LAJMI I FUNDIT:

Itali, presidenti shpërndan Parlamentin

Itali, presidenti shpërndan  Parlamentin

Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano sapo ka firmosur dekretin e shkrirjes së Dhomave të Parlamentit, bëjnë të ditur mediat italiane.

“Rruga është përcaktuar dhe nuk kam asgjë për të sqaruar”, ka thënë Napolitano, një ditë pasi kryeministri Mario Monti dha dorëheqjen.

Monti paraqiti pasditen e së premtes dorëheqjen e tij, duke mbajtur kështu premtimin që kishte dhënë më parë për largimin nga kreu i ekzekutivit pas kalimit të buxhetit të 2013-ës.


Më parë gjatë ditës së djeshme, Parlamenti Italian miratoi projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm me 309 vota pro dhe 55 kundër. Ende nuk është e qartë nëse Monti do të paraqitet si kandidat në zgjedhjet e ardhshme, transmeton TCH.

Diçka e tillë pritet të saktësohet gjatë një konference për shtyp që do të mbahet ditën e dielë. Monti zëvendësoi kryeministrin Berlusconi në 2011-ën, si pjesë e një qeverie teknike që mori drejtimin e vendit.

Megjithatë, vazhdimi i qeverisjes Monti u bë e pamundur në dhjetor, pasi partia e Berlusconit, “Il Popolo della Liberta”, tërhoqi mbështetjen për kabinetin, duke kritikuar qëndrimin e kryeministrit ndaj krizës.

69-vjeçari, një ish-komisioner europian për Tregtinë dhe Konkurrencën, udhëhoqi në një vit qeverisje një program të ashpër shkurtimesh dhe rritje taksash për të reduktuar defiçitin kërcënues buxhetor të vendit. Aktualisht, Italia ka një borxh ndër më të lartët në Europë, me 120 për qind të vlerës së Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Berlusconi, i cili ka qenë në tre raste të veçanta kryeministër i Italisë, është duke u përgatitur për fushatën e tij të gjashtë politike, për t’u kthyer në postin më të lartë të ekzekutivit. /Telegrafi/