LAJMI I FUNDIT:

Kosova, më keq se Bosnja

E di që shumë lexues sapo të lexojnë një koncept që më duhet ta përdorë në vijim, do ta hedhin tekstin mënjanë dhe nuk do ta lexojnë argumentimin e mëtutjeshëm. Do të thonë çfarë po na duhet kjo tani kur ne kemi këtë e atë problem. Prandaj, e kam të vështirë të shpjegoj rrënjët dhe rrugëzgjidhjet e shumë problemeve në Kosovë edhe pse ato janë të qarta si kristal.

Unë e kuptoj se ka njerëz që e kuptojnë vështirë matematikën apo nuk e kuptojnë fare, por nuk i kuptoj ata që duke mos e ditur matematikën e duke mos u përpjekur për ta kuptuar mendojnë se matematika është e parëndësishme. E deshëm apo jo matematikën, ligjet e saj funksionojnë në jetën tonë.


Kështu është edhe me teorinë për kombet. Neve mund të mos na interesojë se ç’është kombi dhe si funksionon ai. Ne mund ta konsiderojmë se është e mjaftueshme që bashkësinë tonë etnike ta quajmë komb dhe të kënaqemi me kaq. Por, kombet funksionojnë sipas ligjeve të caktuara, dhe ne nuk zgjidhim punë nëse i injorojmë këto.

Ata që i thonë vetit intelektualë duhet të jenë të pajisur me durim dhe të mos jenë të ngarkuar me paragjykime. Vetëm të tillëve mund t’u shpjegojë se çfarë po ngjet në relacionin Prishtinë-Beograd.

Një ditë, një i panjohur në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë më provokoi se cilit komb i takojnë serbët e Kosovës pas marrëveshjes Thaçi-Daçiq. I thash që i takojnë të njëjtit komb të cilit i kanë takuar pas miratimit të Pakos së Ahtisaarit! E cilit komb pra i takuakan serbët e Kosovës në bazë të paketës së Ahtisaarit? Iu përgjigja se me paketën e Ahtisaarit ata mund t’i shfrytëzojnë të drejtat e komunitetit pakicë në Kosovë, por ata mbesin pjesë integrale e kombit serb. Kjo është arsyeja pse shteti i Kosovës konsiderohet “sui generis”.

Sipas Pakos së Ahtisaarit të implantuar në Kushtetutën e Kosovës, serbët e Kosovës mund ta mbajnë shtetësinë e Serbisë. D.m.th ata janë shtetas të Serbisë me banim të përhershëm në Kosovë, për dallim prej turqve, boshnjakëve etj. që janë vetëm komunitete minoritare në Kosovë. Serbet mund t’i shfrytëzojnë edhe të drejtat e tyre si komunitet minoritar në Kosovë.

Përderisa shkollat shqipe në Kosovë janë shkolla kosovare në gjuhën shqipe e jo shkolla të Shqipërisë në territorin e Kosovës, përderisa shkollat boshnjake në Kosovë janë shkolla kosovare në gjuhën boshnjake e jo shkolla të Bosnjës në territorin e Kosovës, përderisa shkollat turke në Kosovë janë shkolla kosovare në gjuhën turke e jo shkolla të Turqisë në territorin e Kosovës, shkollat serbe në Kosovë nuk janë shkolla kosovare në gjuhën serbe, por janë shkolla të Serbisë në territorin e Kosovës. Këto shkolla paguhen me para të taksapaguesve të Kosovës, por plan-programet dhe përgjegjësinë akademike ia japin Ministrisë së Arsimit të Republikës së Serbisë.

Kështu, derisa hoxhallarët dhe priftërinjtë katolikë e kanë të ndaluar me ligj të ligjërojnë në shkollat publike në Kosovë, priftërinjtë serbë paguhen nga buxheti i Kosovës për të ligjëruar në shkollat e Serbisë në Kosovë.

Po ashtu, me pako të Ahtisaarit, kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë mbesin prona te Kishës serbe dhe jo prona të qytetarëve ortodoksë të Kosovës.

Pse është kjo kështu? Sa është e drejtë etj. le të gjykojë secili, por kjo është Pako e Ahtisaarit, kjo është Kushtetuta e Kosovës e votuar nga të gjithë deputetët e Kosovës, në përjashtim të Numan Baliqit.

Pse atëherë ne shqiptarët e Kosovës u dashka me qenë komb kosovar dhe jo komb shqiptar më pyeti provokatori i panjohur në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë? I thash pse nuk e ke pyetur Ahtisaarin por po më pyet mua. S’kam ditë atëherë me e pyet se i kam besuar Hashim Thaçit po prej kur e kam pa që Daçiqi po e cakton datën e zgjedhjeve në Kosovë më nuk i besoj.

I tregova se përderisa serbi i Kosovës e ka pasaportën e Serbisë e ti nuk e ke pasaportën e Shqipërisë, ai është pjesëtar i kombit serb, ndërsa ti nuk je pjesëtar i kombit shqiptar. Shyqyr që Kosova është shtet dhe ti si shqiptar etnik i takon kombit kosovar, përndryshe nuk do t’ishe pjesëtar i asnjë kombi.

Këtu gjithnjë jemi të Ahtisaarit. Por, çfarë po ndodhë me marrëveshjen e prillit mes Prishtinës dhe Beogradit.

Me marrëveshjen Thaçi-Daçiq të miratuar nga Parlamenti i Kosovës, tani Serbia në Kosovë jo vetëm që ka qytetarë të sajë me banim të përhershëm në Kosovë, jo vetëm që ka shkolla, fakultete e spitale të saja në Kosovë, jo vetëm që ka kisha e manastire të saja në Kosovë, por ka edhe institucione shtetërore në Kosovë. Në fakt, ato i kishte edhe deri më tani, por tani me marrëveshje po legalizohen.

Tani në ligjin kushtetues të Serbisë që do të ndryshojë si rezultat i marrëveshjes do të futet Bashkësia e Komunave Serbe në Kosovë si kategori e saj kushtetuese.

Komuna e Graçanicës do të jetë njëkohësisht komunë e Republikës së Kosovës dhe e Republikës së Serbisë. Përgjegjësitë e saj do të jenë të dyfishta. Kryetari i Graçanicës do të zgjidhet me ligjin zgjedhor të Kosovës, por votuesit përveçse qytetarë të Kosovës do të mund të jenë edhe qytetarë të Serbisë pa qenë fare qytetarë të Kosovës, sepse lista e zgjedhësve do të miratohet me marrëveshje ku nuk do të kërkohet letërnjoftimi i Kosovës.

Me një fjalë, Bashkësia e Komunave serbe do të jetë pjesë integrale e Republikës së Serbisë po edhe pjesë integrale e Republikës së Kosovës. Kështu, shteti Kosovës dhe ai i Serbisë lidhen mes vete në mënyrë organike si vëllezërit siamezë, në ndërkohë që Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, por edhe nëse dikur e njeh kjo lidhje siameze nuk e humb rrolin e vet.

Kështu, për dallim nga Bosnja që sovranitetin e vet nuk e realizon për shkak të ndarjes nga brenda, Kosova edhe kur të bëhet anëtare e OKB, sovranitetin e vet do ta ketë të kufizuar edhe nga jashtë në bazë të marrëveshjes së ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës.

Vetëm ajo çfarë ngjau me deputetë t e “Vetëvendosjes”, jep një fije shprese se një ditë, kur Kosovën do ta udhëheqin mendje me të ndritura e më patriotike, Gjykata Kushtetuese e Kosovës apo GJND në Hagë do të gjejnë ndonjë vrimë procedurale a lëndore që ta anulojnë ratifikimin në fjalë, por edhe kjo do të jetë gati e pamundur pasi që ratifikimi i marrëveshjes do të krijojë realitete të reja në terren.