LAJMI I FUNDIT:

Kafe e llafe në universitet

Po e nis me një vizitë që i bëra UP-së, për të shpjeguar se në çfarë mënyre po vazhdon të funksionojë ky institucion i dijes. Gjëja e parë me të cilën përballesh në derë të universitetit është administrata. Posa hyn brenda sheh katër gra të moshuara të cilat nuk do habitesha nëse që moti kanë dalë në pension. Atë ditë si të shumtën herë të tjera i gjeta duke bërë muhabete grash e duke pi kafe, ndërsa nga larg dëgjohej zëri i serialit turk “Savash”. Dal nga aty për të vazhduar të gjej dikë më kompetent i cili do të më ndihmonte për të marrë një certifikatë notash. Në katin e dytë shoh referentin që ia kishte kris muhabetit me një vajzë, e që detyrimisht u imponova ta dëgjoj bisedën e tij tek i propozonte për të dalë në takim, biseda zhvillohej me telefon të universitetit dhe zgjati pothuajse gjysmë ore. Vazhdoj rrugën në zyre të një profesori i cili nuk ishte në vendin e punës, përkundër orarit të konsultimeve që kishte vënë te dera e që rrallë herë e zbaton. Dëshpëruese! Nga gjithë ky zhgënjim vazhdoj rrugën te dekani.., te i cili sapo hyra mu drejtua me “Çka?”, ndoshta edhe më kishte ngatërruar me personelin, gjithsesi kjo tregon një formë të mirësjelljes apo jo? Përveç që universiteti ka mungesë të stafit profesional, edhe ata që janë, janë të papërgjegjshëm. Dhe këtu fillon problemi madhor, te mungesa e sensit të përgjegjësisë. Gjatë tri viteve studime në Universitet të Prishtinës, pothuajse secili student duhet t`ia kujtojë profesorit kur ka ligjëratë, provim, apo konsultime. Edhe atëherë kur vijnë gjysma e orës shkon nga arsyetimet e vonesave, pjesën tjetër flet për familjen dhe të arriturat e tij, dhe krejt në fund i qaset temës për të cilën është thirrur ta ligjërojë. Normalisht e gjithë ligjërata zhvillohet në formë jo-interaktive, pra thjesht të një monologu, e për të cilën studenti duhet gjithsesi të jetë dakord. Për ata profesorë që janë të rregullt e që janë në miniaturë, nëse vendos të shkosh të konsultohesh me ta duhet të kesh aftësi telepatike për të kuptuar se në çfarë humori gjenden, në të kundërtën do të përplasin derën te hunda me arrogancë si “Ec më shpejt se kam punë tjera më të mençura”, “Nuk jam i lirë, dil jashtë” etj., etj.

Punët e administratës, por edhe të vetë profesorëve i kryejnë studentët, e që çmimi i vetëm që po marrin për këto shërbime falas është “lodhja psikike”. Edhe pas 43 viteve të themelimit të universitetit dhe 14 vjet pas luftës, universiteti përballet me të njëjtin problem, “zbatimin e rregullores”. Të kundërtën e kësaj që thash mund ta gjesh në ueb-faqet zyrtare të universitetit, nëse nuk je student i UP-së mund të ndodhë edhe të befasohesh për të mirë, me fotografitë që tregojnë për takimet e mbajtura, marrëveshjet e bashkëpunimit me universitetet e tjera në perëndim, pritjet e shkuarjet protokollare, por që asnjë nuk japin rezultat. Arritjet, fjalët miradije e shpresëdhënëse që na japin në media janë vetëm një farsë tjetër që po e përdorin për t`i hedhur një vello elegante transparencës dhe problematikave ç’njerëzore që përjetojnë studentët ditë për ditë.


Mirëpo, përkundër të pavërtetave digjitale, faktet prapë po ngrejnë kokën lart, po na drejtohen, e ne po i shohim, po ecim nëpër to sikur gjithçka është në rregull. Ka ardhur koha të reagojmë, t’u themi mjaft këtyre parregullsive, korrupsionit, organizimit të dobët institucional, moszbatimit të rregullores bashkëkohore pedagogjike dhe shumë fenomeneve të tjera negative që po lejojmë të na ndodhin para syve tanë, pikërisht sepse ne, studentët, kemi lejuar dhe po lejojmë centralizimin e universitetit, duke ia bërë më të lehtë udhëheqjen strukturave partiake e qeveritare, e që po e arrijnë ta realizojnë me shumë sukses përmes punësimit të të afërmve të tyre “dajë” e “teze”, që përveçse të papërgjegjshëm, janë edhe injorantë në çdo fushë. Duam transparencë në universitet, duam të largohen perdet e vendosura në zyre për të parë qartë gratë e administratës se si po punojnë, duam profesorë që respektojnë oraret, duam cilësi, literaturë adekuate, mbi të gjitha duam thjeshtë njerëz të përgjegjshëm në universitet.

Duam universitet serioz, jo çajtore e kafehane. Mjaft jemi lodhur duke dëgjuar retorika “në të mirë të studentëve”, kjo retorikë dalëngadalë po shndërrohet në një dramë në të cilën personazhet pozitive po “vdesin” në fund, disa prej të cilëve po vrasin vetën, të tjerët i vrasin dhe gjysma tjetër po rrokulliset diku rrugëve të diturisë dhe po përfundojnë në humnerë.