LAJMI I FUNDIT:

Kosova përfiton nga BREXIT-i (Video)

Kosova përfiton nga BREXIT-i (Video)

Dalja e Mbretërisë së Bashkuar duket se ka pasur ndikim pozitiv në uljen e normave të interesit për huamarrjen shtetërore.

Në ankandin që u mbajt dje nga Ministria e Financave, kërkesa për të blerë letrat me vlerë shënoi 51.86 milionë euro, mirëpo Ministria e Financave pranoi vetëm 30 milionë euro, aq sa ishte lajmëruar se do të shiteshin.


Për këtë ankand, norma e interesit doli të jetë 0.76 për qind vjetore, apo krahasuar me normën e interesit të ankandit të kaluar kishte një rënie prej 40 pikësh bazë.

Sipas komunikatës së Ministrisë së Financave, njëra ndër arsyet kryesore për këtë rënie të normës është rezultati i referendumit për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE.

Më tutje thuhet se kjo ka bërë presion në normat e kthimit të obligacioneve të shteteve evropiane, duke i dërguar edhe më tutje në territor negativ.

Si rezultat, obligacionet e Republikës së Kosovës janë bërë më atraktive për institucionet financiare në vend.

Emetimi i Obligacioneve Qeveritare ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare të Shtetit si dhe në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për zhvillim ekonomik nga sektori real.

Ministria e Financave shpjegon se normat e ulëta nënkuptojnë besueshmëri në Republikën e Kosovës si dhe kosto më të lirë të huamarrjes, gjë e cila ndikon drejtpërdrejtë në koston e investimeve në projekte zhvillimore.

Blerësit sipas kategorive të obligacioneve Qeveritare të Ankandit të fundit janë Bankat: 25.94 milion euro dhe Fondet Pensionale: 4.06 milionë euro. /Tribuna Channel/