12-vjeçari i vodhi pistoletën truprojes së Ina Ramës
Gjendet grabitësi i pistoletës së truprojës së kryeprokurores Ina Rama, por armën e ka shitur për 30 mijë lekë dhe lekët i ka harxhuar në bixhoz. Policia e Tiranës ka ndaluar ditën e djeshme 12 vjeçarin me inicialet G.P., i cili është i dyshuar për së paku 5 vjedhje banesash në kryeqytet, mes tyre dhe banesën e Marie Ramajt, truproja e Prokurores së Përgjithshme. Pavarësisht ndalimit, efektivët e policisë janë detyruar ta lënë të lirë 12 -vjeçarin për shkak të moshës së tij.
Ndërkaq, të gjitha strukturat e Komisariatit Nr. 4 janë vënë në lëvizje për të gjetur personin, i cili ka blerë pistoletën e vjedhur nga ana e të miturit.
Më datë 15.06.2012 në rrugën "Siri Kodra" është raportuar vjedhja e banesës së Marie Ramajt, efektives së Gardës së Republikës, e cila ishte truproja e Prokurores së Përgjithshme.
Në banesën e saj, përveç një kompjuteri lap top, është vjedhur dhe arma e zjarrit pistoletë, armë e cila është shitur kundrejt vlerës prej 30 mijë lekësh tek një person i panjohur me gjeneralitete të plota nga ana e autorit. 12-vjeçari G.P. duke qenë se është nën moshën 14 vjeç, është pyetur në prani të një psikologe dhe në deklarimin e tij ka pranuar autorësinë e plotë të të gjitha vjedhjeve. Në deklarimin e tij G.P. ka deklaruar se paratë që ka siguruar nga shitja e materialeve të vjedhura, i ka shpenzuar duke luajtur bixhoz, raporton BalkanWeb.
Ndërkaq, menjëherë pas deklarimeve të marra, efektivët e Policisë së Tiranës kanë nisur menjëherë kontrollet dhe verifikimet për të gjetur personin, i cili ka blerë pistoletën. 12 - vjeçari është shprehur se nuk e njihte atë person, por ka dhënë detaje në lidhje me vendin se ku ishin takuar dhe përshkrimin fizik të blerësit. /Telegrafi/