LAJMI I FUNDIT:

Kartolina unike nga Vlora Rexhepi

Kartolina unike nga Vlora Rexhepi

Kartolinat e veçanta të dizajnuara dhe të krijuara me dorë nga Vlora Rexhepi – Berisha, tash mund të porositen edhe nga qytetarët e interesuar përmes faqes sociale “Facebook”.

Pasi për vite me radhë kishte punuar kartolina dore shumë të veçanta për të afërmit e saj, e më pas edhe për shoqërinë më të gjerë, Vlora ka vendosur që krijimet e saj t’i nxjerrë në shitje edhe për të tjerët të interesuar.

“Duke e parë pëlqimin dhe kërkesën nga familjarët dhe shoqëria ime për t’u punuar kartolina, atëherë vendosa të hap një faqe në rrjetin social ‘Facebook’, me emrin ‘Vrb Kartolina’”, ka thënë ajo gjatë një prononcimi për Koha Ditore.


Vlora thotë se për krijimet e saj ajo përdor materiale të ndryshme, si penj, tekstil, pulla dhe të tjera, ndërsa gjithmonë kujdeset që në produktet e saj të ketë edhe mbishkrimin “Made in Kosova”.

“E kam shkruar ‘Made in Kosova’ jo vetëm pse bëhen në Kosovë, por edhe për faktin se mendoj që këto kartolina të shpërndahen edhe jashtë vendit, meqë përveç në gjuhën shqipe jam duke punuar kartolina edhe në gjuhën angleze”, ka shtuar ajo për të përditshmen kosovare.

Kartolinat e veçanta po për raste të veçanta, qofshin ditëlindje, martesa, lindje të foshnjave apo raste të tjera gëzimi, mund të bëhen edhe në bazë të kërkesave të klientëve, qoftë për ngjyrë të veçantë, apo ndonjë tekstil ose detaj tjetër.

Vlora Rexhepi-Berisha po ashtu ka thënë se synon që shumë shpejt ta zgjerojë veprimtarinë edhe jashtë “Facebook”-ut.

“Pasi që është fillimi i këtij biznesi të vogël, shpërndarjen e bëj me marrëveshje me blerësin, kryesisht përmes Facebookut. Besoj se shumë shpejt do të hap dyqanin ku do të shiten këto kartolina”, ka thënë ajo. /Telegrafi/