LAJMI I FUNDIT:

Krimet kibernetike dhe abuzimi me fëmijët në Kosovë (Video)

Krimet kibernetike dhe abuzimi me fëmijët në Kosovë (Video)
-->

Që nga fillimi i këtij viti e deri në muajin shtator në Kosovë janë regjistruar 28 raste të krimit kibernetik apo krimit përmes internetit, të paraqitura në Policinë e Kosovës.

Shumica e rasteve që janë paraqitur kanë të bëjnë me ndërhyrjet në sisteme kompjuterike duke u shkaktuar dëme materiale kompanive të ndryshme. Ndërsa, brenda nëntë muajve janë regjistruar edhe katër raste të keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi.

Këto të dhëna i ka publikuar për Kosovapress, zëvendësministri i ministrisë së Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, i cili është edhe Koordinator Nacional për Siguri Kibernetike.

Mustafa ka thënë se të gjitha rastet janë duke u hetuar nga policia, disa prej të cilëve edhe kanë arritur të zgjidhen pas hetimeve të shumta.

“Po flasim për vitin 2016, prej janarit deri në muajin shtator 2016, sektori i krimeve kibernetike në Policinë e Kosovës janë hapur 28 raste të ndryshme që janë kryesisht, janë kryer edhe 138 ftesa të ndryshme në regjione të ndryshme nga ana e policisë së Kosovës. Prej këtyre 28 rasteve të cilat tashmë janë hapur, 22 raste ndërlidhen me nenin 339 të Kodit Penal të Kosovës që është hyrje në sistemin kompjuterike dhe kryesisht kanë të bëjnë me mashtrimet e kompanive duke u bërë ndërhyrje të email-adresave e tyre. Ndërsa kemi edhe katër raste të tjera të cilat ndërlidhen me nenin 238 që është keqpërdorim i fëmijëve ë pornografi ndërsa dy raste të tjera ndërlidhen me nenin 307 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës që është lëshim i çeqeve të ndryshme pa mbulesë ose që janë të rreme dhe keqpërdorim i kartelave bankare apo të kreditit që ka ndodh në dy banka të Republikës së Kosovës”, është shprehur Mustafa.

Koordinator Nacional për Siguri Kibernetike ka deklaruar se me zgjerimin e përdorimit të internetit, janë shtuar edhe rreziqet sa i përket vet përdorimit të internetit dhe në këtë drejtim, sipas tij, edhe siguria kibernetike po del të jetë vazhdimisht para sfidave të mëdha, pasi Kosova ende nuk i ka arrit kapacitetet maksimale në këtë drejtim.

Zëvendësministri Mustafa ka folur edhe për blerjet online në vendin tonë.

Ai ka porositur qytetarët që të kenë kujdes para çdo blerje duke hulumtuar fillimisht për kompaninë ku po blejnë.

“Lidhet me atë që e thash do me thënë për blerjet online qytetarët duhet të kenë parasysh para se të bëjnë një bërje online të hyjnë të lexojnë se cilat janë kapacitetet e asaj kompanie, sa është serioziteti i asaj kompanie apo mos të ndodh qysh ka ndodh shpeshherë qytetarë kanë bërë pagesa online në kompani fiktive të cilat kanë ekzistuar si emra por që realisht nuk kanë ekzistuar asnjëherë si biznese të cilat kanë operuar. Po themi këtu nuk mund të themi saktësisht që duhet të zhvillohet blerja online apo mos të zhvillohet blerja online për arsye se bërjet online zhvillohen në tërë botën dhe kjo ka dëshmuar se e lehtëson jetën e qytetarëve sa i përket blerjeve të ndryshme, mirëpo po e themi edhe një herë kjo duhet të bëhet me shumë kujdes sepse pastaj sanimi i dëmeve mund të jetë shumë më i vështirë”, ka thënë Mustafa.

Ai tutje thotë se qytetarët duhet të kenë kujdes më të madh duke mos hapur email-a të panjohur dhe duke mos përdorur USB të ndryshme, qoftë edhe ato që i marrin si dhuratë nga institucione apo organizatat e ndryshme.

“Mënyra më e lehtë e depërtimit të viruseve të ndryshëm të cilët pastaj mund t’i detektojnë ato të dhëna që janë në një adresë të caktuar është pikërisht çështja përmes USB-ve. Pra po themi edhe një herë, duhet të kemi parasysh që qytetarët ta kuptojnë një herë e përgjithmonë që duhet të jenë të kujdesshëm, të lexojnë më shumë sa i përket përdorimit e natyrisht sa herë që të vërejnë diçka të dyshimtë të raportojnë në Policinë e Kosovës pastaj policia ose sektori i krimeve kibernetike mund të merret me hetim dhe të analizoj rastin. Shumë kompani ne i kemi parë që kanë rënë edhe pre e mashtrimeve të ndryshme gjatë transaksioneve të ndryshme bankare për arsye se ata të cilët keqpërdorin, analizojnë një kohë të gjatë dokumentet e një kompanie të caktuar, shohin se si në një shifër të gjatë qoftë të xhirollogarisë ose ndonjë shifër tjetër, një shkronjë mund ta ndryshojnë, një shif ër mund ta ndryshojnë dhe zakonisht kur bëjnë keqpërdorime të tilla kërkojnë që pagesat të bëhen në mënyrë urgjente dhe kemi pas rast kur qytetarët e ndryshëm të Kosovës ose kompanitë e ndryshme kanë rënë pre e këtyre mashtrimeve”, ka thënë ai.

Mirëpo, Mustafa sqaron se MPB ka filluar me aktivizimin e disa ‘ekipeve reaguese’ për emergjenca kompjuterike, me të cilat do të mund të kontrollohen krimet kibernetike.

“Aktivizimi i certave në aspekt institucional, e zvogëlon mundësinë e sulmeve kibernetike, sidomos aktivizimi i certit nacional dhe certit qeveritar. Fatmirësisht, një pjesë e madhe e institucioneve tona këtë vit kemi arrit që t’i krijojmë certat siç është MPB, FSK, PK dhe disa institucione tjera dhe ne po besojmë që tani do të lidhim edhe marrëveshje me certa të ndryshme të vendeve të ndryshme në mënyrë që pastaj të bëhemi pjesë e rrjetit të certave globalë ku çdo informacion që ka të bëjë me sigurinë kibernetike që përhapet në botë pastaj të bartet edhe në institucionet e Republikës së Kosovës”, është shprehur Mustafa.

Përndryshe, Kosova tashmë ka filluar me hartimin edhe të ligjeve dhe dokumenteve tjera që lidhen me sigurinë kibernetike, por në këtë drejtim kërkohet të punohet ende në mënyrë që edhe institucionet përgjegjëse ta kryejnë punën e tyre mbi baza ligjore. /Telegrafi/