LAJMI I FUNDIT:

Këto janë femrat më të pasura shqiptare – shikoni listën (Foto)

Këto janë femrat më të pasura shqiptare – shikoni listën (Foto)

Cilat janë 50 kompanitë më të mëdha në vend, sipas xhiros vjetore 2014-2015, që janë të paktën 30% në pronësi të femrave. Nga Vilma Nushi, femrat e familjes Hoxha, Merita Sheqi, Donika Mici, Eleni Babameto, ja zonjat e bizneseve të qëndrueshme VIP në Shqipëri.

Kur bëhet fjalë për biznes, femrat kanë treguar se dinë të drejtojnë njësoj, ose më mirë se meshkujt. Ndonëse pjesa më e madhe e tyre preferojnë të qëndrojnë në hije, në vite, me ndihmën e bashkëshortëve, apo vetëm, kanë ndërtuar aktivitete të qëndrueshme, të rriten në kohë krize, apo të kenë nuhatjen e duhur për të hyrë të parat në segmentet që janë e ardhmja.

Për të dytin vit, ‘Monitor’ publikon renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha në vend, pronare e të cilave janë me të paktën 30% femrat.

Sipas përpunimit të të dhënave nga Qendra e Kërkimit Monitor, nga 500 kompanitë më të mëdha në vend, sipas qarkullimit vjetor 2014, 50 prej tyre, janë të paktën 30% në pronësi të femrave (shiko tabelën: Renditja e kompanive më të mëdha në vend, që janë të paktën 30% në pronësi të femrave).

Nga këto, 20 sipërmarrje janë 100% në pronësi të femrave; 176 zotërohen në mbi 50% të aksioneve dhe 14 kompani janë 30-50% në pronësi të femrave.

Në sipërmarrjet e mëdha, përqindja e pronareve femra është shumë më e ulët në raport me totalin. Sipas INSTAT, në total, 31% e ndërmarrjeve kanë pronare apo administratore femra, nga 10% që është kjo peshë për 500 sipërmarrjet më të mëdha në vend.

Në renditjen e 50 kompanive më të mëdha me pronare femra mbizotëron sektori i tregtisë me pakicë e shumicë, i shërbimeve dhe i industrisë televizive. Më pas vijojnë kompanitë e farmaceutikës, një sipërmarrje që përgjithësisht preferohet nga femrat, por edhe agjencitë turistike.

Nuk mungojnë as bizneset e vështira, si tregtia e naftës dhe ndërtimi. Ka dhe sipërmarrje, që mbijnë brenda vitit, rriten shpejt e po aq shpejt “zhduken” nga tregu.Kompanitë më të mëdha me pronare femra

1.Info-Telecom, në pronësi 60% të Anisa Skëndaj, e cila është dhe administratore, për të dytin vit radhazi është sipërmarrja më e madhe në vend me pronare femër. E krijuar në 2009-n, kompania pa një rritje të fortë në 2013-n, me një qarkullim vjetor nga 3.6 në 14.4 miliardë lekë, duke u pozicionuar në të 13-n më të madhe në vend në renditjen totale të sipërmarrjeve më të mëdha për nga xhiro. Rritja ka vijuar dhe në 2014, përkatësisht në 15.8 miliardë lekë dhe në 2015-n ka rënë lehtë në 15.5 miliardë lekë, sipas të dhënave paraprake.

Info-Telecom është një operator i licencuar i komunikimeve elektronike në Shqipëri, duke ofruar shërbime me pakicë e shumicë në telekomunikacione dhe shërbim të dhënash (data service). Ajo ka marrë licencën nga AKEP për të ofruar shërbimet e telefonisë fikse publike, transitit kombëtar, transitit ndërkombëtar, transmetimin e të dhënave, përmes përdorimit të rrjetit të saj publik për shërbime elektronike dhe planit numerik të caktuar nga AKEP.

Pavarësisht xhiros së lartë, sipërmarrja nuk ka ndikim në ekonomi, për shkak se një pjesë të madhe të qarkullimit të saj e zë faturimi i shërbimeve të interkoneksionit jashtë vendit, ndërsa numri i punonjësve është shumë i ulët (nën 30). Ndonëse kishte qarkullim të lartë, fitimi ishte 162 milionë lekë në 2014-n, me një normë fitimi prej 1%. Struktura e bilancit të kompanisë është më e ngjashme me ato të SHA-ve të tregtimit të naftës (asete të ulëta, xhiro e lartë, shpenzime të pakta për personel, normë fitimi të ulët).

Në listën e sipërmarrjeve femra, Anisa Skëndaj ka dhe një biznes tjetër, Professional Marketing Albania, në fushën e marketingut dhe call center (e 26-a në listë), me ndikim më të lartë në punësim për shkak të vetë llojit të aktivitetit.

2.Marketing&Distribution, në pronësi 100% të znj. Vilma Nushi, është ndër më të mëdhatë në fushën e distribucionit. Ndonëse ka mbajtur një profil të ulët në publik, znj. Nushi njihet si një nga sipërmarrëset më të mira dhe më me përvojë në vend.

Duke marrë në konsideratë periudhën e gjatë që ka në biznes, aktivitetin e qëndrueshëm dhe numrin e të punësuarve, znj. Vilma Nushi është realisht sipërmarrësja më e madhe femër në biznesin shqiptar, ndonëse sipas xhiros vjetore renditet sërish e dyta në 2014-2015, me një qatkullim vjetor përkatësisht 13.2 dhe 11.2 miliardë lekë. Kompania ka mbi 300 të punësuar, sipas të dhënave nga tatimet. Në vitin 2014, norma e fitimit të M&D ishte 2%, tipike e sipërmarrjeve të mëdha shpërndarëse.nj. Nushi rezulton aksionere dhe në subjekte të tjera si T R i M E D (depo farmaceutike), e krijuar në 2004-n, me 50% të aksioneve, duke realizuar një qarkullim vjetor prej 977 milionë lekësh, duke figuruar edhe e 17-a në listën e kompanive me pronare femra.

3.Digitalb është sipërmarrja më e madhe televizive (dixhitale) në Shqipëri, një ide novatore e të ndjerit Dritan Hoxha 12 vite më parë dhe që ka rezultuar një nga bizneset më të suksesshme e fitimprurëse në vend. Trashëgimia që ai la po vazhdohet nga e shoqja dhe teksa rriten, edhe fëmijët. Pronësia e femrave në Digitalb është 40.8%, nga të cilat 10.19% i zotëron direkt Redia Hoxha, ndërsa 30.6% nga kompania Lorisa, e krijuar në dhjetor 2015, aksionere të së cilës me nga një të tretën janë Lorela Hoxha; Vjollca Hoxha; Sara Hoxha, sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Në këtë mënyrë, Digitalb është sipërmarrja e tretë më e madhe në Shqipëri, në pronësi të femrave. Kompania kishte një qarkullim vjetor prej 5.4 miliardë lekësh në 2014-n. Në vitin 2014, norma e fitimit të Digitalb ishte 7%. Kompania ka mbi 300 të punësuar.

Femrat e familjes Hoxha zotërojnë edhe 32% të aksioneve të televizionit Top Channel dhe 80% të aksioneve të sipërmarrjes së kafesë Valtelina.

Digitalb dhe Top Channel kanë në total rreth 1,000 të punësuar. Të dy kompanitë kanë shënuar një rritje të aktivitetit në 2015-n, përkatësisht me 4% dhe 20%.

4.Mira Distribution, me aktivitet në tregtinë me shumicë dhe pakicë të mallrave industriale dhe bujqësore, e krijuar në qershor 2012, ka pasur “lulëzimin” e saj vetëm në vitin 2014. Në këtë vit, Ardita Kastrati, aksionere 100% e kompanisë, renditet e katërta në listën e bizneseve më të mëdha me pronare femra. Kompania e saj pa një rritje të xhiros me gati 8 herë për të arritur në 4.7 miliardë lekë në 2014-n. Por, vetëm pak muaj më pas, në mes të 2015-s, Mira Distribution rezulton të ketë pezulluar aktivitetin. Përpjekjet e mëvonshme për ta rikthyer subjektin në aktiv nuk kanë rezultuar të suksesshme dhe aktualisht, kompania është me status të pezulluar.

5.Rejsi Farma është ndër kompanitë më të mëdha në vend në fushën e tregtimit të produkteve farmaceutike. Merita Sheqi, e cila zotëron 50% të aksioneve (pjesën tjetër e zotëron bashkëshorti), në 15 vjet aktivitet ka arritur të konsolidojë biznesin. Ajo pranon se ka përherë në krah të shoqin, me të cilin e ka nisur aktivitetin.

Kompania realizoi një qarkullim prej 3.3 miliardë lekësh në 2014-n, me një rënie prej 12% në raport me vitin e mëparshëm, ndërsa në vitin 2015, qarkullimi vjetor ishte 3.1 miliardë lekë. Në 2015-n, kompania ka humbur vendin si më e madhja në fushën e tregtimit të produkteve farmaceutike, duke mbetur pas Omega Pharma Group.

6.AFT është një shoqëri relativisht e re aksionere me aktivitet në tregtimin me shumicë, transportimin, importimin dhe eksportimin e hidrokarbureve, si dhe çdo aktivitet tjetër që lidhet me këto aktivitete. Kompania është 100% në pronësi të Romina Shemaj. Në vitin 2013, sipërmarrja kishte një qarkullim vjetor prej 4.4 miliardë lekësh, 12 herë më e lartë se 2012-a, viti i parë jo i plotë i aktivitetit, ku kompania regjistroi një qarkullim vjetor prej rreth 300 milionë lekësh. Në 2014-n dhe 2015-n, xhiro ka rënë përkatësisht në 2.9 dhe 2.8 miliardë lekë, megjithatë vijon të mbetet në top listën e kompanive më të mëdha me pronare femra.

7.D E N i S A, me aktivitet në tregti, ka parë një rritje të ndjeshme të xhiros në 2013-2014, duke e ngjitur atë në vendin e 7 në renditjen e kompanive më të mëdha me pronare femra. Subjekti është në pronësi të Mimoza Çobos, që prej krijimit të tij në vitin 2005, dhe në 2014-n kishte një qarkullim vjetor prej 2.1 miliardë lekësh.

8.A.K.F. Petroleum, ndonëse e krijuar në shtator të vitit 2013, ka arritur një vit më pas të jetë e teta në listë. Kompania ka aktivitet në tregtimin e naftës. Katër ortakët juridikë, AZ Distribution, Standart Oil, G&O Trading, Energy Trading, kanë transferuar në vitin 2015 të gjitha aksionet tek Aida Melhani, që tashmë zotëron 100% të aksioneve të A.K.F. Petroleum, sipas ekstraktit të QKR (në renditjen e vitit 2013, A.K.F. Petroleum ishte e 38-a, dhe përqindja e pronësisë së femrave ishte 42.5%). Në fund të 2015-s, kompania ka marrë tregtimin e markës së naftës Alpet, që më parë ishte blerë nga Tea Construction & Petrol, e cila doli nga tregu vitin e kaluar.

9.Donniana, fabrika e prodhimit të këpucëve, pas së cilës qëndron Donika Mici, një zonjë këmbëngulëse, energjike dhe novatore, renditet e nënta, nga e 14-a, që ishte në listën e vitit 2013. Kompania është ndër më të mëdhatë eksportuese dhe prej disa vitesh ka dalë si prodhuese, duke dhënë një shembull pozitiv, jo vetëm për mbylljen e ciklit në industrinë me material porositësi, por edhe gjetjen direkt të tregjeve. Në vitin 2014, kompania kishte një qarkullim vjetor prej gati 2 miliardë lekësh, me rritje 33% me bazë vjetore. Të njëjtat vlera janë ruajtur dhe në 2015-n. Znj. Mici është aksionere dhe në sipërmarrje të tjera, kryesisht në industrinë e këpucëve, si Ëestinxh (20% të aksioneve), Albanian Shoes Corporation (30%), Rozimpex (50%), Dophil (40%), duke e bërë sipërmarrësen me mjaft ndikim në punësimin e shtresave të varfra në vend, me mbi 1300 të punësuar. Sipas të dhënave nga tatimet, Donniana kishte gati 800 të punësuar në fund të 2014-s, dhe sipërmarrja tjetër Dophil rreth 530.

10.Teuta Durrës, me aktivitet në fushën e importimit dhe eksportimit, paketimit, prodhimit të brumërave dhe tregtimit të artikujve ushqimorë prej më shumë se 20 vitesh drejtohet nga çifti i bashkëshortëve Eleni dhe Arben Babameto, me nga 50% të aksioneve secili. Pas vitesh punë, Eleni Babameto i bashkon arritjet me përkushtimin, seriozitetin, pasionin për punë.

“Sipërmarrja sot është shumë më e organizuar, ka departamente të ndryshme, si prodhimi, financa, shpërndarja, transporti, marrëdhëniet me publikun, personelin, ku secili vepron në mënyrë të pavarur, por dhe të harmonizuar me njëri-tjetrin, duke ndihmuar dhe jo duke penguar njëri-tjetrin. Si administratore e mbledh stafin drejtues rregullisht, por edhe sipas rastit për të vlerësuar arritjet, vështirësitë në procesin e punës dhe për t’i vënë ato në rrugën e zgjidhjes”, thotë ajo. Në vitin 2014, kompania realizoi një xhiro vjetore prej 1.9 miliardë lekësh, me një rritje prej 2% me bazë vjetore.

Vendet 10-20, mbizotëron nafta

Në vendet 10-20 të sipërmarrjeve më të mëdha në pronësi të femrave bie në sy numri i lartë i kompanive të përqendruara në fushën e tregtimit të naftës apo gazit. Në fakt, kjo është një tendencë e së gjithë ekonomisë, ku në listën e përvitshme të sipërmarrjeve, sipas xhiros, numri i kompanive që kanë aktivitet në tregtimin e naftës është shumë i lartë.

Tahiraj + IE, Elva 2001 SH A, Gega Center GKG, zotërohen të paktën 50% nga femra dhe renditen përkatësisht në vendet e 11, 13, 14.

Në vitin 2015, Gega Center GKG, në pronësi 100% të Donike Gega, pas zgjerimit të ndjeshëm të aktivitetit, ka trefishuar xhiron, duke u ngjitur e pesta në listën e sipërmarrëseve më të medha, me të ardhura prej rreth 3 miliardë lekësh.

Televizionet më të mëdha, atje ku femrat kanë rol të rëndësishëm në pronësi

Në Digitalb, Top Channel, Klan TV, Tring TV, roli i femrave është i rëndësishëm. Në Top Channel, 4 femrat e familjes Hoxha zotërojnë nga 8% të aksioneve secila. Top Channel është televizioni më i madh (pa pagesë) në vend, sipas të ardhurave, me një qarkullim vjetor prej 1.6 miliardë lekësh në vitin 2014, duke u renditur i 12 në listën e kompanive me pronare mbi 30% femra. Të ardhurat e Top Channel ranë me 8% me bazë vjetore në 2014-n.

Në TV Klan, të dytin më të madh, 40% e aksioneve janë në pronësi të Alba Gina. Në vitin 2014, të ardhurat e Klan ishin 849 milionë lekë, me një rënie prej 10% me bazë vjetore. Në listën tonë, TV Klan është në vendin e 21-të.

Ndërsa tre vëllezërit Dulaku janë pronarë të Vizion Plus, bashkëshorteve u kanë lënë në pronësi e menaxhim platformën me pagesë Tring Tv. E 44-a në listë, Tring TV është 100% në pronësi të Holta Dulaku me 33%, Melina Dulaku me 33% dhe Ridvana Dulaku me 34%. Tring TV kishte një qarkullim prej 469 milionë lekësh në 2014-n, me një rritje prej 27% me bazë vjetore.

Daljet nga lista

Gend 2012, një kompani me sipërmarrëse Suela Berisha, e përqendruar në import-eksport të produkteve, materialeve teknologjike, të vendit dhe të huaja, e cila renditej e treta në vitin 2013, nuk figuron më në listën e sipërmarrjeve më të mëdha sipas xhiros. Në 2013-n, ajo realizoi një qarkullim vjetor prej 5.1 miliardë lekësh, me zgjerim 81% me bazë vjetore. Por, duket se vetëm 2013-a ka qenë viti i lulëzimit të kësaj kompanie. Në shtator 2014, tatimet kanë depozituar kërkesën për vendosje barre sigurie mbi titujt e pronësisë të Gend 2012.

AMLA-2013, në pronësi 100% të Spira Janka, që në 2013-n renditej e teta në listë, me një xhiro vjetore prej 2.4 miliardë lekësh (ndonëse ishte krijuar vetëm në janar 2013) nuk ka arritur të mbajë ritmet e aktivitetit në 2014-2015. Kompania, me aktivitet në tregti, konfeksione etj., në fund të vitit 2014 është bllokuar nga tatimet, që kanë kërkuar vendosjen e Barrës së Sigurisë mbi titujt e pronësisë, deri në shlyerjen e detyrimeve tatimore, nga ana e tatimpaguesit debitor.

Në 2015-n, dy sipërmarrje të tjera, Mira Distribution dhe D E N I S A, nuk figurojnë më në listën e VIP-ave.

Ndryshimet e pronësisë

Interlogistic, një nga sipërmarrjet më të mëdha të shpërndarjes me shumicë, ka ndryshuar pronësi. Në dhjetor 2015 është regjistruar në QKB transaksioni, sipas të cilit 100% të aksioneve kanë kaluar nga Majlinda Hido tek Edmond Hido. Interlogistic kishte një qarkullim vjetor prej 4.1 miliardë lekësh në 2014-n.

Në renditjen e vitit 2013, Majlinda Hido ishte e pesta në sipërmarrëset më të mëdha femra.

Bizneset e reja me rritje të fortë

Energy trading, e krijuar në fund të 2013-s, ka arritur të ketë një qarkullim vjetor prej 945 milionë lekësh në vitin e parë të plotë të aktivitetit, duke u renditur e 17-a në listë. Në pronësi të Denisa Logu, kompania ka aktivitet në tregtimin e naftës.

Spirit Travel & Tours është një tjetër sipërmarrje, që pothuajse nga hiçi është ngritur në 2014-n, duke arritur një qarkullim vjetor prej 880 milionë lekësh, e 19-a në listë. Në pronësi 50% të Nertila Kole, kompania është krijuar në dhjetor të vitit 2013 dhe ka aktivitet në fushën turistike.

Fly Albania, në pronësi 50% të Nerimane Ejupi, u krijua në nëntor 2013, duke synuar tregun e lënë bosh në fluturimet drejt Italisë, pas falimentimit të Belle Air. Kompania që menaxhon linjën ajrore të Blue Panorama ka arritur të ketë një qarkullim vjetor prej 480 milionë lekësh në vitin 2014.

Disa sipërmarrje të tjera në pronësi të femrave, si Artinel 95 (në fushën e tregtimit të makinave dhe e drejtuar prej vitesh nga znj.Ariana Berberi), Berberi Trade (tregti me shumicë), Start Co (tregti), Elal Com (tregti) kanë rritur ndjeshëm të ardhurat në 2014-n. /Monitor/

femrat 1

Në trend Magazina

Më shumë
Kim Kardashian fajëson ish-bashkëshortin e saj Kanye West, për ndarjen nga i dashuri futbollist Odell Beckham Jr

Kim Kardashian fajëson ish-bashkëshortin e saj Kanye West, për ndarjen nga i dashuri futbollist Odell Beckham Jr

Magazina
Rike Roçi 'nxjerr zbuluar' produksionin e BBVA, tregon se ka komunikuar me nënën dhe motrën e saj pasi ka kërkuar të dalë nga shtëpia

Rike Roçi 'nxjerr zbuluar' produksionin e BBVA, tregon se ka komunikuar me nënën dhe motrën e saj pasi ka kërkuar të dalë nga shtëpia

Magazina
Dani Alves me festë

Dani Alves me festë "të çmendur" në vilën e tij milionëshe në Barcelonë pasi u lirua nga burgu

Magazina
Geti dhe Ledri lënë pas mosmarrëveshjet, publikojnë pamje nga xhirimet e klipit për bashkëpunimin që po e sjellin pas 12 viteve

Geti dhe Ledri lënë pas mosmarrëveshjet, publikojnë pamje nga xhirimet e klipit për bashkëpunimin që po e sjellin pas 12 viteve

Magazina
Artisti Ledri Vula merr dhuratë nga KFOR-i

Artisti Ledri Vula merr dhuratë nga KFOR-i

Magazina
Artistët e Filharmonisë së Kosovës mbajnë koncert spontan në aeroport, vizitorët kënaqen nën tingujt e

Artistët e Filharmonisë së Kosovës mbajnë koncert spontan në aeroport, vizitorët kënaqen nën tingujt e "Unë biri yt Kosovë"

Magazina
Kalo në kategori