LAJMI I FUNDIT:

Jo rritje të pagës minimale, por të formalitetit

Jo rritje të pagës minimale, por të formalitetit

Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik në takimin e mbajtur të mërkurën, ka marrë qëndrim që në Kosovë të mos ketë rritje të pagës minimale, por rritje të formalitetit për të punësuarit, pasi që një gjë e tillë është cilësuar më e domosdoshme. Sipas tyre, vetëm 8 për qind e të punësuarve në vend, marrin pagë minimale prej 130 deri në 170 euro. Mimoza Kusari Lila, pas këtij takimi pohoi se qëndrimi në fjalë shkon dhe në favor të punëtorëve dhe se është e domosdoshme që të luftohet informaliteti në vend.

Ministrja Mimoza Kusari-Lila tha se qëndrimi i përbashkët i Këshillit kombëtar për Zhvillim Ekonomik është se përpara se të sugjerohet rritja e pagës minimale, duhet bërë përpjekje maksimale, për rritjen e formalitetit tek bizneset, ku punëtorët do të gëzojnë benefitet e punësimit. Ajo tha se duhet bërë krijimin e politikave të cilat mundësojnë rritjen e produktivitetit të punëtorëve, e të cilat përkthehen në pagë më të lartë. Nga vlerësimi aktual, Kusari tha se punëtorë të cilët janë fitues të pagës minimale nga 130 deri në 170 euro, të regjistruar zyrtarisht në ATK, janë vetëm 8 për qind, e të punësuarve zyrtarë në Kosovë.

“Brenga e gjithë anëtarëve të Këshillit Ekonomik, është se me rritjen e pagës minimale, gjegjësisht me rritjen e kësaj pjese formale, ndikohet tek rritja e informalitetit tek punëtorët, gjegjësisht do të rritet numri i punëtorëve, të cilët punojnë por nuk janë të regjistruar, për shkak se punëdhënësit do të hezitojnë që atyre zyrtarisht do të iu japin një pagë, e cila do të jetë që është më e ngritur. Prandaj është qëndrim unik i Këshillit Kombëtar i tri asociacioneve të biznesit dhe përfaqësuesve të Qeverisë, se nuk është e nevojshme që paga minimale të rritet”, theksoi Kusari – Lila.


Ndërsa e pyetur se pse Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomi, ka marrë këtë qëndrim, pasi që për pagë minimale ligjërisht propozon vetëm Këshilli Ekonomik Social dhe jo Këshilli Kombëtar, Kusari tha se ligjërisht ata nuk imponojnë, por se janë këshill i cili ka legjitimitet, për të komentuar çështje që prekin të drejtat e punëtorëve.

Në këtë takim, po ashtu, Kusari tha se ka pasur dhe një informim më detal mbi reformën e sistemit gjyqësor dhe funksionalitetin e kësaj reforme. Ajo tha se zëvendëskryeministri Kuçi dhe ministri i drejtësisë e ka informuar këshillin kombëtar për Zhvillim ekonomik mbi mbarëvajtjen e këtij procesi dhe se dy pikat më të rëndësishme, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejtë në lehtësirat e ambientit të biznesit dhe promovimit më të mirë të Kosovës për investitorët e huaj, janë krijimi i dhomave të veçanta nëpër gjykata, gjegjësisht dhomave për trajtimin e lëndëve të investitorëve të huaj, që është një pikë shumë e rëndësishme në ngritjen e sigurisë së investitorëve, gjatë operimeve të tyre në Kosovë. /Telegrafi/