LAJMI I FUNDIT:

Këtë vit asnjë rast me ethe hemorragjike

Këtë vit asnjë rast me ethe hemorragjike

Sot është mbajtur takimi i radhës i Këshillit ndërministror për parandalimin dhe luftimin e etheve hemorragjike Krime – Kongo (EHCC).

Në këtë takim, ministritë dhe agjencionet përgjegjëse për zbatimin e planit operacional për parandalimin dhe luftimin e EHCC raportuan për përmbushjen e aktiviteteve të paraparë deri në këtë fazë dhe, u vlerësuar si shumë pozitiv fakti që prej shkurtit të këtij viti kur janë shfaqur rastet e para të pickimit të rriqrave e deri më sot, nuk është konfirmuar asnjë rast me Ethe Hemorragjike Krime Kongo dhe, të 45 rastet të trajtuara si të dyshimta, pas analizave laboratorike kanë rezultuar negative.

“Për këtë suksese, meritojnë një përgëzim të gjithë, por para së gjithash, ata që në terren çdo ditë kanë zhvilluar aktivitete të edukimit dhe promovimit shëndetësor, dezinsektimit, repelimit dhe masa të tjera”, tha ministri Rrahmani.

Në një njoftim për media thuhet se në këtë takim u vlerësua se situata epidemiologjike sa u përket Etheve Hemorragjike është nën kontroll dhe se ministritë dhe agjencionet përkatëse, bashkë me autoritetet e pushtetit lokal në komunat që njihen si zona endemike si Malisheva, Rahoveci, Suhareke dhe Klina, kanë bërë punë të mirë deri në këtë fazë për të parandaluar dhe luftuar Ethet Hemorragjike Krime- Kongo.

Në bazë të raporteve të prezantuara nga IKSHKP, MBPZHR, AUVK, dhe komunat u tha se edhe numri i pickimeve sivjet krahasuar më vitet paraprake është përgjysmuar, ndërsa këto efekte u vlerësua se janë efekt i masave të ndërmarra në terren dhe në koordinim të plotë të institucioneve që janë përgjegjëse për zbatimin e Planit Operacional për parandalimin dhe luftimin e etheve hemorragjike Krime Kongo.