LAJMI I FUNDIT:

Kush e solli Doruntinën?

Athua si do të ishim po të mos jetonim me shekuj nën sundimin e të tjerëve? Sa do të mbijetonte kohën karakteri shqiptar, i shquar për lashtësi, si popull autokton dhe stabil? Si do të ishim ne pa të kaluarën e hidhur?

“Besimi dhe respekti i ndërsjellë janë çelësi i suksesit”, thonë sociologët perëndimorë. Shumë nga psikologët e trajtojnë problemin e humbjes së besimit si njërin nga ata që në formë intensive shkatërron raporte të ndërsjella, krijon frikë dhe mos qëndrueshmëri, duke sjellë kështu vështirësi në rezultate, madje edhe dështim paraprak.


Megjithëse njihemi si popull me traditë të lashtë, pyetjes se sa jemi të fjalës dhe popull kredibil në raport me të tjerët, por edhe me vetveten, shumica prej nesh do të përgjigjej: sot fjala e dhënë nuk ka vlerë; të kapesh për fjalës së dhënë nënkupton të humbësh mundësinë reale; nuk guxon të besosh në fjalë, sepse ato janë boshe…

Besoj të gjithëve ju kujtohet një histori e dhimbshme e gojëdhënës “Kush e solli Doruntinën”. Nëse shkrimtarët dhe muzat kanë lidhjen e tyre shpirtërore, ajo lidhje ka shkaktuar sa e sa herë shkrime për këtë temë. Kjo histori tregon se dikur kemi qenë të njohur si popull kredibil. Është një histori që flet për mbajtjen e fjalës , për popullin e shquar për sinqeritet dhe besnikëri. Paramendoni, Konstantini tejkalon vdekjen për të mbajtur fjalën e dhënë. Guri i tij i varrit (sinonim i tokës sonë) shndërrohet në një kalë për ta shpjer atë në derën e së motrës Doruntinë, e cila falë besës së dhënë kthehet në derën e prindërve, duke tejkaluar kështu si një hyjni përtej vdekjes…

Kjo histori endet ndër breza, shpesh duke humbur dhe zbehur kuptimësinë e saj. Për shumë kënd ka kuptimin e një përralle, tregim që flet për dashurinë motër-vëlla dhe anasjelltas, por më së tepërmi është tregim që flet për një traditë të veçantë shqiptare. E tillë mbahet në mend prej lashtësisë. Është e qartë: kthimi nga vdekja është i pamundshëm. Por, a do të thotë kjo se me këtë pamundësi vdes edhe pesha e besës së shenjtë shqiptare? Ky tregim flet për një veti që na bënte popull hyjni. Rëndësia e këtij mesazhi është e përjetshme dhe tregon se kjo veti dikur na karakterizonte, ishte pjesë e shprehive tona të përditshme.

Por, e kaluara jonë karakterizohet gjithashtu me shumë okupime, shkelje të traditës dhe rregullave, imponim të vetive të huaja . Ata erdhën e ikën, duke lënë pas vetes shprehitë e veta, aq sa s’e njohëm më vetveten. Fjala, besa e dhënë dikur ishte veti e jona e dalë nga mesi ynë dhe ishte e shenjtë. Sot, për çudi, shpesh herë fillon të bëhet sinonim i popujve tjerë më shumë se e jona.

Për ta kuptuar arsyen pse kjo ndodhi, pa qenë kritik duhet të kuptosh së pari sakrificat tona, pushtuesit, zullumqarët e shumtë që me çdo kusht kanë përdhosur çdo gjë shqiptare. Koha e gjatë nën pushtimin e tyre e zëvendësoi shenjtërinë e besës shqiptare me “prerje në besë”! Kështu, fatkeqësisht vlerat u tjetërsuan, sot e asaj dite. Ato u zëvendësuan me servilizëm, me dredhi, me të qenit tinëzarë e të pabesë. Nuk është faji ynë pse asnjëherë nuk besuam në shtet, pushtetarë dhe liderë. Faji ynë është në lindjen e mendimit se të tillë duhet të jemi edhe ne, në lakminë që filluam t’ua kemi: lakmia dhe vlerësimi se të qenit “dinak do të thotë të jesh i mençur”, të jesh i mençur do të thotë të dish të ja “hedhësh” tjetrit, sepse ata dinin të mashtronin dhe të pasuroheshin, ata dinin të përçanin dhe sundoni, ata dinin të jepnin fjalën dhe të “prenin në besë” dhe nga kjo të përfitonin….

Këtu qëndron fatkeqësia dhe faji ynë, sepse nuk e menduam se këto të liga ata i bënin në raport me ne që ishim të huaj për ta.

Kështu, pa dashur, këto veti të huaja u bënë pjesë e jona dhe ato si çdo shprehi tjetër më nuk i larguam, por i mbollëm në mesin tonë, ndonëse ato lindën vetëm nga sundimet e të huajve. As atëherë e as më vonë nuk patëm më besim në pushtetarët, rrethin, mikun… Harruam të besojmë dhe të kemi besë ndaj të tjerëve. Shprehia e të qenit dinak, mashtrues, jo parimor u bë pjesë e jona, një e ligë shpirtërore që ishte dashur ta shkulim.

“Besimi i ndërsjellë është i vetmi çelës i suksesit”, na mbajnë ligjërime sot të tjerët. Para nesh zbulohet diçka e re, apo na ringjallet historia e Doruntinës – Konstatinit që ngrihet nga varri për ta çuar besën në vend. Gojëdhëna e shenjtërisë së fjalës së dhënë dhe besimit të ndërsjellë ka lindur nga mesi ynë. Mjaftonte të kuptojmë se është çelësi i mirëqenies sonë…