LAJMI I FUNDIT:

Kanceri i gjirit, vrasësi “sekret”

Kanceri i gjirit, vrasësi “sekret”

Populli shpesh kancerin në përgjithësi e quan ‘sëmundja e keqe’, ‘e brèmja’ ose me më pak të drejtë ‘dergja pa ilaç’. Duhet ditur se nga kanceri vuajnë dhe ngordhin edhe shtazët, por ka sëmundje të tilla edhe për botën bimore.

Ass.dr.sci Shqiptar Demaçi
kirurg torakal
tel: 044 307 585

Kanceri i gjirit është sëmundja më e shpeshtë prej sëmundjeve kanceroze te gratë. Njëkohësisht është shkaktari më i shpeshtë i vdekjes te gratë e moshës 45-55 vjeç.


Shenjat dhe simptomat më të shpeshta të kancerit të gjirit

• Gandrra ose kokrra (masa) që preket – tumori, që nuk dhemb zakonisht, është shenja më e shpeshtë te kanceri i gjirit.
• Nëse nga maja e gjirit (thithit) rrjedh sekret me ngjyrë të kuqe si gjaku, vet gjaku apo lëng ngjyrë ndryshku, është shenjë tjetër dyshuese për kancer të gjirit.
• Tërheqja (retraksioni) e majës – thithit, tërheqja e vet lëkurës së gjirit – gropëzimi ose rrudhosja e lëkurës në regjionin e forcimit të gjirit është shenjë tjetër.
• Ënjtja dhe skuqja difuze e lëkurës në formë të lëkurës së portokallit është shenjë e fortë dyshuese për kancer të përparuar të gjirit (mastitis carcinomatosa).
• Më pak e shpeshtë është rritja e nodeve (gandrrave) limfatike në sqetullën e anës së sëmurë të gjirit (limfadenopatia).
• Shenjë më e rrallë është maja e gjirit me gërryerje – erozion ose në formë majasili – ndryshime ekcematoide, që jorrallë fshehin nën to ndryshime kanceroze të gjirit.

Plani i mirë për zbulimin e tumoreve të gjirit me kohë:

1. Mamogramet (rëntgeni sistematik i gjinjve)
2. Ekzaminimi klinik sistematik i gjinjve (te specialisti i kësaj lëmie – onkologu, kirurgu, radiologu, së paku një herë në vit);
3. Vetëdijesimi personal (vet-ekzaminimi mujor i gjinjve: një javë para ose një javë pas fillimit të menstruacioneve, që fillon që nga mosha 20 vjeçare e femrës);

Diagnostikimi ultrasonografik dhe radiologjik

Ultratingulli (Ultrazëri) shërben që të diferencohen ndryshimet cistike nga ndryshimet solide-të forta. Veçanërisht është i përshtatshëm për shikimin e formacioneve tumoroze në moshat e reja (aty ku indi gjëndëror është më i zhvilluar) si dhe për zbulimin tumoreve që nuk mund të hetohen me prekje.

Ultratingulli është i padëmshëm si teknikë imazherike, por nuk duhet tepruar me asnjë ekzaminim mjekësor. Së bashku më mamografinë e shton saktësinë e gjetjes së tumoreve deri në 97%.

Mamografia (rëntgeni i gjirit) është imazheri standarde e mirë për zbulimin e kancerit të hershëm. Veçanërisht e mirë për shoshitjen (screening-un) e moshave mbi 35 vjeçare. Mamografia mund të sigurojë zbulimin dy vjet më herët se që e heton prekja – palpacioni i gjirit.

Pacienti me masë të dukshme dhe të dyshimtë, duhet t’i nënshtrohet interventit kirurgjik – biopsisë përkundër pamjeve mamografike. Mamografia kurrë nuk është zëvendësuese për biopsinë, sepse nganjëherë me të nuk mund të dihet saktësisht natyra e tumorit.

Teknika më të sakta, por edhe më të shtrenjta janë tomografia e kompjuterizuar (CT-ja) dhe RMI (rezonanca magnetike);

Diagnostikimi kirurgjik:

a) FNA – punksioni me gjilpërë të hollë për marrjen e qelizave;
b) CNB- biopsia me gjilpërë të trashë në “allti”, për marrjen e copave indore;
c) biopsia incizionale (marrje e copës nga tumori) dhe
ç ) biopsia ekscizionale (heqja e tërë tumorit).

Cilët janë tipet e tumoreve të mirë dhe të këqij të gjirit?

Tumoret beninjë (të mirë) të gjirit janë:

• Papilloma (Ductal breast papilloma) nga epiteli i kanaleve të qumështit- duhet operuar dhe vërtetuar dg. histologjike dhe duhet të përcillen pacientet me vizita të herëpashershme.
• Lipoma – ind dhjamor
• Hamartoma;
• Cistet e thjeshta
• Cystoscarcoma -tumori fillod duhet operuar dhe përcjellë. Recidivon (përsëritet) shpesh
• Fibroadenoma- formohet nga indi gjëndëror. Paraqitet te femrat e reja kryesisht nuk kalon në kancer, por duhet te hiqen me operacion dhe të përcillen përsëritjet e mundshme;

Kanceri i gjirit (tumoret epiteliale): Kanceri duktal in situ (0.4%), Kanceri lobular in situ (0.4 %), Kanceri duktal invaziv (67%), Kanceri lobular invaziv (10 – 15 %), Format e përziera 10-15%

Tipet e kancerit epitelial të gjirit. Tumorët mezenkimalë malinjë (të indit dhjamor, lidhor, enëve të gjakut, limfatik, kërcor, eshtëror janë): Fibrosarkoma, Liposarcoma, Cystosarcoma phyllodes maligan, Lymphosarcoma, Angiosarcoma, Osteosarcoma, Chondrosarcoma.

Format e trajtimit të kancerit të gjirit janë: Kirurgjia, Kimioterapia, Radioterapia, Hormonoterapia, Imunoterapia.

Kirurgjia është forma themelore e trajtimit të kancerit të gjirit. Konsiston në heqje të tumorit me pa ind përreth e që njihet si – tumorektomi (lumpectomy). Nëse hiqet një pjesë e gjirit së bashku me tumorin quhet kuadrantektomi apo më shpesh quhet mastektomi parciale.

Kur hiqet i tërë gjiri pa heqje të nodeve limfatike të sqetullës ky operacion quhet mastektomi e thjeshtë ose mastektomia simpleks. Më shpesh kryhet operacioni i heqjes së tërë gjirit ose mastektomia radikale e modifikuar që konsiston në heqje të tërë gjirit si dhe pastrimin e sqetullës nga nodet limfatike të saj.

‘Sentinel node biopy’ është formë e re e trajtimit kirurgjik të sqetullës (aksillës) që si qëllim ka hetimin e nodeve të para (nodet roje – ‘sentinel’) limfatike afër tumorit të gjirit, të cilat pas heqjes së tyre analizohen nga patologu dhe sipas rezultatit zbatohet heqja e tërë nodeve limfatike nga sqetulla e gjirit të sëmurë (nëse gjenden metastaza në këto node), ose në të kundërtën nuk ka nevojë të pastrohet ajo sqetull, dhe kështu kursehet krahu nga edemet e dhimbshme paskirurgjike.

Kimioterapia, është terapi sistemike që zbatohet me barna citostatikë. Qëllimi është të riedukohet rreziku i paraqitjes së serishme të kancerit të gjirit (recidivit) si dhe të zvogëlimit të vdekshmërisë nga kanceri i gjirit. Kimioterapia zbatohet në mënyrën neoadiuvante (para se të bëhet kirurgjia) dhe në formën adiuvante ( pas kryerjes së operacionit kirurgjik). Barnat janë në format ampulare-infuzione si dhe ka forma farmaceutike në tableta.

Për kimioterapi zakonisht jepen disa barna-infuzione (zakonisht tri barna) të kombinuara që quhen protokole, në mënyrë ciklike, zakonisht 6 cikle (1 cikël në muaj). Ato natyrisht që përpos efekteve të ‘goditjes – vrasjes‘ së qelizave kanceroze në organizëm, ato japin edhe efekte anësore, si: të përziera (tugë), vjellje, rritje të numrit të rruazave të bardha (leukociteve), zvogëlim të imunitetit, rënie të flokëve, etj. Mirëpo, zakonisht pacientët e përballojnë mirë këtë terapi dhe pastaj u rritet imuniteti si dhe, natyrisht, sërish u dalin flokët. Protokollet emërohen me shkurtesa, si: CMF, FAC, FEC, AC60, AC60 + Taxol, etj.

Radioterapia e zvogëlon rrezikun e përsëritjes së sëmundjes (recidivimit) në pjesët e ngelura të gjirit ose në nodet limfatike. Zbatohet, pra për qëllime shërimi – zakonisht pas kirurgjisë kursyese të gjirit (kur nuk hiqet i tërë gjiri) ose pas mastektomisë. Rrezatohen vetëm pjesë të caktuara.

Radioterapia zbatohet çdo ditë (pesë ditë në javë me pushim gjatë vikendit) gjatë 3 javësh ose metoda tjetër është zbatimi çdo të dytën ditë brenda 5 javësh. Një trajtim (fraksion i rrezatimit) zgjat disa minuta dhe nuk jep çrregullime gjatë procedurës.

Hormonoterapia, konsiston në zbatimin e agjensëve antihormonalë, të cilët zënë vendet e veprimit të hormoneve si estrogjeneve apo progesteronit. Më të njohurit janë Tamoxifeni- bllokator të receptorëve të estrogjenit dhe progesteronit në gjirin e ngelur, Letrozoli (Femara tab), zakonisht te gratë në postmenopauzë dhe te format e hershme të kancerit të gjirit. Te format e avancuara dhe me metastaza në organet e largëta përdoren Arimidex, Zometa tabl etj.

Një agjens tjetër biologjik si monoterapi ose në kombinim që përdoret është Herceptina (trastuzumabi) te rastet me mbishprehje (overexpression) të receptorëve për antitrupat monoklonalë. Mendohet se ky agjens e shton prognozën (mbijetesën) te format me Her2 mbishprehje.

Trajtimi i kancerit të gjirit, pra, është zinxhir i cili kërkon bashkëpunim të ngushtë të onkologut, radiologut, kirurgut, patologut, kimioterapeutit, radioterapeutit, psikologut, ekspertëve për trajtimin e dhembjes te format metastatike, e që kërkon angazhim të tërë shoqërisë shpirtërisht dhe materialisht.

Kosovën e presin detyra shumë të mëdha dhe sfida enorme për zgjidhjen e kësaj problematike të ndjeshme shëndetësore për popullatën. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori