LAJMI I FUNDIT:

Kur tifozi bëhet protagonist?!

Thuhet gjithmonë se ndeshjet sportive luhen për tifozët. Ashtu edhe është. Por, sa janë tifozët të vetëdijshëm se me sjelljet e tyre ndikojnë në sukseset e skuadrës së zemrës?!

Jemi dëshmitarë se kohëve të fundit në Kosovë kanë ndodhur ngjarje të shumta, në të cilat protagonistë kanë qenë tifozët e jo sportistët. E, a duhet të jetë kështu? Sigurisht se jo, pasi janë sportistët ata që e kanë fjalën e tyre të fundit në sukses, ndërsa tifozët duhet të jenë përcjellës aktivë të gjithë asaj që ngjan në fushë apo në parket, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të jenë ata që e përcaktojnë fituesin.


Përcjellja e ndeshjeve të ndryshme nga ana e tifozëve në Kosovë, për fat të keq, nuk bëhet në mënyrë të organizuar. Kjo për faktin se drejtuesit e skuadrave e kanë lënë disa anash këtë grup njerëzish, të cilët, në njërën apo formën tjetër, janë të lidhur me skuadrën e tyre të zemrës. Megjithatë, na ka rënë të shohim nëpër arenat tona sportive se sjelljet e tifozëve nuk kanë qenë në nivelin e kërkuar apo atë të dëshiruar. Këtë herë nuk po përmendim asnjë grup të tifozëve, por të gjitha grupet e tifozëve në Kosovë do të mund ta gjejnë veten e tyre diku.

Duket pak e besueshme se tifozët e duan me zemër skuadrën e tyre. Kjo gjë mund të dokumentohet me një fakt shumë të thjeshtë: ndodh që një skuadër të jetë duke pësuar humbje momentale, ndërsa tifozët nuk e luajnë rolin e tyre, pra nuk i përkrahin idhujt e tyre kur ata kanë më së shumti nevojë për ta. Atëherë kur skuadra është duke pësuar humbje, sportisti ka më së shumti nevojë për përkrahje, e kur një gjë e tillë nuk vjen nga tribunat, kush tjetër do ta ndihmojë atë? Tifozët duhet ta kenë të qartë se ata në asnjë mënyrë nuk duhet të vendosin nëse skuadra e tyre do të fitojë apo jo, pasi për këtë vendosë paraqitja e sportistëve në arenë. Por, atë që duhet ta bëjë tifozi është që të përkrah të adhuruarit e tij, edhe atëherë kur ai është duke humbur. E, jo duke reaguar, madje edhe fizikisht, në grupin tjetër të tifozëve të skuadrës rivale, e aq më pak ka të drejtë të sulmojë sportistët rivalë.

Kjo mbase ka ndodhur në sportin tonë, jo një herë, por më shumë se kaq. Në këtë mënyrë, tifozi nga një pjesëmarrës pasiv, që është dashur të jetë, ai tashmë është bërë pjesëmarrës aktiv duke ia pamundësuar skuadrës së tij fitoren në arenë.

Jam shumë i bindur se tifozët shkojnë në ndeshje me paragjykime nga më të ndryshmet, ndërsa e zbrazin energjinë e tyre në adresë të gabuar. Nuk di nëse ata, me sharjet dhe ofendimet e tyre nga më të ndryshmet, në adresë të skuadrës dhe tifozëve rivalë, u japin stimul të adhuruarve të tyre. Ma thotë mendja se ata, po që se veprojnë kështu, në asnjë mënyrë nuk ndikojnë pozitivisht në paraqitjen e mirë të skuadrës së tyre. Sikur e gjithë kjo energji, në të shumtën e rasteve e tepruar, të ishte adresuar drejt, atëherë sigurisht se edhe ballafaqimet sportive to të ishin më të relaksuara, ndërsa marrëdhëniet ndërmjet grupeve rivale të tifozëve do të ishin më të mira.

Nga bisedat me shumë kolegë, njohës të mirë të rrethanave sportive në vend, jo vetëm në vitet e fundit, shohim një degradim të tifozerisë, pasi shumë prej tifozëve zgjedhin vendin e gabuar për zbrazjen e energjive të tyre. Nga ana tjetër, ka edhe shumë tifozë të mirëfilltë të cilët me padurim presin një ndeshje të skuadrës së tyre të zemrës, e këta të fundit sigurisht se nuk janë prej atyre që shkaktojnë incidente në arenat tona sportive.

Ndërsa, është një fakt shumë brengosës se tashmë në ndeshjet e futbollit dhe basketbollit në vend, një kategori e tifozëve që ishin më parë, tashmë nuk i kemi në shkallët e stadiumeve apo palestrave tona sportive. Përderisa disa vjet më parë një numër i madh i femrave ishin në mesin e shikuesve, ato tashmë nuk marrin rrugë për të përcjellë ndonjë ndeshje sportive. Ato tashmë janë larguar nga arenat sportive, gjë e cila është bërë me “bekimin” e tifozëve, të cilët me fyerjet dhe sharjet, por edhe me sjelljet e tyre vandale, e kanë larguar edhe femrën nga të qenit shikuese e ndonjë ngjarjeje sportive.

Mbetet të punohet shumë me këtë kategori të njerëzve, gjë e cila u mbetet ta bëjnë drejtuesit e skuadrave. Kjo aq më parë pasi tashme në disa sporte kemi hyrë në fazën përfundimtare, aty ku edhe përcaktohet kampioni ri.

Por, nuk duhet të mashtrohemi në asnjë mënyrë se ka një kohë të gjatë që sporti ynë është duke u vëzhguar edhe nga faktori ndërkombëtar, i cili i ka bërë “sytë katër” dhe sheh çdo gjë që ndodh me sportin kosovar. E, nëse ne nuk do të jemi pjesë e sportit ndërkombëtar, atëherë një pjesë të madhe të fajit, në mos të tërin, e bartin vetëm ne.