LAJMI I FUNDIT:

Korte: S’mjaftojnë vetëm fjalët

Korte: S’mjaftojnë vetëm fjalët

Kosova dhe BE-ja janë takuar për herë të dytë në kuadër të Dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit. Ky takim i dytë i mbajtur në Prishtinë është përqendruar fillimisht në prioritetet e sundimit të ligjit të përcaktuara nga Studimi i Fizibilitetit për një Marrëveshje të Stabilizim Asocimit në mes të BE-së dhe Kosovës.

“Forcimi i sundimit të ligjit është në qendër të procesit të zgjerimit të BE-së, prandaj edhe është qenësor për progresin e Kosovës drejt Evropës. Dialogu i Strukturuar për Sundimin e Ligjit është një instrument i rëndësishëm që na mundëson t’i ndihmojmë Kosovës në fuqizimin e gjyqësorit dhe ta mbështesim atë në përpjekjet për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Sot, unë e kam mirëpritur zotimin e qeverisë për të siguruar se prioritetet afatshkurta për sundimin e ligjit të Studimit të Fizibilitetit do të plotësohen së shpejti”, citohet të ketë thënë Joost Korte, zëvendës drejtor i përgjithshëm në Drejtoratin për Zgjerim në Komisionin Evropian, transmeton “Zëri”.

Ai ka shtuar se në mënyrë që Kosova të ecë para drejt integrimit evropian, institucionet e saj duhet të tregojnë nivel të lartë e të vazhdueshëm të angazhimit politik për të bërë reforma të nevojshme, dhe për të arritur rezultate sa i përket legjislacionit, implementimit dhe fuqizimit.


“Veprat flasin më shumë se sa fjalët”, tha Korte.

Takimi i radhës i Dialogut të Strukturuar për Sundimin e Ligjit është planifikuar të mbahet në shtator.

Ndërkaq, Komisioni për progresin e Kosovës, po sot ka prezantuar raportin e parë për progresin të cilin e ka arritur Kosova në përmbushjen e kërkesave të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Komisioni e ka vlerësuar progresin e Kosovës në secilën pjesë të udhërrëfyesit për viza dhe ka dhënë disa rekomandime për autoritetet kosovare në fushat ku kërkohet veprim vendimtar për të fituar udhëtimin pa viza për qytetarët e saj. Raporti po ashtu vlerëson sigurinë potenciale dhe ndikimin në migrim nga liberalizimi i vizave me Kosovën.

“Ky raport vlerëson të dhënat e Kosovës për miratimin dhe implementimin e legjislacionit dhe reformave, ashtu siç janë paraqitur në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, me fokus në legjislacionin e Kosovës”, thuhet në një njoftim të Zyrës së BE-së në Kosovë.

Kjo, sipas këtij raporti, tregon se Kosova ka krijuar një kornizë ligjore dhe institucionale për ripranim, riintegrim, sigurim të dokumenteve, menaxhim të kufijve/kufirit administrativ, migrim, azil, luftë lundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, bashkëpunim të policisë dhe gjyqësorit, mbrojtje të të dhënave dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.

Raporti identifikon dy pjesët e reja të legjislacionit që Kosova duhet t’i miratojë: një ligj për bashkëpunim ndëragjencor në menaxhimin e integruar të kufirit dhe një ligj për luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.

“Disa prej pjesëve të tjera të legjislacionit, si ligjet për emra, për të huajt, për azil, kontroll të kufirit, financim të partive politike dhe draft ligji për ndërhyrjen e telekomunikacionit, kërkojnë plotësime ose ndryshime, në mënyrë që të sigurohet se ato janë në përputhshmëri me standardet e BE-së. Dispozitat e kodit të ri penal dhe kodit të procedurës penale duhet të qartësohen si dhe draft ligji për rikthimin e aseteve duhet po ashtu të miratohet”, thuhet më tej në njoftim.

Kapaciteti aktual i Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, sipas raportit në fjalë, “mbetet i kufizuar”, me një ndikim potencialisht të madh në sigurinë e brendshme të BE-së.

“Norma e refuzimit të vizave për aplikuesit nga Kosova ndryshon sipas zonës “Schengen”, përderisa numri i qytetarëve të Kosovës të cilëve u është refuzuar hyrja në BE është dyfishuar së fundi. Numri i qytetarëve që qëndrojnë në mënyrë ilegale ose të cilët kërkojnë azil në BE ka rënë, dhe numri i aplikacioneve në pritje për riatdhesim duhet të zvogëlohet”, citohet raporti i Progresit të Kosovës.

Në fund të këtij viti, Komisioni do të bëjë një vlerësim të mëtutjeshëm, duke u fokusuar në veçanti në përpjekjet e Kosovës për t’i miratuar rekomandimet e këtij raporti. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Vuçiq e quan “hipokrit” reagimin e ndërkombëtarëve për ndalimin e qytetarëve të Kosovës

Vuçiq e quan “hipokrit” reagimin e ndërkombëtarëve për ndalimin e qytetarëve të Kosovës

Lajme
Britania e Madhe reagon për protestën para Bashkisë së Tiranës: Molotovi nuk ka vend në demokraci

Britania e Madhe reagon për protestën para Bashkisë së Tiranës: Molotovi nuk ka vend në demokraci

Lajme
11-vjet nga marrëveshja e nënshkruar nga Thaçi dhe Daçiq, deklarohet Stano: Themelimi i Asociacionit, ndër çështjet më urgjente

11-vjet nga marrëveshja e nënshkruar nga Thaçi dhe Daçiq, deklarohet Stano: Themelimi i Asociacionit, ndër çështjet më urgjente

Lajme
​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

Siguri
SHBA-ja synon ta

SHBA-ja synon ta "fortifikojë" Ballkanin Perëndimor

Lajme
Haradinaj kritikon ashpër Kurtin: Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet herëdokur

Haradinaj kritikon ashpër Kurtin: Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet herëdokur

Politikë
Kalo në kategori