LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet më shumë punë nga organet e sigurisë për ta luftuar ekstremizmin

Kërkohet më shumë punë nga organet e sigurisë për ta luftuar ekstremizmin

Megjithëse në shtatë ose tetë muajt e fundit, sipas informatave që ka Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), asnjë kosovar nuk i është bashkuar luftës në Siri apo Irak, është vlerësuar se institucionet e sigurisë duhet të punojnë më shumë në luftën kundër terrorizimit.

Strategjia kundër terrorizimit, e miratuar nga Qeveria në vitin 2012 e që institucion vartës për ta zbatuar është MPB-ja, deri më tani është zbatuar në një masë prej 75 për qind, shkruan sot Koha Ditore.


Kjo është cilësuar pak nga ana e deputetëve të pozitës, anëtarë të Komisionit për punë të brendshme, siguri dhe mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, që në mbledhjen e mbajtur të mërkurën kanë dëgjuar raportimet e përfaqësuesve të MPB-së e të Policisë së Kosovës, lidhur me zbatimin e dokumenteve strategjike të sigurisë në Kosovë.

Nënkryetari i Komisionit, deputet nga radhët e PDK-së, Fadil Demaku, ka kërkuar që institucionet e sigurisë të punojnë më shumë në zbatimin e këtyre dokumenteve, në mënyrë që, sipas tij, imazhi i krijuar i Kosovës të ndryshohet. Përgjegjësi për depërtimin në Kosovë të ekstremizmit, sipas tij, kanë institucionet e sigurisë në Kosovë.