LAJMI I FUNDIT:

Java e “nxehtë” për Brezovicën

Java e “nxehtë” për Brezovicën

Konsorciumi fracez “MDP Consulting-Compagnie des Alpes”, ka edhe gjashtë ditë kohë për ta paraqitur përfundimisht dokumentin para Qeverisë së Kosovës se i ka siguruar apo jo mjetet e nevojshme për të investuar në kompleksin turistik ‘Brezovica”.

Ndërkohë që është dashur t’i sigurojë plot 400 milionë euro të parapara për investime në Brezovicë. Gazeta Fjala ka kontaktuar me zyrtarë të konzerciumit francez lidhur me këtë çështje. Përfaqësuesi i Kozorciumit Pascal Roux, ka thënë se është në bisedime dhe se janë duke i dhënë llogari Ministrisë së Tregtisë lidhur me çështjen.


Ai nuk ka pranuar të jap edhe shumë detaje rreth përgaditjeve që kanë bërë. “Ne do të japim informacione për shtyp në momentin që ta shohim të arsyeshme”, ka thënë shkurt Pascal Roux për Gazetën Fjala. Ndërkohë që ka edhe më pak se një javë kohë të afatit shtesë që konzerciumi ta sjellë në MTI garancinë e projektit zhvillimor për kompleksin turistik Brezovica.

Në dhjetor të vitit ta kaluar kjo kompani nuk kishte arritur të dëshmonte se ka mjete të mjaftueshme për investim, prandaj edhe Qeveria i dha afat gjashtë muaj të tjerë ta bëjë këtë. Në atë kohë konserciumi francez kishte arritur të siguronte vetëm 100 milionë euro. Gazeta Fjala ka raportuar ditë më para se marrëveshja me konserciumin francez është duke shkuar drejt dështimit. Kjo pavarësisht se Qeveria e Kosovës i dha kohë konserciumit për t’i siguruar mjetet, ky i fundit ende nuk i siguruar ato.

Gazeta ka provuar që të marrë një përgjigje nga zyrtarë të MTI-së për të ditur deri ku ka shkuar procesi, por kjo e fundit nuk ka dhënë përgjigje. Ndonëse Vjollca Dibra, këshilltare për media dhe komunikim në këtë ministri pati deklaruar se MTI është në kontakt të vazhdueshëm me Partnerin Privat, që është nënshkrues i kontratës për projektin e Brezovicës.

Dibra shpreson se ky konsorcium do të arrij ta përmbush edhe premtimin brenda afateve ligjore deri në fund të këtij muaji. “Partneri privat na ka informuar për takimet me kompani të ndryshme, me të cilat synon të bashkëpunojë për realizimin e projektit të Brezovicës. Presim që gjatë këtij muaji t’i dorëzoj dëshmitë e kërkuara për mobilizimin e fondeve të nevojshme”, ka thënë ajo.
164 milionë euro investime në vitin e parë

Me 25 nëntor të vitit 2014 në tenderin “Propozimi për Zhvillimin, Financimin dhe Operimin e Qendrës Turistike në Brezovicë”, ishte shpallur fitues konsorciumi i kompanive “MDP Consulting – Compagnie des Alpes – PGI Management. Ishte planifikuar që kontrata mes Qeverisë së Kosovës dhe konzorciumit fitues për menaxhimin e Brezovicës të nënshkruhej më 3 mars të këtij viti. Mirëpo ajo ishte shtyrë deri në mesin e muajit prill.

Konsorciumi Fitues do të ketë nën shfrytëzim 3364 hektarëve tokë në Brezovicë, për periudhën 99 vjeçare. Parashikohet që një shumë prej 410 milionë euro të investohen në infrastrukturë gjatë kohëzgjatjes së projektit, raporton Gazeta Fjala.

Në njoftimit për dhënie të kontratës, specifikohet investimi i konsorciumit në tri faza. Në fazën e parë është paraparë që kompania fituese të investojë 164 milionë e 287 mijë euro. Në fazën e dytë do të investohen edhe 152 milionë e 541 mijë euro, në fazën e tretë në bazë të kontratës është planifikuar që të investohen edhe 92 milionë e 681 mijë euro tjera. Gjatë muajit shtator ka përfunduar edhe vlerësimi i pronës së paluajtshme.

Kështu që fatura që shteti do të paguajë për shpronësimin e tokave, ku do të ndërtohet resorti Brezovica, pritet të kalojë shifrën e 30 milionë eurove. Në ministrinë e financave, në Zyrën për Vlerësimin e Pronës së Paluajtshme në Departamentin e Tatimit në Pronë, thonë se kanë përfunduar edhe llogaritjen e dëmeve që kanë të bëjnë me shpronësimin në bazë të kërkesave, të cilat vijnë nga organet e ndryshme shtetërore për shpronësim.

Në investime parashihet zgjerimi apo krijimi i shtigjeve të klasit botëror për skijim, më të gjata se 100 km (më të gjatat në Ballkan), të pajisura me rreth 20 teleferikë dhe pajisje tjera moderne, me standarde të sigurisë dhe të kualitetit më të lartë në rajon. /Gazeta Fjala/Telegrafi/