LAJMI I FUNDIT:

Kosova pret përgjigjen e Shqipërisë për Kodin +355

Kosova pret përgjigjen e Shqipërisë për Kodin +355

Ministri i Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj, ka njoftuar dje Kuvendin e Kosovës se aktualisht është në pritje të përgjigjes nga autoritetet e Shqipërisë për lejimin ose jo të Kodit +355 për Kosovën.

Shfrytëzimin e Kodit të shtetit shqiptar e ka kërkuar Kuvendi i Kosovës me Rezolutë te veçantë, të iniciuar nga deputetët e Lëvizjes për Bashkim. Beqaj ka shpjeguar se ditë me parë ka realizuar një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ç’rast është dakorduar me ministrin Polo për lidhjen e një memorandumi bashkëpunimi dhe krijimin e një komisioni ndërshtetëror.

Në cilësinë e ministrit, ai ka thënë se ka emëruar grupin që do ta përfaqësoj Qeverinë, Kuvendin dhe Rregullatorin e telekomunikacionit, të cilin do ta kryesojë deputeti Agim Kuleta dhe drejtori për telekomunikacion në MZHE. “Ne jemi të gatshëm për ta marrë Kodin +355, por ata në Shqipëri e kanë obligim të flasin me ITU-në. Kam kërkuar që këtë ta bëjnë sa më shpejt dhe ta bindin ITU-në pse është me rendësi që Kosova ta shfrytëzojë këtë kod”, ka thënë Beqaj, raporton Koha.

Kërkesa për ndërrim të kodit telefonik e cila është bërë në shtator të këtij viti është arsyetuar me humbjet e mëdha financiare, që pretendohet se kapin shifra prej qindra milionash, e të cilat i ka pësuar dhe i pëson shteti i Kosovës nga shfrytëzimi i kodeve të huaja telefonike: të Monakos, Serbisë, e Sllovenisë. Kosova, duke mos qenë anëtare e OKB-së dhe Unionit Ndërkombëtar për Telekomunikacion, nuk mund të ketë kod të vetin telefonik. /Telegrafi/