LAJMI I FUNDIT:

Jahjaga: Politika zgjeruese e BE-së duhet të vazhdojë

Jahjaga: Politika zgjeruese e BE-së duhet të vazhdojë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë sot në mëngjesin e punës, shtruar nga presidenti i Kroacisë, Ivo Josipovic, me rastin e hyrjes së Kroacisë në Bashkimin Evropian. Në këtë takim ishin të pranishëm të gjithë presidentët e shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Presidenti kroat Ivo Josipovic tha se qëllimi i këtij takimi është që të diskutohen tema në interes të rajonit që të përshpejtohet procesi i integrimit të të gjithë rajonit të Ballkanit dhe të thellohet bashkëpunimi ndërmjet vendeve të rajonit.

Presidenti Josipovic tha se takimet e nivelit presidencial, që janë nismë e tij dhe e presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, duhet të organizohen edhe në të ardhmen për të ndihmuar dhe lehtësuar rrugën evropiane të vendeve që aspirojnë anëtarësimin.

Në fjalën e saj në mëngjesin e punës të organizuar nga presidenti Josipovic, presidentja Jahjaga tha se politika zgjeruese e Bashkimit Evropian duhet të vazhdojë, dhe për ne vendet që aspirojmë anëtarësimin, si të vetmen alternativë dhe si synim të përgjithshëm tonin.

Kjo iniciativë e juaja dhe e presidentit Pahor në planin rajonal do të ndihmojë në realizimin e qëllimeve tona që përfundimisht t’i lëmë pas vetes mospajtimet dhe moskuptimet e të kaluarës, në mënyrë që të shohim përpara dhe të thellojmë bashkëpunimin ndër fqinjësor si kërkesë bazë për anëtarësim.

Në planin shtetëror, iniciativat e këtilla që kanë për qëllim projektet e përbashkëta infrastrukturore, procesin e ndërtimit të mirëkuptimit dhe reformave substanciale, do të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.

Si e tillë, kjo iniciativë e juaja e ka përkrahjen time dhe konsideroj që ajo duhet të zgjerohet edhe në nivele të tjera për të siguruar një bashkëpunim gjithëpërfshirës dhe për të pasur një sukses konkret.

Duke iu drejtuar presidentëve Josipovic dhe Pahor, Jahjaga tha se jo para shumë kohe, vendet tuaja kanë kaluar nëpër një tranzicion të ngjashëm me atë nëpër të cilin po kalojnë vendet tona, të konsolidimit të brendshëm dhe forcimit të subjektivitetit të jashtëm.

Sllovenia dhe Kroacia janë rrëfimet më të suksesshme të rajonit dhe ky sukses nuk do të përfundojë me kaq, sepse politika e zgjerimit te Bashkimit Evropian do të konsiderohet e suksesshme vetëm me integrimin e plotë dhe me anëtarësimin e të gjitha vendeve të rajonit. Juve ju takon që të keni rolin udhëheqës në politikën e evropianizimit të vendeve tona.

Kjo është vlerë shtesë për Bashkimin Evropian dhe është përkushtim i ynë që, krahas punës tonë dhe ndihmës tuaj, ta përshpejtojmë këtë rrugëtim qenësor për integrimin e vendeve tona.

Ky është një moment shpresëdhënës për rajonin dhe Bashkimin Evropian dhe ne do të vazhdojmë të përmbushim synimet tona për integrim evropian dhe që, përmes dialogut të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit me secilin shtet fqinj, të japim kontributin tonë në stabilizimin dhe demokratizimin e rajonit, përfundoi Jahjaga. /Telegrafi/