LAJMI I FUNDIT:

Jehona festive dhe masat represive

Beogradi zyrtar nuk ua ka prishur qejfin shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për ta festuar sipas dëshirës Festën e Flamurit Kombëtar dhe jubileun e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, ngase qejfi është më i madh se qederi.

U kuq Presheva dhe Bujanoci me flamuj e bilborde. Skaj për skaj rrugëve u vunë shirita me mbishkrime: “Urime pavarësia Shqipëri”, “Të bashkuar jemi më të fortë” e kështu me radhë. Kolona e nxënësve të veshur kuq e zi, madhështonin sheshet, në të cilat jehonte kënga e vallja: “Rrofsh e qofsh moj Shqipëri”!.


Pavarësisht pamjeve spektakolare të vënies së flamurit kombëtar nëpër institucionet komunale dhe sheshe e shtëpi private, shqiptarët e Luginës nuk ishin bashkë. Po ashtu, bashkë nuk ishin as në Vlorën heroike. Pse?

Sepse, shqiptarët e Luginës sidomos klasa politike pushtetare vuan nga fobia për të qenë të parë, autoritativ dhe patriot. Kjo klasë politike ka ardhur në pushtet me zhurmë, premtime e shqiptarizma pa fund.

Beogradi aspak nuk u fye e as nuk u poshtërua pse para hundëve të tij valonte flamuri kombëtar, të cilin ai vet nuk e ka pranuar ligjërisht, por shkoi më larg se vetive të mëparshme, duke i lënë shqiptarët të kënaqen e të ngazëllehen me flamurin kuqezi për vetëm dy ditë.

Gjatë këtij manifestimi nuk pat as deklaratë kërcënuese të zyrtarëve të Beogradit e as më pak nga kryeministri Daçiq, i njohur për qëndrimin e tij të rreptë dhe eksploziv, sidomos për rrëzimin e pushtetit në Bujanoc dhe rrënimin e përmendores së dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë. Bile, kërcënimet e Daçiqit kanë filluar me humor t’i quajnë “pordha e Hasimes!”, ngase nuk po zënë askund vend.

Po, shqiptarët e Luginës, përveç klasës politike, nuk u besojnë këtyre “lirive” që jep Beogradi, i cili nuk ta bënë asnjë të mirë pa ta nxjerrë dredh e zhdredh.

Agjencia serbe e lajmeve “Beta”, duke u referuar autoriteteve maqedonase, bënë të ditur se “me dhjetëra drejtorë dhe mësues shqiptarë në shkollat e mesme dhe ato të ciklit të ulët në Maqedoni do të ndëshkohen me pezullim nga detyra apo gjoba, pasi ndërprenë mësimin me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë”. Lajmi më tej konfirmon se “Inspektorët arsimorë kanë vendosur tashmë gjoba me vlerë 2.500-3.000 euro ndaj shkollave për prishjen e mësimit”.

Beogradi përmes ministrive përkatëse do ta ndjek të njëjtën rrugë si Shkupi.

“Janë ngritur vepra penale kundër përgjegjësve që kanë vendosur përmendoren në qendër të Preshevës”, ka deklaruar kryetari i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq. Ai ka thënë se “përmendorja e vendosur në Preshevë është pa leje nga Instituti për mbrojtjen e përmendoreve të kulturës në Nish, kompetent për ndërtim në këtë qendër, i cili as që ka qenë i njoftuar”.

Ngjashëm do të veprohet edhe me hapjen e Muzeut të Komandant Lleshit, Ridvan Qazimi, në Tërnoc dhe për drejtorët e shkollave shqipe e arsimtarëve, të cilët kanë ndërprerë mësimet për tu bërë pjesë e manifestimit qendror për Ditën e Flamurit dhe 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Pas këtyre zhvillimeve kulturore, mediat serbe paralajmërojnë iniciativën e Lëvizjes për Komunën e Bujanocit (Prekret), e cila bën thirrje për krijimin e dy komunave në përbërjen e Bujanocit dhe të Vranjës.

“Këtë kërkesë ne e dorëzuam tek të gjitha institucionet shtetërore në formën e një peticionit, nënshkruar nga rreth 7.000 njerëz. Nëse është e nevojshme, në bazë të këtij propozimi mund të organizojmë një referendum për qytetarët e Komunës së Bujanocit”, shkruan “Kuriri” serb, i cili i referohet deklaratës së Prekretit.

Kjo lëvizje serbe e ka gjetur momentin e volitshëm për të bërë këso manovra politike, ngase forca e këshilltarëve të Partisë Demokratike në pushtet, për momentin nuk është e denjë t’i kundërvihet iniciativave të tilla, meqë i mungon ndihma e këshilltarëve opozitarë shqiptarë, të cilët nuk kanë pranuar të bashkëqeverisin me një subjekt i cili ka favorizuar këshilltarët serbë.

Përbërja aktuale e Kuvendit Komunal në Bujanoc gati fifti-fifti me këshilltarë shqiptaro-serb, e ka trimëruar Lëvizjen për Komunën e Bujanocit, të kërkoj ndarjen e komunës sipas parimit kadastral. Po të kishin qenë bashkë të gjithë këshilltarët shqiptarë në qeverisjen lokale, ashtu siç kanë qenë gjatë mandateve të kaluara për 10 vjet rresh, këto iniciativa do të ishin përballuar më lehtë.

Ndërkaq, radikalët serbë në Vranjë, të irrituar nga këto manifestime të shqiptarëve, kanë organizuar protesta dhe kanë kërkuar nga Beogradi “masa represive për shqiptarët”.

Pas këtyre masave represive, që do të ndërmerr Beogradi kundër shqiptarëve në Luginën e Preshevës, do t’i thelloj më shumë përçarjet e skenës politike në këtë rajon. Kujtoni periudhën e viteve 2002-2006, kur disa të rinj për shkak të këtyre kallëzimeve penale, u detyruan ta lëshojnë vendin, ashtu siç e braktisën me dhjetëra e qindra të rinj shqiptarë për të kërkuar punë e shkollim jashtë vendit.

Plasaritjet shqiptare dhe mos prezencën e opozitës në manifestimin me rastin e festive kombëtare, Beogradi e shfrytëzon për t’i legjitimuar masat represive ndaj krerëve të pushtetit lokal në Preshevë e Bujanoc, të cilat kanë bojkotuar zgjedhjet parlamentare, si dhe kanë tejkaluar kompetencat në këto manifestime.

Pozita dhe opozita shqiptare fillimin e dhjetorit, të këtij fundviti, do ta presin me dhurata e surpriza të këndshme, që u ka servuar shteti ku ata jetojnë.

Nga ky ngërç politik e nga ky kolaps ekonomik, në të cilën është zhytur Lugina e Preshevës, nuk ka magjistar e profet që mund ta nxjerrë e as kuvendi i përbashkët i këshilltarëve shqiptarë: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të cilit nuk po i buzëqesh fati të mblidhet njëherë.

Prognozerët meteorologjikë dhe politikë paralajmërojnë një dimër të gjatë dhe të ashpër, por për shqiptarët kjo nuk është risia e as befasia, se ata janë mësuar me të këqija e stuhi të tilla dhe kanë ditur të mbrohen nga to falë urtësisë dhe shkathtësisë politike.