LAJMI I FUNDIT:

Kisha serbe dhe gjenialiteti ynë mahnitës

Kisha serbe dhe gjenialiteti ynë mahnitës

Kisha serbe në Kampusin e Universitetit po shfrytëzohet në mënyrë fare cinike për përfitime politike. Dikush që nuk mund ta rrënojë, po kërcënohet se do ta rrënojë që të mbledh të gjithë “patriotët” rreth vetes dhe ta rrisë numrin e votuesve. Dikush që nuk mund ta mbrojë, po kujdeset për mbrojtjen e saj për ta fituar simpatinë e faktorit ndërkombëtar. Por, tani ka dalë në skenë edhe kategoria e tretë, ajo e akademikëve, të cilët po japin ide të ndryshme të cilat nuk po dukën aspak logjike.

Nuk duhet të jesh akademik që ta gjykosh një çështje që është shumë e qartë. Për t’i hequr të gjitha dilemat dhe për t’i mbyllur fjalët, për këtë çështje duhet të flasë shteti.


Deri më tash ka folur presidenti, Hashim Thaçi. Por, presidenti nuk është shteti, aq më tepër kur dihet se ai më shumë është i njohur si Hashim Thaçi sesa si presidenti. Mënyra se si ai ka folur më tepër tingëllon si kërcënim ndaj atyre që ai e di mirë se nuk e kanë përnjëmend kur flasin për rrënimin e kishës serbe, sesa një mbrojtje reale e kishës nga kushdo qoftë. Pra, presidenti më tepër po nxit konfliktin, sesa po mundohet ta evitojë atë. Duke, pritur se kundërshtarët politikë do të bijnë në kurthin e tij, tamam si “cjapi te kasapi”!

Por, Kosova duhet të sillet si shtet e jo si odë e katundit ku secili jep një mendim të vetin që nuk e obligon askënd. Personalisht nuk jam kundër debatit që për bazë ka argumentet relevante, por jam kundër çdo ideje që ofron zgjidhje të përkohshme dhe jo definitive. Deri tash të gjitha idetë alternative se çfarë duhet bërë me këtë kishë, janë jashtë logjikës së mirëfilltë të gjërave. Akademikët as nuk po rrahin, as nuk po godasin ku duhet. E, zgjidhje definitive duhet të ofrojë shteti.

Nëse objekti është ndërtuar në pronën e Universitetit, pra në pronë të huaj, atëherë pse të ketë pengesa për t’u respektuar e drejta e pacenueshme e pronës?

Nëse objekti nuk është në harmoni me normat e urbanizmit, atëherë cili është problemi që normat e urbanizmit të (mos) respektohen?

Dhe, nëse objekti nuk është në harmoni me nevojat e besimtarëve ortodoksë, atëherë cilat janë pengesat që ky objekt të hiqet nga aty?

Pra, shteti ka argumente të forta që ta lirojë hapësirën universitare nga ky transplantim inkompatibil me atë që quhet kampus universitar.

Ata që thonë se ky objekt duhet të ekzistojë, por të modifikohet e konvertohet në objekt për qëllim tjera nga ai fetar, nuk duket ta kenë përnjëmend këtë punë. Ky objekt, pa marrë parasysh se nga kush është ndërtuar, qëllimi i tij primar nuk mund të kuptohet ndryshe nga bota demokratike e që është botë krishtere në përgjithësi, pos si objekt i kultit fetar ortodoks.

Për ne shqiptarët, objekti në fjalë zgjon një averzion të veçantë, sepse identifikohet me Millosheviqin, me represionin e tij para lufte dhe krimet e tij ndaj nesh si popull gjatë luftës. Por, këtë objekt nuk e ka ndërtuar Millosheviqi me dorën e vet. Madje, sipas informacioneve që kemi, ka ekzistuar edhe një leje ndërtimi e asaj kohe!

Tani që Millosheviqi ka vdekur e që regjimi i tij nuk ekziston më, bota demokratike nuk e sheh këtë objekt me urrejtjen tonë. Ata, sipas të gjitha gjasave këtë e shohin si një faltore për serbët që i përkasin fesë ortodokse. Meqë, këta serbë, janë qytetarë të Republikës së Kosovës, këta edhe janë pikërisht njerëzit që duhet të pyeten se a kanë apo nuk kanë nevojë për një objekt të tillë. Por, serbët duhet t’i binden ligjeve të shtetit ku jetojnë, sikurse të gjithë qytetarët tjerë.

Nëse ata donë një kishë të këtillë në Prishtinë, atëherë pse të mos u lejohet ta ndërtojnë aty ku kisha nuk prishë harmoninë urbanistike. Nëse ata kanë argumente se kisha që po kontestohet duhet të qëndrojë aty ku është, atëherë idetë për “konvertimin” e këtij objekti janë fjalë në erë. Sepse, ato janë si bërja e hesapeve pa hanxhiun.

Deri tash, secili që po jep ide po sillet sikur serbët nuk ekzistojnë fare si faktor në Kosovë. Serbët nuk mund të anashkalohen për asnjë e çështje (sipas planit të Ahtisarit, në bazë të secilës funksionon Kosova si shtet) e aq më pak për çështje që ju përkasin ekskluzivisht atyre si grup etnik apo fetar.

Ky problem nuk ka gjasa të zgjidhet siç donë shqiptarët, prandaj është mirë që të pushojmë me idetë stereotipe dhe në vend të tyre të fillojmë negociatat me faktorin e vërtetë, pra me serbët. Ne mund të vazhdojmë të sillemi si skenderbega pa problem, apo si akademikë të gjithë ditur dhe gjenialë (!), por kjo punë do të përfundojë ashtu siç dëshiron pakica serbe dhe bashkësia ndërkombëtare. Deri atëherë ne do të vazhdojmë të humbim kohë duke shprehur gjenilaitetin tonë mahnitës.