LAJMI I FUNDIT:

Jahjaga e “falimentoi” presidencën, shpenzoi pa kontroll

Jahjaga e “falimentoi” presidencën, shpenzoi pa kontroll

Ish-presidentja Atifete Jahjaga, po del të jetë kampione e shpenzimeve të fillimvitit në institucionet publike. Ajo ka shpenzuar rreth 95 mijë euro gati për çdo muaj, për mallra dhe shërbime.

Për rreth 4 muaj, presidenca ka shpenzuar 82.57 për qind të rrjedhës së parave të planifikuara tek mallrat dhe shërbimet, kurse 62.33 për qind të rrjedhës së parasë së planifikuar te pagat dhe mëditjet.


Në raportin financiar të shpenzimeve të presidencës gjatë këtij viti, të cilin Telegrafi e ka siguruar pas kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, në tremujorin e fundit të mandatit të saj si presidente, Jahjaga kishte bërë shpenzime enorme.

Kurse, me dinamikën e shpenzimeve të saj, presidencës nuk do t’i mjaftonte as një buxhet shumë më i madh, se ai prej 1.6 milion euro, sa është buxheti vjetor në tërësi i Presidencës, shkruan Telegrafi.

Në raportin e shpenzimeve vërehet se gjatë muajve të parë të vitit, 181,439.56 euro janë vetëm shpenzime të udhëtimit, kurse 57,561.65 euro shpenzime të përfaqësimit si reprezentacion.

Nga 395,532.88 euro sa janë shpenzuar prej fillimit të vitit e deri në muajin e parë të mandatit të ri presidencial, vetëm 67,180.00 euro ishin borxh i fundvitit 2015, kurse shumica e obligimeve ishin të tremujorit të parë.

Si shpenzime të papaguara, në raportin e shpenzimeve figurojnë edhe shpenzimet e inaugurimit të presidentit Thaçi, për të cilat Telegrafi do të raportoj të enjten.
Gjatë muajve të parë të vitit, si shpenzime të tjera të mallrave dhe shërbimeve, vetëm për furnizime për zyrë, ushqim e pije dhe për akomodim u shpenzuan 46,808.04 euro.

Siç shihet nga plani gjashtëmujor i presidencës për rrjedhën e parasë në vlerë prej 479 mijë euro për mallra dhe shërbime, afër 400 mijë euro janë shpenzuar vetëm në katër muajt e parë. Ndërsa, shikuar në planifikime vjetore, për katër muaj janë shpenzuar 51.34 për qind të mjeteve të parashikuara, prej 770,421 euro, për t’u shpenzuar për tërë vitin 2016.

Ajo që më së lehti mund të konstatohet tash është që Presidenca e Kosovës është duke shkuar drejt “falimentimit”, sepse me shpenzimet e bëra deri më tani, ka tejkaluar skajshëm të gjitha planet për shpenzimin e buxhetit të saj.

Ndryshe, Atifete Jahjaga ka dorëzuar mandatin e presidentes më 7 prill te Hashim Thaçi. /Telegrafi/