LAJMI I FUNDIT:

Korrigjimi i dioptrisë me laser – shikim i mirë pa syze (Foto/Video)

Korrigjimi i dioptrisë me laser – shikim i mirë pa syze (Foto/Video)

Çfarë nënkupton kirurgjia refraktive dhe cila pjesë e syrit trajtohet?

Shtatë shekujve të fundit ose deri në shfaqjen e thjerrëzave kontakte në vitin 1950, syzet ishin mënyra e vetme praktike e përmirësimit të shikimit të personave me anomali refraktive (miopi, hipermetropi, astigmatizëm).

Sot kemi disa qasje moderne për korrigjimin e dioptrisë së syrit.

Kjo degë e oftalmologjisë, e cila zhvillimin më të madh e ka regjistruar 30 viteve të fundit, quhet kirurgjia refraktive dhe përfshin disa procedura të ndryshme që përmirësojnë aftësinë e syrit për të fokusuar dhe zvogëlojnë ose eliminojnë nevojën e mbajtjes së syzeve ose thjerrëzave të kontaktit.

Kornea nënkupton pjesën e përparme transparente të syrit. Ajo luan rolin e thjerrëzës së kamerës dhe fokuson dritën për të formuar një pamje të qartë të retinës, në pjesën e pasme të syrit. Në shumë raste forma e kornesë dhe ajo e syrit nuk janë ideale dhe si rezultat pamja që projektohet në retinë është e mjegulluar ose e deformuar. Për këtë arsye shfaqet miopia (shikimi nga afër), hipermetropia (shikimi në largësi) dhe astigmatizmi.

Intervenimet refraktive me laser ndryshojnë formën e sipërfaqes së syrit (kornenë), duke mundësuar një fokusim më i mirë i pamjes. Në rastet kur për shkaqe të ndryshme nuk mund të bëhet korrigjimi i dioptrisë me laser, shikimi mund të përmirësohet ose rregullohet me implantimin me një intervenim kirurgjik të thjerrëzave artificiale brenda syrit.

Me rëndësi thelbësore është vlerësimi i saktë lidhur me llojin e intervenimit kirurgjik që përputhet me syrin. Ky vlerësim mund të bëhet pas një kontrolli të detajuar të syve.

   Cili është parimi i intervenimit me laser?

Sot kemi më shumë lloje të ndryshme procedurash me laser për korrigjimin e dioptrisë së syrit,siç janë LASIK (laser-in- situ-keratomileusis), PRK (photorefractive keratectomy), keratotomia radiale etj. Ato dallojnë nga njëra-tjetra sipas mënyrës me të cilën trajtohet shtresa sipërfaqësore e syrit (epiteli i kornesë).

Laseri Еxcimer lëshon intervale të shkurtra me rreze të ftohta ultravjollcë, me të cilat bëhet mënjanimi i një sasie të vogël indi korneal, që zakonisht është më e vogël se trashësia e fijes së flokut.

14

Me procedurën LASIK me ndihmën e laserit bëhet një prerje mikro e hollë, bëhet ngritja e kornesë (flap) dhe pastaj përdoret laseri Excimer për mënjanimin e një pjese të indit të kornesë.

Ndërkohë pjesa e ngritur e kornesë kthehet në pozicionin fillestar dhe mbulon përsëri pjesën e trajtuar të syrit. Përparësia e LASIK ka të bëj me përmirësimin e shpejtë të shikimit ose vetëm disa orë pas intervenimit, vetë intervenimi shoqërohet me diskomoditet minimal, ndërsa pas realizimit të intervenimit syri ka nevojë për pika artificiale vetëm rreth një javë.

Ndërkaq, rreziqet lidhen me formimin e flep-it korneal dhe me zhvendosjen e tij të mundshme pas realizimit të intervenimit.

PRK është procedura e parë e lejuar për korrigjimin e dioptrisë me laser. Me këtë procedurë shtresa sipërfaqësore (epiteli) i kornesë hiqet plotësisht dhe indi korneal trajtohet me laserin Excimer, deri sa të fitohet dioptria e dëshiruar. Pas intervenimit epiteli rigjenerohet gjatë disa ditëve në vazhdim dhe për këtë arsye menjëherë pas realizimit të intervenimit duhen vendosur thjerrëza kontakti për mbrojtjen e syrit.

Përparësia e kësaj procedure ka të bëj me faktin që ajo realizohet shpejtë, me lehtësi, nuk ka nevojë të bëhet prerje në kornenë dhe për një pjesë të dioptrie është shumë e përshtatshme.

Anët negative të kësaj procedure lidhen me mungesën e komoditetit pas intervenimit, fitimin e ngadalshëm të mprehtësisë së dëshiruar të shikimit ose gjatë disa ditëve pas realizimit të intervenimit dhe me nevojën e përdorimit të pikave artificiale për një kohë më të gjatë, në formën e terapisë pas realizimit të intervenimit.

   Kush mund të bëj korrigjimin e dioptrisë me laser?

Për të realizuar intervenimin me laser duhen plotësuar disa kushte me rëndësi:

– Personi ose pacienti duhet të ketë mbushur moshën 18 vjeçe

– Syri duhet të jetë në gjendje të mirë ose të mos jetë prekur nga sëmundje të tjera

– Dioptria e syrit duhet të jetë stabile (të mos ketë ndryshuar gjatë 12 muajve të fundit)

   A duhen bërë analiza plotësuese para realizimit të intervenimit me laser?

Me rëndësi të veçantë është që para tretmanit të bëhet një kontroll i detajuar i syve, me të cilin do të vërtetohet se syri nuk është prekur me sëmundje imunitare ose alergjike, me infeksione të ndryshme (herres, keratit, uveit) ose me sëmundje të tjera (katarakti, keratokonus, glaukomë).

Intervenimi me laser gjithashtu nuk mund të bëhet gjatë shtatzënisë ose gjatë periudhës së ushqyerjes me gji.

Kontrolli i detajuar i syrit gjithashtu nënkupton të bëhet topografi korneale, me të cilën do të vërtetohet forma, deformiteti i kornesë dhe trashësia e kornesë, parametra këto me një rëndësi të madhe për intervenimin. Topografia korneale do të vërtetojë nëse mund të bëhet intervenimi me laser dhe llojin e intervenimit që përputhet më së miri me syrin.

Në rast se pacienti mban thjerrëza kontakti, ato duhen hequr para kontrollit. Është mirë që thjerrëzat e kontaktit të mos mbahen 7 deri në 10 ditë para realizimit të intervenimit me laser.

   Sa zgjat intervenimi i korrigjimit të dioptrisë me laser?

Siç përmendëm më sipër, fillimisht duhet të bëhet një kontroll i detajuar i syve. Pas caktimit të intervenimit, rekomandohet të planifikohen disa ditë pushim. Intervenimi bëhet në të dy sytë menjëherë dhe zgjat rreth 15 minuta, por nevojitet kohë plotësuese për përgatitjen për realizimin e intervenimit dhe për procedurat pasoperative.

Intervenimi bëhet në sallën e operacioneve, në kushte sterile dhe me anestezi lokale me pika, që do të thotë se pacienti gjatë intervenimit nuk ndjen dhimbje. Pas realizimit të intervenimit pacienti shkon në shtëpi, por të nesërmen ai duhet të paraqitet në spital për kontroll.

   Kujdes pas realizimit të intervenimit me laser

Pacienti gjatë 24 orëve të para pas intervenimit nuk duhet të drejtojë automjetin. Rreth dy javë as intervenimit ai duhet të përdorë pika për sytë. Gjatë disa ditëve të para pas intervenimit sytë mund të jenë të ndjeshëm ndaj dritës, mund të lotojnë, shikimi mund të jetë i mjegulluar dhe pacienti mund të ndjejë djegie ose gjëra të ngjashme, por simptomat e këtij lloji do të zhduken pas javës së parë.

Pacienti gjatë dy muajve pas intervenimit duhet të anashkalojë punën në vende ose ambiente me pluhur dhe papastërti, siç janë aktivitetet e kopshtit dhe sytë nuk duhen fërkuar me duar, nuk duhet të bëhen ushtrime të rënda, të pastrohet shtëpia ose të luhen sportet me kontakt.

Gjatë periudhës në fjalë duhet të anashkalohet noti në pishinë dhe në ujëra të tjera që nuk janë të pastra.

    Cilat janë përfitimet e korrigjimit të dioptrisë me laser?

Korrigjimi i dioptrisë me laser ul ose mënjanon plotësisht nevojën e mbajtjes së syzeve ose thjerrëzave të kontaktit, që në fakt ul shpenzimet e blerjes së syzeve, xhamave, thjerrëzave të reja dhe preparateve për mirëmbajtjen e tyre. Individë të ndryshëm nuk kanë komoditet dhe nuk i duan syzet dhe thjerrëzat e kontaktit, sidomos në rastet kur merren me sporte të ndryshme.

Ndërkaq, profesione të caktuara nuk lejojnë mbajtjen e syzeve ose thjerrëzave (shoferët profesionistë, sportistët, etj.) dhe për këtë kategori korrigjimi i dioptrisë me laser është alternative e vetme. Një pjesë e pacientëve kur zgjohet nga gjumi ka dëshirë të shikojë qartë orën!

   A është i sigurt intervenimi?

Sipas analizave të Shoqatës amerikane të kirurgjisë refraktive, vitin e kaluar vetëm në SHBA janë realizuar rreth 1 milion intervenime refraktive.

13

Të dhënat e studimeve klinike të detajuara, që janë zhvilluar gjatë 20 viteve të kaluara, zbardhin se pas intervenimit është përmirësuar në një masë të madhe shikimi i të gjithë pacientëve që kanë mbajtur syze ose thjerrëza.

Më saktësisht, 95% të pacientëve kanë qenë të kënaqur me rezultatet e intervenimit. Nuk duhet harruar se, njësoj si çdo operacion tjetër, ka rreziqe të caktuara, siç janë rreziku i infeksioneve, ai i destabilizimit të kornesë, problemet me shikimin e objekteve me dritë dhe tharja e syve.

Megjithatë, shfaqja e këtyre komplikimeve është minimizuar nën 1%, ndërsa me zhvillimin e teknologjisë me laser dhe metodave të punës, krahasuar me vitet e kaluara, rreziqet më sipër mund të shfaqen më rrallë dhe mund të trajtohen më mirë.

Përveç teknologjisë moderne, me rëndësi thelbësore për rezultatet pozitive të intervenimit është edhe përvoja e kirurgut. Sot në mbarë botën funksionojnë një numër i madh qendrash me laser, por reklamat agresive dhe çmimet e lira të intervenimeve nuk duhet të bëhen arsyeja e vetme që pacienti të zgjedh një qendër të caktuar ose një kirurg të caktuar.

Çdo pacient, para se të vendos të bëj intervenimin, duhet të interesohet mirë lidhur me kualifikimet e kirurgut, përvojën e tij me intervenimet e këtij lloji, standardet e tij të punës dhe me mënyrën e selektimit të pacientëve, si dhe me përkushtimin e tij, para intervenimit dhe pas realizimit të tij.

Cila dioptri mund të korrigjohet me intervenimin me laser?

Me laserin Excimer mund të korrigjohen deri në 7 dioptri (-) (miopi), deri në 5 dioptri (+) (hipermetropi) dhe deri në 4 dioptri me cilindër (astigmatizëm).

Në rastet kur dioptria është më e madhe se dioptria në fjalë, pacienti mund të bëj intervenimin refraktiv, por jo me laser.

Në rastet e këtij lloji me intervenimin përkatës bëhet implantimi i thjerrëzave brenda syve (implantohen thjerrëza intraokulare). Ky lloj intervenimi gjithashtu bëhet me përdorimin e pikave, me anestezi lokale, me një prerje minimale prej 2-3mm, prerje kjo me të cilën hiqet thjerrëza e syrit me metodën e fakoemulsifikimit dhe në vend të saj brenda syrit implantohet thjerrëza artificiale.

Sot kemi më shumë thjerrëza të këtij lloji (sferike, torike, multifokale, etj.), por zgjedhja e thjerrëzës varet nga nevoja, mosha e pacientit, lloji i dioptrisë dhe faktorë të tjerë.

Korrigjimi i dioptrisë me laser sot trajtohet si një intervenim i sigurt dhe një metodë e suksesshme që mundëson shikim të qartë dhe preciz, pa pasur nevojë të mbahen syze ose thjerrëza.

Kjo procedurë mundëson një sërë përfitimesh. Mbi 10 vjet me radhë ajo mundëson të përmirësohet  cilësia e jetës së milionë individëve në mbarë botën, ndërsa vitin e fundit ky intervenim dhe teknologjia moderne mund të gjenden edhe në Maqedoni.

Pyetjeve iu përgjigj: Op. Dr. Salih Bozkurt, mjek i Spitalit Evropian të Syve