LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe zgjedhjet në Shqipëri

Fushata për zgjedhjet parlamentare në Republikën e Shqipërisë ka ditë që ka filluar zyrtarisht. Është një proces në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit zgjedhor por që, natyrshëm, përcillet edhe me emocione të opinionit shqiptar kudo në botë, pjesë e pandarë e të cilit jemi dhe ne, shqiptarët e Republikës së Kosovës.

Si bashkëkombës ne i përjetojmë më tepër se të tjerët gjithë zhvillimet në Shqipëri, përjetojmë ecurinë e procesit zgjedhor, transparencën demokratike të votimit në ditën e zgjedhjeve (23 qershor) dhe rezultatin e dalë nga votimi. Përjetimi ynë është tërësisht i ligjshëm, kurse teprimi në emocionalitetin e këtij përjetimi mendoj se mund të jetë i dëmshëm.

Mendoj kështu, sepse: fqinjët, në çdo nivel organizimi, nga familja, fisi, njësia administrative e deri te shteti, kurrë nuk kanë qenë dhe kurrsesi nuk mund të jenë indiferentë për zhvillimet e njëri-tjetrit. I kanë përjetuar këto zhvillime në vartësi të raporteve të mëparshme, pozitivisht apo negativisht.

Në fqinjësinë shtetërore, ku për hir të minoriteteve dhe të pretendimeve kufitare, kundërtia mbisundon mbi mirëkuptimin dhe solidaritetin, politika dhe, pas saj, opinioni bëhen “tifozë” të një zgjedhjeje dhe zgjidhjeje në favor të shtetit të vet. Kjo është rregullsia e funksionimit të logjikës politike dhe praktika mes shteteve me status dhe histori të njohur e të afirmuar ndërkombëtarisht.

Republika e Kosovës, si shtet me “moshë” fare të re, që po përjeton zvarritjen “politike” të njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimin në OKB, është shfaqur dinjitoze në qëndrimet dhe reagimet e saj për zhvillimet politike të fqinjëve të vet, maqedonas, malazias dhe serbë. Politikisht dhe ca më pak institucionalisht Republika e Kosovës nuk shfaqi asnjë indikacion, që mund të konsiderohet si “anësi” në zhvillimet politike ndër ta. Kosova ende nuk e ka arritur “komoditetin” që politikisht dhe shtetërisht të “ndërhyjë” dhe të “ndikojë” në zhvillime të rëndësishme te shtetet fqinjë.

Raporti Kosovë-Shqipëri, që është sanksionuar dhe njihet botërisht si raport ndërshtetëror, në kushtet kur ndihemi dhe realisht jemi një komb i ndarë politikisht në dy shtete shqiptare, kushtëzon qëndrimin dhe reagimin tonë “nxehtësisht” emocional ndaj zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri.

Dihet ekzistenca e dy shteteve shqiptare që është rrjedhojë e një padrejtësie politike ndërkombëtare të ndodhur 100 vjet më parë. Gjashtë Fuqitë e Mëdha e ndan territorin dhe kombin tonë arbitrarisht. Prandaj edhe ndjeshmëria e shqiptarëve të Kosovës për zgjedhjet në Shqipëri është e përligjur.

Kemi qenë, jemi dhe, domosdoshmërisht, do të mbetemi të lidhur, sepse kemi të përbashkët gjuhën, territorin, zakonet. Kemi miq e jo miq të përbashkët rajonalë e ndërkombëtarë. Por, kjo nuk është dhe nuk mund të shërbejë si argument për ndikimin e politikës dhe opinionit kosovar për zgjedhjet dhe rezultatin e tyre në Shqipëri. Por, politika shqiptare, ndonëse duke njohur ndjeshmërinë tonë ndaj zhvillimeve në Shqipëri, nuk ka munguar të provokojë.

– Erdhi dhe u prit nga ne z. Sali Berisha

– U prit në nivele intelektuale z. Edi Rama.

– U shfaq në media kërkesa e ish-kryeministrit, z. Pandeli Majko, për marrjen e shtetësisë së Republikës së Kosovës.

Këto mbaj mend. Mund të ketë, por dhe mund të shfaqen edhe vizita dhe ide të tjera…

Besoj se opinioni, por edhe mbarë spektri politik shqiptar në Kosovë janë tepër të interesuar dhe tërësisht të predispozuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Shqipëri. Të gjithë dëshirojnë dhe urojnë zgjedhje në funksion të konsolidimit të demokracisë dhe të integrimit të Shqipërisë në BE, të prosperitetit të gjithanshëm ekonomik, arsimor e kulturor, të rritjes së rolit dhe autoritetit të shtetit shqiptar në rajon, kontinent dhe më gjerë, si dhe të fuqizimit të zërit të Shqipërisë për afirmimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës.

Zgjedhjet në Shqipëri janë në prag. Duke qenë bashkëkombës jemi të interesuar për mbarëvajtjen, por natyrshëm edhe tifozë. Bashkëkombësia na jep të drejtën për të qenë edhe “tifozë” në ndeshjen politike të partive në Shqipëri, por na “penalizon” në hedhjen e “shisheve plastike” në fushën e lojës elektorale.

(Autori është nënkryetar i parë i Kuvendit të Republikës së Kosovës)