në Kosovë, në të cilin tani mban 26.1 për qind të tregut.

Me hyrjen e saj në treg, IPKO ka sjellë konkurrencë në tregun e telefonisë mobile, nga e cila përfituesit më të mëdhenj vazhdojnë të jenë të gjithë qytetarët dhe bizneset e Kosovës. Depërtimi i telefonisë mobile IPKO në treg, ka ulur çmimet, duke e ngritur cilësinë e shërbimeve dhe madhësinë e tregut mobil, në përgjithësi.

Si investitori më i madh i huaj direkt në Kosovë, IPKO si pjesë e Telekom Slovenije, fillimisht ka investuar 130.831 milionë euro (2007), 43,844 milionë euro (2008), 28,428 milionë euro (2009), 9.093 milionë euro (2010), 11.825 milionë euro (2011), dhe 18.400 milionë euro të planfikuara për t’i investuar këtë vit.

Për nëntë muajt e parë të vitit 2012, IPKO ka gjeneruar 52.048 milionë euro të hyra operative në biznes, 8,726 milionë euro investime kapitale të realizuara nga 18.4 milionë euro të planifikuara për 2012, EBITDA prej 21,107 milionë euro, si dhe 7,197 në EBIT. Në mesin e shumë indikatorëve financiar për nëntë muajt e parë të vitit, IPKO ka prezantuar edhe mesataren e të hyrave për përdorues, që në tremujorin e tretë të vitit është 11.04 euro.

Vizitën e tij të parë në cilësinë e Presidentit të Bordit të Telekom Slovenije, Rudolf Skobe e ka bërë në IPKO, për të dëshmuar edhe një herë rëndësinë që grupi i madh telekomunikues në rajon i ka dhënë kompanisë simotër, IPKO-së.

˝Ne jemi të kënaqur me rezultatet e arritura nga IPKO, posaçërisht nëse marrim parasysh krizën globale ekonomike dhe financiare, por unë besoj fuqishëm se ambiciet tona duhet të jenë edhe më të mëdha. Qytetarët e Kosovës janë të rinj dhe dinamik, dhe ata janë shumë të etur për biznes të suksesshëm, ndërsa janë kurreshtarë dhe adaptohen lehtë në inovacione. Ne jemi shumë të gatshëm që atyre tu ofrojmë pikërisht atë që u nevojitetˮ ka thënë Presidenti i Bordit Menaxhues të Telekom Slovenije, Rudolf Skobe. ˝Ne e konsiderojmë Kosovën si njërin ndër vendet me më së shumti prosperitet, në të cilin industria jonë ka shumë potencial për rritjeˮ, ka thënë ai gjatë konferencës për media.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i kompanisë IPKO, Robert Erzin, ka thënë se fokus i tyre ka qenë dhe mbetet rritja esherbimeve. ˮFokusi i telefonisë mobile IPKO mbetet në investimet kapitale për përshpejtimin e internetit mobil, kombinimin e produkteve mobile me ato fikse, shërbime të bazuara në cloud (re), zgjerimin e programeve për konsumatorët besnik, si dhe mbështetja dhe menaxhimi i raporteve me konsumatorët tanëˮ, tha Erzin.

Edhe përkundër nisjes së operimit si ofrues i shërbimeve të internetit, IPKO sot konsiderohet si investimi më i rëndësishëm ˝green field˝ i bërë nga ndonjë kompani sllovene, ndërsa mbetet investimi më i madh i huaj direkt në vend. /Telegrafi/