LAJMI I FUNDIT:

Këlcyrajt, shtatë shekuj sundimtarë – të bukur, të gjatë e të rreptë: Paraardhësi i ballistit Ali Këlcyra e tradhtoi gruan nga Kosova, u burgos përjetë nga familja!

Këlcyrajt, shtatë shekuj sundimtarë – të bukur, të gjatë e të rreptë: Paraardhësi i ballistit Ali Këlcyra e tradhtoi gruan nga Kosova, u burgos përjetë nga familja!

Në 23 shkurt 1945, i ikur nga Shqipëria dhe në bregun e përtejmë italian i izoluar për verifikim në një kamp paraprak grumbullimi për të gjithë refugjatët e luftës që vinin nga Ballkani, Ali Këlcyra u mor në pyetje prej një oficeri të shërbimit të fshehtë britanik.

Ai i kërkoi t’i jepte një raport me shkrim për veprimtarinë e tij politike. Në të Ali Këlcyra ka shkruar: “Në dhjetor të vitit 1924, pothuaj 1200 intelektualë e nacionalistë shqiptarë ikën në ekzil, në shenjë proteste ndaj botës dhe vendeve fqinje, në veçanti Jugosllavisë, për ardhjen në pushtet të Zogut. Pasi arritëm me shumë vështirësi në Brindisi, u mblodhën liderët kryesorë të këtyre emigrantëve për të vendosur mbi politikën që do të ndiqej dhe opinionet e tyre u ndanë në dy kategori: Të parët ishin ekstremistët, të cilët rekomanduan që shpëtimi i vetëm i Shqipërisë duhet të vijë nga një bashkëpunim me të gjitha organizatat e fshehta të Bashkimit Sovjetik, i cili ishte fuqia e vetme e botës që mbronte popujt e vegjël. Të dytët ishin të moderuarit, të cilët pavarësisht se e njihnin mjaft mirë gravitetin e situatës në një vend të vogël si Shqipëria, si dhe penetrimin që kishin vendet fqinje në të, thanë se nuk ka asnjë avantazh që emigrantët shqiptarë të vihen në shërbim të Kominternit.


Komiteti Qendror i grupit të ekstremistëve zgjodhi Vjenën si vendin e tyre për t’u vendosur dhe morën emrin si KONARE (Komiteti Nacional Revolucionar).

Grupi i të moderuarve patën një organizatë tjetër që u njoh me emrin Bashkimi Kombëtar. Të gjitha personalitetet politike morën pjesë në këtë organizatë, duke përfshirë edhe ish-zyrtarë të lartë civilë, ish-deputetë dhe ish-ministra. Komiteti Qendror u përbë nga katër persona: Sotir Peci ish-regjent, Xhemal Bushati ish-ministër, Angjelin Suma ish-drejtor i Përgjithshëm dhe Ali Këlcyra ish-deputet.

“Organizata jonë deri në vitin 1926 ka qëndruar në Bari. Në përgatitjen e programit tonë, delegati ynë në Zvicër, ish-regjenti dr. Turtulli u paraqiti një memorandum në vitin 1925 Ligës së Kombeve, si dhe përfaqësuesve të të gjitha fuqive të mëdha. Në këtë memorandum ai theksoi me fakte të pakundërshtueshme se akuzat e fqinjëve tanë, në veçanti Beogradit, kundër patriotëve shqiptarë, ishin krejtësisht të pabaza, si dhe vendosjen në pushtet të Zogut e cilësoi si kundër vullnetit kombëtar, i cili herët a vonë do të linte hapur derën për ndërhyrje nga jashtë, çka po ashtu herët a vonë do të dëmtonte seriozisht paqen në Ballkan”.

Më pas, ndërsa thekson se ata refuzuan të ishin pjesë e të quajturit Traktat i Tiranës mes Benito Musolinit dhe Ahmet Zogut, Ali Këlcyra vijon: “U trajtuam pak a shumë si robër lufte. Duke qenë se ishim nën vëzhgim gjithë kohës nga karabinierët, u detyruam që në prill të vitit 1927 të largohemi nga Italia”.

Dy paragrafë më tej në raportin e Këlcyrës për oficerin e zbulimit britanik thuhet: “Pasi e lamë Italinë, komiteti ynë u vendos në Vjenë, ku një gazetë kombëtare e quajti si “Bashkimi Kombëtar”, e botuar në frëngjisht, gjermanisht dhe shqip. Pas tentativës për vrasjen e Zogut që u bë nga disa prej shokëve tanë në shkurt të vitit 1931, Komiteti u detyrua që të zhvendosej në Paris, kur unë ndodhesha atje prej afër një viti pas largimit që na u bë nga Austria (1930) me insistimin e Legatës italiane”.

Afro pesëmbëdhjetë breza të familjes Këlcyra të Shqipërisë së Jugut kanë lindur e kanë vdekur brenda mureve të një kështjelle, fuqisë, epërsisë dhe autoritetit të saj. Ajo u ka lënë gjurmë të thella në identitet, në mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit, në vetë psikën e tyre.

Sipas Eqerem bej Vlorës dhe librit të tij “Kujtime 1885-1925”: “Në rrethet e bejlerëve shqiptarë Këlcyrajt njiheshin për qeverisjen despotike në pronat e tyre. Burra të pashëm e me dukë madhështore, si të kalorësve të moçëm, aq sa në vitin 1839, njëri prej tyre, Islam beu (i martuar me Aishe hanëm Vlorën) i shpëtoi vdekjes pikërisht falë këtyre vetive. Reshit pasha (vezir i madh dhe sarasqer) vendosi t’i heqë qafe bejlerët e pabindur të Shqipërisë. I ftoi atëherë në Manastir, për të marrë pjesë në një paradë ushtarake dhe atje i vrau. Vetëm Islam beu mundi të shpëtonte, sepse Reshit Pashës i erdhi keq ta prishte atë bukuri: kaq i pashëm dhe madhështor ishte ai”.

Por, Këlcyrajt nuk ishin vetëm të pashëm nga trupi, ata ishin edhe shpatarë trima. Po ai Islam bej, që siç dihej nga të gjithë, pamja e jashtme i kishte shpëtuar jetën, në rini të tij, kur ishte 13 vjeç, u tregua edhe luftëtar i shkëlqyer. Në vitin 1811, Ali Pashë Tepelena, për arsye se kjo familje nuk kish pranuar t’i nënshtrohej, e kishte internuar në Artë, edhe pse mbesa e tij e dashur, Hejbetullaja, ishte asokohe zonjë në kështjellën e Këlcyrajve.

Në vitin 1821, kur Ali pasha u vra në Janinë, anëtarët e familjes Këlcyra u kthyen në pronat e tyre. Kështjella ku kishin banuar prej shekujsh (rrënojat janë edhe sot e kësaj dite) nuk ishte më e banueshme. Për dhjetë vjet rresht aty kishte qëndruar garnizoni ushtarak i Ali pashës, që e kishte lënë në gjendje të mjerueshme. Atëherë fëmijët së bashku dhe me nënën e tyre, vendosën të ndërtojnë një kështjellë të re, në një terracë mali, dyqind metra më poshtë dhe pikërisht përballë fshatit Këlcyrë-Katundishtë.

Një ditë, ishte Ramazan, java e Kadrit, Hejbetulla hanëmi, siç ishte zakoni, u nis për në varreza për të përkujtuar të vdekurit. Por, ndërsa kalonin nëpër fshat, ata u rrethuan nga një turmë e madhe njerëzish të acaruar, të cilët protestonin ndaj ndërtimit të kështjellës, por me sa dukej nuk donin edhe ta njihnin më pushtetin e kësaj familjeje. Britmat dhe sharjet në adresë të Hejbetulla hanëmit u bënë të padurueshme. Një fyerje e padëgjuar! Atëherë ajo i kthehet dhe i thërret djalit të saj të mitur: “Harram të qoftë qumështi që ke pirë nga gjiri im, po të mos e mbrosh dhe ta vësh në vend nderin tim nga këta plehra”. Islam beu nxjerr atëherë jataganin dhe bashkë me ata pak shërbëtorë të shtëpisë që kishte me vete, u vërsul kundër fshatarëve. 12 prej tyre u vranë, të tjerët ranë në gjunjë dhe pranuan të nënshtrohen. Që nga kjo ditë familja sundoi përsëri e plotfuqishme në krahinën e Këlcyrës.

Kur këtë episod të fundit, vrasjen me teh shpate e fshatarëve kryengritës, në një ditë të prillit 2014 ma tregoi vetë Hana, mbresat e mia qenë më të forta se ai përshkrim shumë shprehës i Eqerem bej Vlorës. Në historinë e familjes së saj këtë ngjarje Hana Klissura nuk e quante si gjest për t’u nderuar, përkundrazi, e ndjente si të papranueshëm.

Mundet që këtë opinion ta kishte të sajin, sepse pati lindur, qe rritur dhe po jetonte në Perëndim. Nuk i bëjmë dot asnjë kufizim hamendjes që ky gjykim të ketë ardhur edhe prej vetë Ali Këlcyrës, me të cilin pa dyshim ka qenë dakord edhe vrionasja beratase Avdije, zonja e shtëpisë.

Në atë rrëfim të saj për këtë ngjarje tronditëse, sigurisht edhe mjaft brutale (therje njerëzish të thjeshtë), Hana Klissura ka bërë edhe disa plotësime. Sipas saj të vrarët prej Islam beut dhe shërbëtorëve të familjes qenë vetëm shtatë dhe jo dyfishi i tyre; fshatarët protestues i dolën përpara Hejbetulla hanëmit jo me armë, por me sfurqe; këta nuk e lejuan të shkonte në varreza, ndërsa i thanë në sy “Nuk të duam”.

Duke qenë se për një dekadë të tërë, arsyetoi Hana gjatë asaj bisede, në atë vend sundoi Ali pashë Tepelena (daja i Hejbetullasë), nga mungesa e sundimtarit të tyre lokal këlcyriotët qenë mësuar me liri. Tashmë të rikthyer, të shumëfuqishmit e dikurshëm përfaqësoheshin vetëm nga një grua, të cilën mund ta përmbanin të qe më e butë se pararendësit.

Ndërkohë që zhvillohej kjo skenë e dy shekujve më parë, Aliut të Tepelenës i qe prerë koka dhe ishte dërguar në Stamboll për t’u vënë në Kamaren e Turpit. Pra, përveç beut këlcyriot, mungonte edhe ky i fundit. Me pak fjalë qe një moment boshllëku të pushtetit nga lart.

Hejbetullaja, sipas Hana Klissurës, jo vetëm qe e zgjuar, por edhe e zonja në çështje të prerjes së kokës dhe të dhënies së imazhit se ishte “dorë e fortë”. Kur kreu këtë rikthim në autoritet, në sundim, djali i saj trashëgimtar, Islam beu, qe vetëm 14 vjeç dhe me trup shumë të lartë.

Qenë të ashpër nga natyra e tyre njerëzore, u bënë të tillë për të mbarëvajtur pushtetin dhe pasurinë apo në këtë tipar të Këlcyrajve vulën e fundit e dha edhe relievi e kështjella e familjes e ndërtuar në thepat e një mali, kjo është një temë, e cila të tundon ta rrekësh, por do ta anashkalojmë për të mbetur në drejtimet më kryesore të temës që kemi sipërmarrë. E veçanta është se Ali Këlcyra nuk ishte në këtë traditë dore sunduese, por qe krejtësisht e anasjella.

Për këtë njeri të butë dhe të dhimbsur ndaj jetës së të tjerëve do të kemi jo pak raste ta dëshmojmë, por përderisa po qëndrojmë kalimthi në këtë motiv, Hana Klissura na ka pohuar se e jëma shpesh i thoshte “Përse nuk i ngjave babait?” Kjo qe mënyra e sjellshme për t’i vënë vajzës së tyre të vetme, në pamje femër plot me hire, se brenda vetes ishte temperament i ashpër. Me pak fjalë nuk i ngjante as të atit dhe as të jëmës. Ishte karakter dhe kokë më vete.

Në të vërtetë ashpërsia tradicionale e Këlcyrajve ishte tipar i të gjithë krahinës. Siç dihet një cilësi të tillë, përjashto relativisht disa vatra ku qytetërimi latin i Evropës ka shkëmbyer më shumë me shqiptarët (si trevat e Shkodrës, të Korçës, të Beratit dhe tërë Myzeqesë që përfshijnë hapësirën Kavajë-Durrës), nuk është patjetër prirje dhune. Ka pak vrazhdësi, ndoshta.

Gjithsesi nuk është aq fort çështje temperamenti apo natyre të veçantë njerëzore, por edhe asketizëm. Mbi të gjitha moral dhe mënyrë të jetuari. Kjo bindje është edhe arsyeja përse, mbështetur mbi rrëfimet që na ka bërë Hana Klissura, do t’i bëjmë të ditur lexuesit edhe një episod tjetër “ashpërsie”.

I shoqi i Hejbetulla hanëmit, sipas Eqerem bej Vlorës jo mbesa, por vetë vajza e Ali Pashë Tepelenës, quhej Muhamet. Ai pati tre djem dhe dy vajza. Midis bijve, ku qenë Islam beu i pashëm (të cilit ia fali jetën Reshit Pasha) dhe Hysen beu, ishte edhe Ali beu. Në pemën gjenealogjike të hartuar prej Eqerem bej Vlorës, ky i fundit shënohet “pa fëmijë”. Nuk e ka të shkruar as ditëvdekjen.

Pikërisht ky Ali, ndërkohë që jetonte dhe vepronte publikisht edhe Aliu politikan i njohur, është protagonist i një historie që nuk harrohet lehtë në të shkuarën e dinastisë Këlcyra. Megjithëse ata e kanë mbajtur sa më shumë fshehur.

Ky homonim i Ali Këlcyrës, i cili ishte xhaxhai i babait të tij, Xhelalit, qe mjaft i bukur. Edhe pse sipas rregullit të serës së tyre nuse mund të merrte një bejlereshë, ky Ali kërkoi të kishte për grua edhe një vashë pa këtë ofiq, por të qe kosovare.

Ia gjejnë dhe ajo vjen tek sarajet e Këlcyrajve. Ishte një yll. Fytyra e saj lëshonte vetëm dritë dielli dhe buzëqeshje që nuk perëndonin kurrë. Dasma, që u bë e madhe, ishte një haré e vërtetë prej kësaj perie të ardhur nga viset e Kosovës. Mirëpo pas gjashtë muajsh Aliut i ra në kokë dashuria për një nga vajzat që jetonin në kështjellë, në të quajturin harem.

Bëri seks me të Aliu, sigurisht edhe me dëshirë të saj, por ky veprim në traditën e krahinës si edhe të familjes Këlcyra quhej përdhunim. Ngjarja, siç duket e përsëritur, nuk u mbajt dot fshehur, sepse plakat që ishin zonjat e para të haremit, e morën vesh dhe shkuan e ia thanë të gjithë Hysen beut.

Hyseni, i cili, ndërkohë që vëllai i tyre i madh, Islami, pati ndërruar jetë, qe tashmë kryesori i dinastisë. Sapo e mori vesh çfarë pati ndodhur, ai e konsideroi veprimin e Aliut si një njollë të madhe në biografinë e dinastisë së tyre të vjetër shtatë shekuj. Fillimisht ai e thirri të vëllanë dhe ky e pranoi gjestin që kishte bërë tradhëtisht, fshehurazi nga gruaja e tij kosovare. Pranoi se e kishte turpëruar shtëpinë Këlcyra. Pastaj Hysen beu thirri nusen nga Kosova dhe ia tregoi ngjarjen e rëndë. Si edhe vendimin që kishte marrë për të zbutur sadopak këtë turp: ajo do të rikthehej tek prindërit e saj, kurse i shoqi do të mbyllej në një dhomë të kështjellës, deri në fund të jetës.

Pra, Ali bej Këlcyra do të qe një i dënuar “me njëqind” i familjes së tyre, çfarë do të thoshte me dënim të përjetshëm.

Kur nusja nga Kosova e Ali bej Këlcyrës, vëllait të xhaxhait të babait të politikanit të mëpasshëm Ali Këlcyra, dëgjoi për dënimin e tmerrshëm që do t’ia jepte burrit të saj vetë familja, pa e lënë shtetin të ndërhynte në atë çështje të brendshme, i ra në gjunjë me lot në sy kunatit të vet dhe u përpoq ta bindte se atë gabim të rëndë ajo ia kishte falur bashkëshortit. “Vetëm njëherë gaboi, ngashëreu ajo, nuk ka për ta përsëritur”. “Kush e bën një herë e bën edhe për herë të dytë”, shqiptoi prerë Hysen beu. “Shpresoj të jesh e lumtur me një burrë tjetër”, shtoi duke iu shmangur vështrimit të saj tërë dhimbje. “Mblidh plaçkat, i tha pas pak, dhe bëhu gati të nisesh për në Kosovë”.

Ali bej Këlcyra u mbyll që atë ditë në një prej dhomave më të thella të sarajeve-kala, kurse vasha u nis të nesërmen për tek prindërit e saj. E shoqëruan tridhjetë kalorës nga trupat ushtarake të kështjellës.

I burgosuri i familjes, për ekzistencën e të cilit askush nga familja nuk fliste, mori vesh se një ditë të fundmajit 1891 nipi i tij, Xhelali, pati lindur një djalë, të cilit ia kishin vënë emrin Ali.
E kishin shpallur të vdekur.

Aliu i ri u rrit pa e parë kurrë vëllanë e xhaxhait të babait të vet. Nëpër kështjellë herë pas here, me gjysmë zëri dhe duke u druajtur mos i dëgjonin, pjesëtarë të familjes apo shërbëtorë, thoshin se Ali beu, që kishte tradhtuar gruan e tij dhe shkuar fshehurazi me një vajzë të haremit të shtëpisë, pati luajtur mëndsh. Që Aliu i vjetër vitet e fundit të jetës kishte shkalluar, sipas Hanës, ia pati pohuar Eqerem bej Vlorës edhe Aliu i ri.

Gjithsesi, gjatë mbi dyzetë vitet kur u mbajt i burgosur i përjetshëm i familjes së Këlcyrajve, çdo mëngjes, drekë dhe darkë, në dhomën-qeli i dërgohej, mbajtur mbi një tabaka të argjendtë, ushqim shumë i zgjedhur. /Shqiptarja/

Në trend Lajme

Më shumë
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku lirohen nga akuza për krime lufte

Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku lirohen nga akuza për krime lufte

Drejtësi
Babai i Vanjës me ankesë të re para Gjykatës Supreme, kërkon që t’i hiqet masa e paraburgimit

Babai i Vanjës me ankesë të re para Gjykatës Supreme, kërkon që t’i hiqet masa e paraburgimit

Gjyqësi
Sindikata e Re e KEK-ut, ajo e Administratës dhe e Trepçës reagojnë ndaj kryetarit të BSPK-së për disa vendime

Sindikata e Re e KEK-ut, ajo e Administratës dhe e Trepçës reagojnë ndaj kryetarit të BSPK-së për disa vendime

Lajme
Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Lajme
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
Kalo në kategori