LAJMI I FUNDIT:

Kimi i lë në gjysmë…

Kimi i lë në gjysmë…

Elmir Sejfullai

Personi i cili ishte pjesë e këshillit opozitar dhe kryetari i saj, bëri atë që di ta bëjë më së miri, t’i lë gjërat në gjysmë. Duke marrë parasysh jetën e tij, kjo është disi edhe e arsyeshme. Kimi edhe shkollimin e ka me gjysma. Gjysmë shqip, gjysmë maqedonisht. Edhe të folurën e gjuhëve nuk e ka të plotë. Shqipen e flet trapa-trupa, po ashtu edhe maqedonishten (dorën në zemër, pak më mirë se shqipen).


Edhe përgatitjen shkollore e ka lënë në gjysmë. Ai nuk ka menduar se arsimi i lartë të bën më të përgatitur për jetë, ndaj e ka lënë për të qenë “krijues autodidakt”. Kimi ka lënë në gjysmë edhe shumë punë. Si për shembull të përjavshmen “Lobi” e cila u botua vetëm pesë vite. Revistën për kulturë “Jehona”. Ka lënë në gjysmë edhe punën e redaktorit të veprimtarisë botuese pranë SH.B. “Flaka e vëllazërimit” (1991-1992). Të mos i radhiti edhe shumë të tjera ku spikat posti i zëvendësdrejtorit të MTV në kohën e qeverisjes BDI-LSDM.

Pra, Kimi është ekspert për t’i lënë gjërat në gjysmë. Por, nëse të gjitha gjërat e lartpërmendura kishin të bëjnë me jetën e tij, madje edhe me “kontributin” e dhënë kulturës dhe gazetarisë, Kimi nuk guxonte të linte në gjysmë një proces të cilin e filloi me disa persona të vetëzgjedhur, të cilin e quajtën Këshill Opozitar. Ky njeri gjysmak, doli si “ispad” për të bërë “bashkimin” e opozitës, ndërkaq gjithçka që bëri ishte zvarritja e këtij procesi. Mendjemadhësia e tij prej autodidakti bëri që një parti e cila i besoi verbërisht, të largohet nga procesi i bashkimit opozitar.

Duke mos qenë ithtar i konspiracioneve, nuk dëshiroj të besoj që Kimi është bërë pjesë e këtij skenari, pikërisht me instrukcione të atyre që ai i shanë me gojën plotë, pra nga binomi famëkeq BDI-PMTH. Gjithsesi, epilogu i punës së tij lë shumë dyshime se ky ka qenë qëllimi. Pra, të krijohet fama e një bashkëpunimi opozitar, të mos arrihet i njëjti dhe me këtë opinioni të fitojë bindje se lugetërit e BDI-së dhe PMTH-së nuk mund të mposhten.

E pra, Kimi si gjithçka që ke lënë në gjysmë në jetën tënde, edhe këtë e lë në gjysmë dhe e rrumbullaove veprimtarinë tënde me edhe një dështim. Të jesh i bindur Kim se opozita do triumfojë në zgjedhjet e ardhshme, sepse ka ofertë të qartë dhe ka moral për të kërkuar vota, gjë të cilën ti asnjëherë nuk e ke bërë, sepse e di sa peshon. Opozita do të triumfojë, sepse shqiptarët e FYROM-it nuk durojnë më autodidakt si ti dhe padronët tuaj nga BDI dhe PMTH që s’kanë asnjë arritje profesionale në jetën e tyre, dhe që paaftësinë e kanë kamufluar nën petkun e partisë me vota të vjedhura dhe të dhunuara.

Vijnë gjenerata të reja Kim që nuk dinë se çka është t’i përkulesh Brankos për të fituar një donacion, por që janë rritur me hallall nga prindërit e shumëvuajtur, por faqebardhë.

Në fund, të them: Urime hyre në histori si mercenar. Kurrë nuk do jesh i plotësuar. Do mbetesh gjysmë – as mish, as peshk!