LAJMI I FUNDIT:

Kompanitë kanë pretendime 600 milionëshe ndaj PTK -së

Kompanitë kanë pretendime 600 milionëshe ndaj PTK -së

Rënia e të hyrave, paditë ndërkombëtare, mbipunësimi , ndikimet politike, kanë bërë që PTK-ja të ketë trende negative të të hyrave dhe fitimit. Këto të gjetura janë prezantuar sot në Institutin “Riinvest”, që organizoi tryezën e diskutimit “PTK – Nga Agimi deri ne muzg” e organizuar nga “Çohu”.

Lorik Bajrami , nga kjo organizatë tha se të gjitha mekanizmat në PTK kanë qenë të kontrolluar nga politika. Hulumtimi ka treguar se kjo ka ndikuar në performancën e kompanisë.

“Ne e kemi parë që gjitha Qeveritë ose gjithë mekanizmat që e kanë pasur nën mbikëqyrje PTK-në ka pasur një qasje partiake ndaj saj. Ne kemi vërejtur në hulumtimin tonë se të gjitha organet vendimmarrësve në kuadër të PTK-së por edhe atë të mbikëqyrës kanë qenë të kontrolluar prej njerëzve partiak edhe kjo pastaj ka reflektuar shumë në aspektin e llogaridhënies. Sipas vlerësimit tonë duke qenë se gjithë mekanizmat edhe në kuadër të PTK-së edhe në ata të jashtëm që e kanë mbikëqyr PTK-në kanë qen partiake. Kjo e ka pamundësuar mekanizmin e llogaridhënies . Kjo ka qenë një fakte që ka bërë që përkundër rrënjës së vazhdueshme të të hyrave edhe qeverisjes së keqe në kuadër të PTK-së mos me pas asnjë llogaridhënie të asnjë nga aktoret kryesorë”, tha Bajrami.

Po ashtu ai theksoi se të hyra me performancë pozitive ishin paraparë në strategjinë 2015-2019. Por, vlerësimet në strategjinë e lartësuar sipas Bajramit, nuk kanë dal të jenë ashtu , por është e kundërta PTK ka rënieje të të hyrave.

“Në strategjinë e vitit 2015 -2019 parashihet që gjatë vitit 2015 PTK ka me e stabilizuar nivelin e të hyrave. Kjo gjë nuk ka ndodh edhe të dhënat e fundit të Autoritetit Rregullator e dëshmojnë këtë. PTK nuk ka arritur me stabilizuar trendin e të hyrave . PTK sot përballet me dy padi. Njëra ka të bëjë me Andox, do të thotë në vitin 2009 PTK nënshkruan një marrëveshje me një kompani izraelite për sistemin e ri të faturim. Kontrata ka qenë diku 19.2 milion euro edhe pas vendimit të Qeverisë për hy në proces të privatizimit , Qeveria merr vendim që me i ndërpre të gjitha investimet kapitale , në mesin e të cilave ka qenë kjo kontratë dhe tashmë është një padi ku ANDOX kërkon 20 milionë euro nga PTK. Dhe e kemi padinë tjetër që lidhet me AXOS-in, që ka të bëjë me procesin e privatizimit“, tha Bajrami.

Drejtori i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, pyeti ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, se a ka Qeveria ndonjë strategji për PTK-në.

Stavileci tha se MZHE, nuk ka kompetenca menaxhuese të ndërmarrjeve publike, por tha se aktualisht Qeveria është duke e hartuar ligjin për ndërmarrjet publike që sipas tij do të rregulloj çështjen e llogaridhënies së bordeve.

“Ne po mundohemi që me ligjin e ri për Ndërmarrje Publike në bashkëpunim me IFC-në…Ta kemi një koncept të ri edhe për sa i takon qeverisjes korporatave por edhe fushave të tjera e sidomos të bordit , kompetencave , hierarkisë , funksionimit në vertikalen Qeveria si aksionar , bordi dhe menaxhimet në mënyrë që të spastrohen mirë këto përgjegjësi…Çështje më e rëndësishmja që secili të jep përgjegjësi për punën e vet dhe ajo të bazohet në indikatorët kyç të performancës…Nuk po e them që do ta bëjmë ligjin më të përkryer po ma merr mendja që do ti vëmë disa shtylla të rëndësishme”, tha Stavileci.

Po ashtu tha se PTK-ja ka sfida të tjera siç janë ato me paditë ndërkombëtare që beson që do të fitojë në këto konteste. “Jemi përballur menjëherë me fazën e përgatitjes të lëndës dhe përfaqësimit ligjor që do të na mbronin neve dhe mendoj që ne kemi fakte të bollshme që do të duhej të ishin në favor të shtetit tonë. Do të ketë një seancë të re me 19 gusht edhe kjo është e rëndësishme. Ata në fakt kanë kërkesa që shkojnë prej 150 deri në 600 milionë euro dhe neve përfaqësuesi ligjor që do të na përfaqësoj në ICSD-në do të mundohemi që ta kontestojmë bazën legjislative. Për arsye se nuk është një raste i një investimi edhe nëse kjo kontestohet i bie që besoj që në vjeshtën e këtij viti do të duhej të përfundonte”, tha Stavileci. /Telegrafi/