LAJMI I FUNDIT:

Kosova ka (zero presje tridhjetë e gjashtë) 0.36 kombëtare futbolli

Kosova ka (zero presje tridhjetë e gjashtë) 0.36 kombëtare futbolli

Ky titull është përgjigja ime për të gjithë ata që mendojnë se Kosova i ka tri përfaqësuese futbolli: Atë të Kosovës, atë të Shqipërisë dhe Zvicrës!

Është normale që ne të anojmë për ekipe me të cilat gjejmë diçka të përbashkët. Uunë jam tifoz edhe i Uellesit pasi atje kam studiuar. Por tifozeria është diçka tjetër prej pohimeve dhe nxjerrjes së krenarisë nga diçka që nuk ka të bëjë as me ty as me shoqërinë në të cilën jeton.


Të arriturat çoftë në sport shkencë apo muzikë varen ekskluzivisht nga organizimi shoqërorë dhe orientimi i fondeve dhe energjisë në ndërtimin e këtyre kapaciteteve. Këto arritje nuk janë reflektim i zhvillimit shoqërorë, standardit të një vendi të caktuar apo madhësisë së tij në territor apo popullatë. Për ilustrim mund të merren rezultatet e Hungarisë (vendi i 12) dhe Indisë (vendi 67) në Lojërat Olimpike në Rio De Janeiro.

Kësaj duhet shtuar faktin se në Zvicër jetojnë 250 mijë kosovarë, dhe helvetët nga ta i ka nxjerrë së paku pesë lojtarë secili prej tyre më i mirë se cilido lojtarë tjetër nga 5.7 milionë shqiptarë e kosovarë të rritur në Kosovë e Shqipëri (kjo për adhuruesit e kombit e gjakut, si Visar Ymeri) e Serbia tenistin më të mirë në botë e ka nxjerrë nga një Kosovarë, përderisa 1.7 milion Kosovarë të tjerë kushtimisht “s’kan lidhje me tenis” (Kjo për dashamirët e kombit etatist si Halil Matoshi).

T’i kthehemi futbollit të Kosovës. Në Kosovë ka tifozë të futbollit që i dinë të gjitha të dhënat për lojtarët verdh e kaltër. Kjo gjë është shumë e bukur siç është edhe fakti që sportistët nga diaspora mbajnë një lidhje me Kosovën dhe e ndihmojnë atë ashtu si edhe tërë ekonomia kosovare, e cila varet gati ekskluzivisht nga Diaspora.

Debati i sportit çoroditet kur në këtë tregim futen njerëzit që fillojnë të interpretojnë ekipin në kuadër të agjendave politike, në marrëdhëniet Kosovë Shqipëri dhe kontekste të tjera politike, duke u munduar që në këtë ekip të gjendet mburrje nacionale, identitete, dhe persiatje të tjera nacionaliste etatiste në stilin shiko çka po bëjmë ne. Këto dëlirë i lejohen tifozit mesatar por këto nuk i lejohen asaj që do duhej të jetë elite për shembull njerëzve që me para publike kanë përfunduar doktoratura në ekonomi.

Nëse kemi elitë atëherë ajo nuk duhet të jetë tifoz i ekipit të Kosovës por duhet të shikojë këtë nga ana, së pari kritike e pastaj edhe analitike dhe objektive se çfarë sporti ka Kosova dhe ku është duke shkuar, duke e përdorur këtu edhe formacionin e ekipit Verdh e Kaltër.

Mund të diskutojmë faktin që sipas të dhënave nga Wikipedia (Pasi faqja e FFK-së nuk i ka emrat e formacionit e as rezultatet e fundit) vetëm 8 nga 22 lojtarët e ekipit të Kosovës kanë lindur në Kosovë (8/22=0.36). Ndërsa vetëm 6 është numri i lojtarëve që ndonjëherë kanë luajtur për një ekip të Kosovës, që e shpjegon edhe titullin e këtij teksti.

Mund të diskutojmë pse lojtari më i mirë i shkollës kosovare të futbollit Fatos Beqiraj luan për Malin e Zi.

Mund të diskutojmë se cili është motivimi i një të riu kosovar nëse sheh se vetëm ata që kanë lëshuar Kosovën janë bërë futbollistë të mirë.

Mund të diskutojmë ndërhyrjet politike në sport siç është ai i Kadri Veselit me premtime për miliona euro shpërblime në mënyre jashtligjore duke i diskriminuar të gjithë sportistët femra dhe të gjithë sportistët e sporteve tjera.

Mund të diskutojmë se si vetëm me futje në FIFA e UEFA, Kosova ka arritur të nxjerrë së paku formalisht politikën (dhe SHIK-un) nga FFK-ja.

Mund të diskutojmë çfarë imazhi i sjellë ky ekip Kosovës kur na quajnë “nomad” pasi nuk kemi stadion, ndërsa disa lojë si mysafir i luajmë në vende neutrale se shteti tjetër nuk na pranon. Si arkitektët kosovarë nuk kanë mundur që të bëjnë një plan së paku të pranueshëm në UEFA pë renovimin e stadionit?

Nëse njerëzit përzihen në sport do i ishte mirë që të mbajnë një nivel dhe të mos mbeten vetëm tifoz, apo nëse donë të bëhen vetëm tifoz edhe diskutimet për këtë gjë të mbajnë në nivel të tifozllokut.

Të flasim se çka duhet të jetë sporti në Kosovë dhe sa metra asfallt ma pak duhet t’i shtrojmë që kosovarët e rinjë të mund të bëhen sportistë kulminant, apo të kenë shansë që të miren me sport.

Debatet se kë sa a duhet ta dojmë ekipin e Shqipërisë, Kosovës, Zvicres, Uelsit, Gjermanisë, Turqisë apo të Malit të Zi, janë kot, kot, kot, kot….KOT.

Autori është gazetar kosovaro-zviceran