LAJMI I FUNDIT:

Ku mbetën paratë buxhetore për gjyqësinë dhe komunat?

Ku mbetën paratë buxhetore për gjyqësinë dhe komunat?

Më pak para për pushtetin gjyqësor se sa që është planifikuar. Për një vit, shpenzimet qeveritare janë rritur për 20,1%. Ka mungesë të planeve strategjike dhe të planeve për vendet e sistematizuara dhe të plotësura të punës, si dhe të planeve për furnizime publike te një pjesë e shfrytëzuesve buxhetorë. Këto janë një pjesë e konstatimeve të revizorit shtetëror të shënuara në “Raportin përfundimtar të revizorit të autorizuar shtetëror – Buxheti themelor për vitin 2015”, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Planifikimi dhe ekzekutimi i Buxhetit themelor për vitin 2015 është përgjegjësi e udhëheqësisë së subjektit të përfaqësuar nga Zoran Stavreski, nënkryetar i qeverisë dhe ministër për financa” – thuhet në raportin revizor.


Për pushtetin gjyqësor – më pak para…

Një pjesë e madhe e raportit revizor i është kushtuar parave buxhetore, të cilat është dashur, mirëpo nuk kanë përfunduar për pushtetin gjyqësor.

“Konstatuam se me dinamikën e përcaktuar të miratimit të mjeteve në kuadër të buxhetit të pushtetit gjyqësor, nuk është arritur niveli i përcaktuar me ligj i buxhetit që është paraparë për pushtetin gjyqësor në lartësi prej 0,8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto” – konstaton revizori.

Kështu, në vitin 2012 për pushtetin gjyqësor është dashur të ndahen mjete në lartësi prej 0,5%, ndërsa realizimi ka qenë 0,45%. Dështim ka pasur edhe në vitin 2013, kur në vend të 0,6% janë ndarë 0,39%. Në vitin 2014 për pushtetin gjyqësor kanë qenë të nevojshme 0,7% e PBB-së, mirëpo janë realizuar 0,41%. E ngjashme ka qenë situata edhe në vitin 2015, kur obligimi ka qenë që të ndahen së paku 0,8% e PBB-së, mirëpo janë ndarë vetëm 0,38%.

“Mënyra e këtillë e planifikimit dhe e financimit të pushtetit gjyqësor krijon rrezik për sigurim të plotë të financimit stabil, afatgjatë, të barabartë dhe adekuat të pushtetit gjyqësor” – thekson revizori dhe rekomandon:

“Ministria për Financa në bashkëpunim me institucionet kompetente dhe Këshillin buxhetor gjyqësor të ndërmarrin aktivitete për sigurimin e mjeteve në buxhetin e pushtetit gjyqësor, në lartësi që është e përcaktuar me dispozitat e Ligjit për buxhtetin gjyqësor”.

Poashtu, në bazë të rregullativës, buxheti për pushtetin gjyqësor, sipas revizorit nuk mund të zvogëlohet edhe atëherë kur bëhet rebalanci i buxhetit.

Si janë miratuar dokumentet strategjike…

Strategjia fiskale, si një nga dokumentet strategjike për buxhetin dhe prognozat ekonomike, sipas revizorit është miratuar me vonesë. Kështu, afati për miratimin e këtij dokumenti ka qenë 31 maji i vitit 2014, ndërsa ai është miratuar pesë muaj më vonë, më 3 tetor 2014. Vonesë të ngjashme ka edhe për “Vendimin për prioritetet strategjike për vitin e ardhshëm”, edhe atë për vitin 2015, me ç’rast përkundër afatit të paraparë për miratimin e këtij dokumenti më 15 prill, ai është miratuar më 9 shtator.

Edhe në këtë raport të revizionit janë konstatuar dobësi të caktuara te shfrytëzuesit buxhetorë.

“Një pjesë e shfrytëzuesve buxhetorë nuk kanë dorëzuar plane strategjike trevjeçare, të cilat janë bazë për përgatitjen e buxhetit” – thuhet në raporti e revizorëve, ku potencohet edhe vërejtja për mënyrën e sistematizimit të vendeve të punës dhe për furnizimet publike.

“Plani i vendeve të sistematizuara dhe të plotësuara të punës të shfrytëzuesve buxhetorë, si dhe plani për furnizimet publike, nuk janë dorëzuar nga një pjesë e shfrytëzuesve buxhetorë” – thuhet në raportin e revizionit dhe më pas përmenden rreziqet:

“Me dorëzimin e kërkesave jo të plota buxhetore, shfrytëzuesit buxhetorë ballafaqohen me rrezik që buxheti i miratuar nga ana e Ministrisë për Financa të mos jetë në përputhje me nevojat e tyre reale për realizimin e qëllimeve të përcaktuara.”

Menaxhimi dhe ekzekutimi i buxhetit të vitit 2015, në pjesën e planifikimit dhe ekzekutimit të shpenzimeve dhe të dalave të tjera dhe planifikimi dhe ekzekutimi i të hyrave, sipas revizorit, në pjesën më të madhe kanë qenë në përputhje me shumat e përcaktuara në kuadër të buxheteve të miratuara të shfrytëzuesve të caktuar buxhetorë, përveç në pjesën e transfereve deri te njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe mjeteve në kuadër të buxhetit për pushtetin gjyqësor, përcjellë Portalb.

Revizori ka konstatuar se në vitin 2015, në krahasim me vitin 2014, shpenzimet janë rritur për 20,11 %, ndërsa në krahasim me vitin 2013, rritja ka qenë 20%. Kështu, sa i përket vitit 2014, shpenzimet për “rezerva dhe harxhime të padefinuara” janë rritur për 401,5%, ndërsa për rroga dhe kompensime për 6,93%. Rritje të shpenzimeve ka edhe për kamatat dhe pagesën e kryegjësë për shkak të borxheve.

Vitin e kaluar, revizioni shtetëror ka konstatuar se investimet kapitale janë zvogëluar për 3,02 për qind në krahasim me vitin 2014, ndërsa zvogëlimi në krahasim me vitin 2013 ka qenë 4,69%.

Përgjigja e Ministrisë për Financa…

Ministria për Financa ka dorëzuar vërejtje në lidhje me raportin revizor.

“Nga ana e personit udhëheqës në Ministrinë për Financa janë pranuar vërejtje për Propozim-raportin e revizorit shtetëror, ato janë shqyrtuar dhe është konstatuar se paraqesin njoftim për gjendjet e konstatuara, një pjesë pranohen pjesërisht, ndërsa një pjesë nuk pranohen” – thuhet në njoftimin e revizionit.

Nga shtatë rekomandimet e dhëna pas revizionit në vitin 2014, sipas revizorit, është konstatuar se katër rekomandime janë duke u realizuar, njëri është realizuar në tërësi, ndërsa dy rekomandime nuk janë zbatuar.

Me këtë raport të revizionit është bërë revizion i Buxhetit themelor për vitin 2015, mirëpo është përfshirë edhe zbatimi i rekomandimeve të dhëna në Raportin përfundimtar të revizorit të autorizuar shtetëror për vitin 2014./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Arsim
A do t'i

A do t'i "shpëtojë" Albin Kurti Asociacionit të komunave me shumicë serbe, flasin analistët

Lajme
​Kurti: Anëtarësimi në KiE, hapi i parë drejt bashkimit me familjen evropiane

​Kurti: Anëtarësimi në KiE, hapi i parë drejt bashkimit me familjen evropiane

Lajme
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Inspektorati i Prishtinës në aksion, shqipton gjoba e konfiskon targa

Inspektorati i Prishtinës në aksion, shqipton gjoba e konfiskon targa

Prishtina
Kalo në kategori