LAJMI I FUNDIT:

(Keq)përdorimi i heronjve

(Keq)përdorimi i heronjve
22 Nov 2014, Kosovo --- Nov. 22, 2014 - Prishtina, Kosovo - Kosovo's independent political analyst Fadil Lepaja, sitting next to his home library in Pristina, Kosovo's capital city. Lepaja, is one of most active public figures in political and social opinions and analyst in the country's level, his main field of interest depict the national traditional policy making analysis, as well as international relations. (Credit Image: © Vedat Xhymshiti/ZUMA Wire) --- Image by © Vedat Xhymshiti/ZUMA Press/Corbis

Në cilën parti do të ishte sot, Skënderbeu? Po Adem Jashari, Isë Boletini, Naim Frashëri apo cilido personalitet i lavdishëm i cili ka potencial me sjellë vota dhe i cili/a mund të (keq)përdoret edhe sot në qërim të hesapeve në mes të partive, brenda tyre, apo nëpër fushatat tona (para)politike?

Dikujt edhe mund t’i duket se kjo dilemë nuk ka lidhje me realitetin e sotëm, apo se është e shtruar krejt mbrapsht, por a nuk e shihni se çdoherë që vendi është në krizë, kur klasa politike e ka dhj… sërish, ata – pozitë apo opozitë – fshihen pas patriotizmit, pas legjendave dhe miteve, pra pas heronjve?


Pyetja absurd është kjo: me cilën kauzë do të ishte Gjergj Kastrioti po të ringjallej dhe rikthehej sot midis nesh, duke supozuar se ai do të kishte po ato pikëpamje dhe po atë orientim (gjeo)politik të cilin e kishte asokohe? Me cilën parti apo pas cilit lider do të rreshtohej Gjergji ynë, qoftë si votues, duke dalë vetë te kutitë e votimit si autoritet moral apo duke u angazhuar edhe drejtpërdrejt nëpër parti, natyrisht sikur nënkryetar apo zëvendëskryetar në rastin më të mirë, sepse postin e kryetarit nuk e lëshon asnjëri nga liderët tanë partiakë?! Madje as për Kastriotin!

Dikur Gjergji po arratisej nga kryeqendra e perandorisë më të fuqishme të kohës ku ishte i rrethuar me lavdi dhe me privilegje dhe po kthehej në kështjellën e babait të vet. Vetëm atje, si e tha edhe vetë kur arriti, e gjeti lirinë në mes tyre. Nuk ua solla unë, u tha ai! Kështu foli ai “në konferencën e parë për media” me rastin e ngritjes së flamurit mbi muret e kështjellës, në nëntorin e parë historik.

Pra, pikërisht asaj kështjelle e cila pastaj do të përjetonte dy rrethime të rënda, por edhe të lavdishme, të cilat do të njihen në historinë ende të parishikuar si “rrethimi i parë” dhe “Rrethimi i dytë i Krujës”. Por, lidhur me këto dy rrethime tek do të shohim si do të mbetet puna, kur Kadare dhe Qosja të përfundojnë debatin e tyre për identitetin. Mbase në librat e rishikuara të historisë, do të dalë se Sulltani nuk kishte arritur t’i çlironte ato nga të pafetë. Nuk mund të thuhet nga shqiptarët, se fundja, asokohe ata as që ishin shqiptarë, sepse teoricienët tonë të urtë e kanë lexuar diku se kombet janë krijuar shumë më vonë. Thjesht në një moment të caktuar, më nuk ishin ata që ishin, por u bënë shqiptarë. Pa vazhdimësi. Falë sulltanit. Pra krejt është çështje interpretimi, do të thonë disa. Paramendojeni Skënderbeun, qoftë në Shqipëri, apo në Kosovë, në parti me “vëllezërit” e sotëm politikë të sulltanit të ri nga Anadolli! Do të thirrej në dasmë, bashkë me Edin?

Ku do të ishin sot Ismail Qemali, Adem Jashari, Jusuf Gërvalla, e madje edhe Ibrahim Rugova me emrin e të cilit është manipuluar aq shumë pas vdekjes së tij? A do të kthehej në parti të tij? Ai vdiq atij dimri të ftohtë dhe u përcoll me rreshta të gjatë homazhi dhe me lot të cilët ngriheshin në faqet e atyre që prisnin në rresht në minus 15 gradë për të dhënë lamtumirën e fundit për vizionarin dhe njeriun e urtë i cili pas shumë shekujsh, sakrificash dhe humbjesh të lavdishme, na mësoi se lavdishëm mundet edhe në mënyrë paqësore të jetohet, të punohet dhe të rezistohet, për kauza qytetare e kombëtare. A do të gjente këtë kauzë aty?

Kështu edhe Rugova vdiq, duke lënë pas vetes pasardhës, të lavdishëm gjithsesi, sikurse edhe Adem Jashari, Jusuf Gërvalla etj. Ata vazhdojnë të jetojnë me famën dhe hijen e prindërve. Vazhdojnë të ndiqen nga mediat.

Gjergj Kastrioti, për shembull, e la vetëm një princ, i cili pas dhjetë vitesh rezistence thuhet të jetë strehuar në Napoli të Italisë, ku kishte kërkuar “azil politik” duke dëshmuar se ADN-ja nuk është i mjaftueshëm për të vazhduar misionin e babait të vet apo për të përballuar përgjegjësitë!

A nuk është interesante edhe pyetja se me cilën parti do të ishte Adem Jashari, sot? Me PDK do të klithin të parët militantë, nëpër statuset e tyre në “Facebook”. Adem Jashari do të ishte me ne, do të thoshin në AAK, sepse ai ishte gjeneratë me Ramushin, ku si e dini edhe ju, menjëherë pas Prekazit ndodhi edhe Gllogjani. E patë edhe vetë, se Ramushi nuk mundi…!

“Baci” do të ishte me ne, do të thonë në “Vetëvendosje”, sepse ju e keni lënë në baltë, e keni tradhtuar, sepse Ai nuk ka luftuar që ju të bëheni më kapadai se (para) militarët serbë…! E keni rrejt Bacin, do të thonë! Asgjë nuk është krye… bac!

Po, Jusufi me kë do të ishte? E pra, Jusuf Gërvalla?! Me Donikën apo me Isën? Apo me Vjosën? Po Rugova me kë do të ishte: me Isën, me Ukën apo me…? Me kë do të ishte vetë Isë Boletini, me të dyja revolet e tij në brez? Do të bisedonte Isai me Serbinë apo Edita?

Këto ditë në Dragash, kushedi për çfarë arsye, pikërisht aty, u ngrit bazamenti për përmendoren disa metra të lartë të heroit Adem Jashari? Për kë ngritën përmendoret sot dhe për çka? Për të nderuar dëshmorët apo për të u fshehur pas tyre? Për të promovuar lirinë apo për të kërcënuar të tjerët?

Këto ditë u tërhoq zvarrë vajza e heroit Gërvalla, e cila duke u thirrur në ADN dhe të kaluarën e lavdishme, po pretendonte se askush nuk guxon të e ndalojë të hyjë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK, ku nuk ishte e ftuar. Ajo mendon se njeriu i cili e udhëheq sot LDK nuk ka të drejtë morale t’ia ndalojë hyrjen asaj në mbledhjen e organit më të lartë të LDK-së, sepse në kohën kur u vra babai i saj, Isa ishte në fillim të karrierës së tij politike me komunistët jugosllavë?

Jo shumë kohë më parë, edhe vajza e Adem Jasharit, në bazë të ADN-it sërish, kishte pretenduar një post të lartë në një kompani publike dhe, pasi nuk kishte arritur, ishte larguar nga kompania ku ishte ndier e pavlerësuar sa duhet. Këto ditë po gjykohet sërish Ukë Rugova, djali i Presidentit historik të Kosovës, për manipulim të dyshuar me viza. Ai kishte hyrë në kombinime politike, për të rrënuar një krah të LDK, i cili po ashtu thirrej në emrin e babait të tij!

Kë duhet pyetur, për të marrë përgjigje në këto pyetje madhore të cilat mund të luajnë rol në rreshtimet në skenën politike të vendit, apo edhe brenda vetë partive ku luftohet për pushtet, ku synohet apo mbrohet pushteti duke u mbajtur apo fshehur pas heronjve? Disa pretendojnë se vazhdojnë misionin e tyre, e disa thirren në ADN. Pra me kë do të ishin, heronjtë?

A mund të ngrihen pretendime në bazë të prindërve të lavdishëm, apo ato mund të ngrihen vetëm mbi bazën e potencialit krijues apo veprues të secilit individ apo grup?

Përse alternativa, për të kundërshtuar ndonjë udhëheqës aktual, në vend se të e bëjë këtë me argumente të qëndrueshme nxjerr si “Joker” pasardhësit e heronjve apo njerëzve të lavdishëm? Për të përfituar apo për të komprometuar ata?

Pyetje shumë e përgjigje pak! Në fakt, është vështirë të thuhet se kush mund të përgjigjet në këto pyetje: Pasardhësit? Miqtë? Bashkëveprimtarët? Ndjekësit e rinj të vizionit të tyre? Vështirë të thuhet!

Biografinë e heronjve nuk e shkruajnë dot pasardhësit e tyre, as partitë dhe grupet përkrahëse. Ata, vetë i kanë vënë kapakun e artë jetës së tyre. Ata kanë bërë dhe kanë dhënë mjaftë gjatë jetës së tyre. Të i respektojmë të gjithë, duke i mbajtur jashtë politikës ditore, jashtë partive dhe bursës politike në përgjithësi.