LAJMI I FUNDIT:

Kara-Ziu

Kara-Ziu

Duke menduar për origjinën e fjalës zi, Ziu kishte kuptuar se në gjuhën selxhuke, shumë emra fillojnë me fjalën kara. Ndoshta do ishte më mirë që ta thërrisnin Karazi. Ditë me vonë kuptoi se fjala kara ka kuptimin i zi. Si Zi, si Kara, paskan një kuptim, tha vet me veti. I dukej sikur emri selxhuk, KARA, po tingëllon më madhështor, më i fuqishëm. Nisi ta paramendojë edhe emra të tjerë, që fillojnë me këtë fjalë si:

Karali, Karaxhoz, Karabash, Krapidik, Karakash, Karaxhë, Karanuz, Karaxhorxh… Njerëzit do të mendojnë se jam i madh i fuqishëm, dhe do të frikohen nga unë, i thoshte veti Ziu. Emri Zi, filloi t’i dukej i vogël e i parëndësishëm, ndërsa emri Kara po i rritej para syve. Po sikur t’i bashkoje të dyja këto fjalë do të më thërrisnin Karazi. I dukej sikur fjala Kara ia mbulonte plotësisht emrin Zi që kishte. Nisi ta pëlqeje ketë emër dhe iu kujtua, Karaxha i Zezës, të zezat e të cilit i mban mend i gjithë fshati.


Ziu është vetvetja, vetëm kur mendon zi. Ai kurdisë vetëm plane të zeza edhe kur ha bukë. Bile edhe kur fle, sheh ëndrra të zeza, krejt të zeza. Mendon njëqind të zeza për zijoshët e fshatit. Ziu është autor i shumë të zezave që kanë nxirë Zezën. Shumë konflikte të zeza kishte përjetuar Zeza nga mendja dhe dora e Ziut, apo Karaziut, siç ka dëshirë ta thërrasin.

Shumë zijosh janë larguar nga Zeza nëpër vende të ndryshme të botës, por ka edhe të tillë si Ziu, që kanë ikur nga fshati në qytet. Edhe ata zijosh që nuk janë shpërngulur prej aty, përditë flasin zi për Zezën dhe mendojnë ikjen nga fshati. Rrugët, që tashmë janë asfaltuar, jo që penguan largimin, por e ndihmuan ikjen më të shpejtë të banorëve nga Zeza. Nuk e pengoi largimin e zijoshëve as shkolla e re që u ndërtua dhe që nuk hapi asnjë herë dyert për fëmijët e këtushëm. Ndërtesa e re e shkollës midis fshatit nuk i bie në sy askujt, sikur të mos ekzistonte fare. Bile ajo nuk u shfrytëzua për asgjë nga fshatarët, megjithëse do mund të vendosej aty ndonjë familje e pastrehë e zijoshëve.

Iu kujtua Karaziut, se si iu bë mendja top dhe vendosi të largohet nga fshati pa shitur asgjë. Vendosi të lë mbrapa arat, shtëpinë, ahurin e kalin e zi, me të cilin kryente shumë punë. Iu kujtua se si, me kalin zekan, pat vjedhur shumë herë. Ziut i pëlqen të numërojë të zezat e veta, ato i duken kryevepra dhe i shumëzohen pas çdo mendimi. Shikonte malin për rreth shtëpisë të cilin e kishte ruajtur me xhelozi, dhe asnjëherë nuk kishte gjetur forcë për të prerë dru aty, as në acarin më të madh. Për ngrohje, gjithmonë kishte vjedhur dru në pyllin e afërm, të cilin e quante të shtetit. Tash kur e shikonte malin e vetë, i dukej sikur po ua lente dhuratë zijoshëve të tjerë që ta prenin. Po të kishte fuqi do ta merrte me veti malin me gjithë tokë. Po mali nuk lëvizte prej aty. As pemët e shumta përçak shtëpisë nuk i bëjnë përshtypje. Ziu kur flet, duket sikur nuk njeh ngjyrë tjetër, pos të zezës. Në Zezë vazhdojnë të ndodhin të zeza të reja, më të zeza se ato që janë parë e dëgjuar më herët.

Ajeti, një plak i urtë dhe me tipare të dallueshme të njeriut të civilizuar, është i vetmi zijosh i Zezës që nuk ka rënë akoma në bela, megjithëse ka shtatë dekada jete. Ai, nuk e heq belanë nga mendja as në gjumë. E ka mërzi të flas për fshatin e tij, aq më pak për origjinën e emrit të zi që ka. Ai di në gishta pse fshati ka varreza të ndara gati për çdo familje. Është unikat ky fshat dhe askush nuk shpjegon dot pse edhe të vdekurit nuk i varrosin pranë njëri tjetrit, në varreza. Madje ka ndodhur që shumë individ janë varrosur në ara të veta për të shmangur afërsinë me fqinjin edhe në varr. Zijoshët janë inatzi derisa të vdesin. Një zijosh lë amanet ta varrosin në shteg të lamës, në arë apo afër mullirit, por jo ndër varret e mëhallës. Të gjithë e mbajnë mend kur vdiq Meli. Gati sa nuk plasi belaja fare. Ai kishte lënë amanet të varrosej në lëndinën e vogël mes dy lagjeve të fshatit Zezë. Kur njerëzit përgatiteshin për të hapur varrin, reaguan fqinjët e lagjes tjetër dhe i ndoqën me kërcënime armësh varrtarët e Melit.

Meli i vdekur, ende i pa varrosur, me amanetin e tij synonte të marr me veti në varr dikën nga të gjallët. U rropaten gjithë ditën të afërmit e Melit, por gjasat për të hapur varrin atje mes dy mëhallëve ishin tretur. Nuk kishte Meli asnjë qellim tjetër këtu, pos që me varrin e vet të uzurponte lëndinën mes dy mëhallësh, ku luanin fëmijët. Këso amanetesh janë dëgjuar jo një herë në fshatin Zezë. Dikur, në mbrëmje, Melin e varrosen mes disa shkurreve të shkemzës. E pamja kaloi si mos më zi. Pak kush kishte ndonjë fjalë të thoshte për vdekjen e Melit. Për problemet që shumoheshin përditë, nuk bisedonte askush.

Në katundin Zezë, nuk gjen dy shtëpi të ndërtuara afër njëra tjetrës. Shtëpitë e shkapërderdhura nuk i numëron dot njeri. Njeriut mund t’i shkoi mendja se si është e mundur që këta fshatar, shumica e të cilëve janë të një gjaku dhe fisi, nuk duan të kenë as varr afër njëri-tjetrit, e lëre më shtëpi ku jetohet.

Sa varreza ka fshati nuk di ta thotë askush! Secili nga fshatarët di një numër të caktuar familjesh që kanë varreza të ndara. Ndoshta e di secili, apo ndoshta as nuk ka menduar askush, pse këtu ka aq shumë varreza të ndara. Jo një herë, ka ndodhur që në këtë fshat dikush t’ia bëjë vetës varrin. Jo pak fshatar, para se të vdesin, vetë kanë hapur varrin për vete, dhe kanë përgatitur dërrasat me vite përpara, për të mos pasur nevojë që dikush të merret me këtë punë. Kjo dukuri që sot duket si mit, në Zezë është krejt e zakonshme. Ka ndodhur që dikën ta zhvarrosin familjarët e afërt edhe pas varrimit, dhe ta rivarrosin ndarazi diku më larg varreve të tjera. Kështu, shumë herë, amaneti i zijoshëve plotësohet, vonë pas vdekjes. Të flasësh për varrezat e fshatit konsiderohet mëkat. Kjo është punë që nuk shpjegohet, thotë Ajeti.

Ai nuk dëshiron t’ ia nxijë ditën askush me këso pyetjesh. Ai rri vetëm, punon edhe udhëton vetëm. Shumë herë gjatë ditës i dhjetëfishohen rrudhat në fytyrë. Këtu nuk flet bardhë askush. Këtu, zakonisht njerëzit vetëm endin fjalë. Ata që endin fjalë janë më të zezë së vrasësit, thotë Ajeti dhe shton se sa herë i sheh dy veta bashkë, ata flasin zakonisht keq për personin e tretë që nuk është prezent. Posa vjen i treti, këta të dy shtihen sikur nuk kishin folur asgjë për te. Tre zijosh, zakonisht nuk bëhen kurrë bashkë. Sapo vjen i treti, ikën i dyti, ndërsa dyshja e sapoformuar vazhdon bisedën për atë që iku. Askush nuk e flet një fjalë, kur vjen personi për të cilin pak më parë qe folur zi e terr. Thonë se janë shkolluar shumë djem e vajza të këtij fshati, por ata nuk janë parë asnjëherë të kenë bërë asgjë për t’ia ndryshuar rrjedhën e zezë, historisë së fshatit. Të gjithë fshatarët e dinë mirë çdo problem, bile edhe më shumë se kaq. Asnjëri nuk flet kurrë për këtë temë. Ata i sheh së bashku kur vdes dikush, apo në ndonjë dasmë, që këtu nxihet shpesh, por asnjëherë, në asnjë tubim nuk flitet pse fshati ka emrin Zezë.

Përgojimet dhe poshtërimet, këtu janë tema të çdo bisede

Iku qorri! Erdhi sakati! Shkoi shurdhani! Këto fjali janë të parat në çdo bisedë. Edhe pak vjen ai qeli. Zhelani del vetëm kur është ftoftë për t’iu shmangur poshtërimit të zijoshëve. Ky zgjebaroshi ka lindur me zgjebe. Nuk ka zijosh që nuk ka një nofkë. Cilindo zeshkan e quajnë harap. Tjetrit me sy të kaltër i thonë rus. Të sëmurët e rastit nuk kanë pse të dalin në rrugë. Shkoi ai qurrani që kollitet si qen. Kështu, tallen zijoshët përherë kur shohin njëri tjetrin. Ata të Karaxhës janë krejt familja veremana. Dhe hajt bir, gjithmonë secili merret me dertet e tjetrit! Fshatarët e Zezës janë kreativ për etiketime të zeza. Po ky fshat ka përgojuar çdo njeri që sheh këtu. Një invalid nuk mund të dali i lirë para dere, nga përgojimet dhe poshtërimi. Mund të dëgjoje njeriu se si dikush kishte parë atë topallin duke shkuar në qytet dhe tema është e gatshme.

Tallen edhe me rrobat e njëri tjetrit. Ka ndodhë që dyqanxhiu të hedh këpucët e tij jashtë hanit, kur ia ka parë Limanit këpucët e reja që kishte blerë pasi qe martuar disa ditë më herët. Veshjet ia përqeshin njëri tjetrit, megjithëse ata kanë rroba krejt të zeza.

Shumica bartin shamia të zeza, me të cilat zakonisht mbulojnë plisin.

Fshati Zezë ka edhe punëtor e mjeshtër. Ata nuk marrin lavde për punën që bëjnë, përkundrazi, i përqeshin me përbuzje. Është bërë asht e lëkurë, duke punuar, thonë për Danushin. Duart iu kanë bërë si lëvore qarri. Kahrimanin e sheh kudo të vetmuar. Thonë se ai është i shkolluar dhe nuk përgojon askënd. Ai zien brenda vetës dhe duket sikur thurë plane për ndonjë temë të madhe. Po ai, një ditë shiti arat për të shkolluar fëmijët në qytet. Atë nuk e ka parë njeri se është përpjekur të pajtojë dikën. Edhe vet Kahrimani ka pasur bela brenda familjes. Ai është orator i madh, por nuk e ka dëgjuar dikush të ketë folur ndonjëherë . Nuk dihet që dikush është përpjekur të pajtojë ndonjëherë të hasmuarit. Pajtimi i fshatarëve nuk bëhet temë asnjëherë, megjithëse gjendja është krejt e zezë. Mund t’i dëgjojë njeriu, banorët e fshatit Zezë, se si krekosen për atdhetari, megjithëse ata ia kanë marrë jetën njeri tjetrit më shumë se cilado luftë që është zhvilluar këndej. Zeza ka më shumë varre të të vrarëve mes veti se sa nga vdekja e natyrshme dhe lufta.

Asnjëri nuk flet për vendosjen e kolonëve serb në fshat. Ziu nxihet i tëri kur mendon ardhjen dhe vendosjen e kolonëve në Zezë. Zijoshët harruan shpejt se si kolonët ua morën arat, malet e kullosat deri në derë të shtëpisë, megjithëse ato janë të shkapërderdhura, larg njëra tjetrës. Madje, jo shumë kohë më vonë, ndaj kolonëve silleshin më mirë se sa mes veti. Filluan të lidhin edhe kumbari e të festonin së bashku me kolon.

Edhe gjatë luftërave, kolonët, jo që nuk u përzunë nga fshati , por gjetën strehë dhe mbrojtje nëpër shtëpitë dhe familjet e zijoshëve. Kolonët serb, për disa vjet morën emra mysliman, sikur zezoshët vendas. Megjithëse numri i kolonëve në fshat, kishte tejkaluar numrin e vendasve, vëllavrasjet mes zijoshëve, u shtuan. Për këtë mortajë shfarosëse nuk bisedohej kurrë.

Nuk është zor të zbulohet pse ky fshat quhet Zezë. Aty vëllavrasja nuk ka pushuar asnjëherë. Zeza është fshat i zi dhe aty shumica e etërve, nënave, nuseve, grave, motrave e vëllezërve, gjithë jetën e kanë kaluar të veshur me të zeza.

Po fshati ka të zeza aq shumë dhe prej tyre mori edhe emrin Zezë, thotë rapsodi i njohur nga fshati fqinjë. Ai di shumë këngë të moçme dhe tallet me zijoshët, sa herë që flitet për origjinën e emrit të fshatit Zezë. Katundi juaj e ka emrin Zezë, sepse nuk keni lënë të zezë pa bërë. Edhe toka ka hata, ngado që kaloni ju. Nuk ka njëri që mund të shkruaj në letër të zezat e juaja, shton rapsodi duke qeshur me zë të lartë.