LAJMI I FUNDIT:

Kosova në qershor, qendër botërore e tolerancës ndërfetare

Kosova në qershor, qendër botërore e tolerancës ndërfetare

Javën e ardhshme në Prishtinë do të mbahet konferenca më e madhe e dialogut ndërfetar në Evropë, ku tashmë pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe dy Nobelistet e paqes Shirin Ebadi edhe Tawakkol Karmen. Fokusi i konferencës do të jetë tek roli i gruas në luftimin e ekstremizmit.

Konferenca e pestë vjetore e Nismës për Dialog Ndërfetar këtë vit do të sjell numër rekord të liderëve fetarë, akademikëve, gazetarëve dhe diplomatëve nga mbi 50 shtete në botë, që do të vijnë në Prishtinë për të diskutuar për tema të promovimit të dialogut midis religjioneve si dhe luftimit të ekstremizmit.

Këto ditë Kosova ka qenë në qendër të vëmendjes mediale për shkak të një shkrimi në New York Times që ka zgjuar shume polemika rreth asaj se sa është i përhapur ekstremizmi i dhunshëm në Kosovë.

Megjithatë, ka gjasa që fokusi javën e ardhshme të jetë i kundërt – në rolin pozitiv që Kosova mund të luan në promovim të tolerancës ndërfetare.

Në mes të pjesëmarrësve të nivelit të lartë, tashmë është konfirmuar se në Kosovë për herë të parë do të vijnë edhe dy Nobelistet e Paqes, Dr Shirin Ebadi nga Irani, që është myslimanja e parë që ka fituar Çmimin Nobel ndonjëherë më 2003 si dhe Tawakkol Karmen nga Jemeni, që është gruaja arabe që ka fituar çmimin më prestigjioz në botë për promovim të paqes.

Konferenca organizohet nga një koalicion i organizatave që punojnë në promovim të dialogut ndërfetar si Fondacioni Tony Blair për Fetë, Komuniteti Shën Exhidio dhe Instituti Ndërkombëtar për Dialog Ndërfetar, ndërsa tash e disa vite ky organizim gëzon edhe mbështetje të Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Ministri i Jashtëm në detyrë Petrit Selimi konfirmon se dy Nobelistet e Paqes do ta vizitojnë Prishtinën.

Selimi për Zëri deklaroi: “Jemi krenarë që çdo vit po rritet numri i të interesuarve dhe rëndësia e projektit të dialogut ndërfetar në Kosovë. Ekstremizmi nuk luftohet vetëm me mjete të ligjit apo burgut por edhe me promovimin e tolerancës tonë historike dhe kjo konferencë është një mundësi e mirë e fokusimit në agjendën e dialogut dhe respektit. Kosova ka cka të mëson prej tjerëve por edhe ka çka t’i mëson të tjerët sa i përket pajtimit, paqebërjes dhe respektit të drejtave të minoriteteve”.

Koordinatorja e konferencës znj. Rebecka Frohm nga Suedia deklaroi për Zërin se këtë vit është thyer rekordi sa i përket pjesëmarrjes në Konferencë. Frohm tha se “mbi 250 mysafirë tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen prej të gjitha anëve të botës dhe jemi të lumtur që shumë sponsor sivjet kanë ndihmuar mbajtjen e konferencës nga Ambasadat e ndryshme e deri tek organizatat ekumenike. Kjo projekton një mirëbesim tek miqtë e Kosovës se ky shtet i ri ka një pozitë unike në botë për të afirmuar agjendën e tolerancës, sidomos për shkak të eksperiencës së hidhur në të kaluarën”.

Agjenda e konferencës është e fokusuar tek tematika e rolit të gruas në promovim të dialogut dhe luftimit të ekstremizmit. Konferenca fillon më 31 maj dhe do të hapet nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ndërsa folës gjatë 3 ditëve do të jenë edhe liderët tjerë institucionalë. Pritet që nëpërmjet video-linkut konferencës t’i adresohet edhe Kryetari i Londrës Sadik Khan, që është njëherësh edhe prefekti i parë musliman i kryeqyteteve të BE-së, ndërsa pjesëmarrës ka edhe rabina nga Izraeli, ipeshkvë nga Amerika Latine por edhe diplomatë amerikanë, europianë si dhe gazetarë me nam që e mbulojnë temën e fesë për media globale.

Kjo është hera e pestë që në Kosovë po organizohet një tubim vjetor i nismës për dialog ndërfetar. Vitin e kaluar folës kryesor ishin Rabini i Oslos Melchior i cili njëherësh ishte edhe zëvendës ministër i jashtëm i Izraelit si dhe Drejtoresha e Facebook për zhvillime politikash Monika Bickert. Zëri do të sjell reportazhe dhe intervista ekskluzive nga pjesëmarrësit dhe panelet në ditët në vijim. /Zëri/