A do të pajisen me librezën e veteranit luftëtarët e FARK-ut?

14:44 / 26.02.2013

Anëtari i Komisionit qeveritar për verifikimin e veteranëve, Rrustem Berisha, ka deklaruar që numri i saktë i veteranëve Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës UÇK-së, nuk do të dihet dhe nuk do të jetë i saktë, derisa të bëhet verifikimi i të gjithë atyre që janë paraqitur për ta marrë statusin e veteranit.

Ai tha për Telegrafin se të drejtën e aplikimit për të marrë librezën e veteranit e ka çdo qytetarë i Kosovës që pretendon se ka qenë në luftë, përmes ofrimit të dëshmive të nevojshme.

Komandanti i UÇK-së, në Koshare, shpjegon se pas datës 28 shkurt 2012 do të bëhet verifikimi i të atyre që kanë dorëzuar kërkesën për të marrë statusin e veteranit të UÇK-së, dhe sipas tij, kështu do të pastrohen dilemat se kush ka qenë dhe kush nuk ka qenë në luftë.

“Pas verifikimit të numrit të veteranëve, komisioni ka ofruar një muaj hapësirë për ata që pretendojnë se ka pas keqpërdorime gjatë verifikimit të veteranëve të luftës dhe ofrojnë dëshmi se persona të caktuar nuk kanë qenë pjesë e luftës”, tha ai.

Sipas Berishës, Këshilli për Shqyrtim të Ankesave do të ngrit padi për të gjithë keqpërdoruesit, ndërsa premtoi se do të tentohet të eliminohen të gjitha keqpërdorimet e mundshme.

Berisha tha se nuk do të lejojnë që të barazohen ata që janë plagosur në luftë me ata që janë plagosur pas luftës, ose në ndonjë aksident të komunikacionit.

Ai deklaratat e kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli, se ata që kanë qenë pjesë e FARK-ut nuk do të marrin librezat e veteranit, i ka cilësuar si qëndrime personale të Xhemajlit.

“Ekziston një konsensus i gjerë dhe disponim i mirë i komisionit që të gjithë qytetarët që kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, pavarësisht bindjeve politike, ta marrin statusin e veteranit, në këtë mënyrë edhe para faktorit ndërkombëtar do të dalim më serioz dhe më të fuqishëm”, u shpreh Berisha.

Ndërkaq, Muharrem Xhemajli nga OVLUÇK-ja i kontaktuar nga Telegrafi tha se deklaratat lidhur me FARK-un, nuk janë deklarata personale, por të shoqatës që ai përfaqëson. /Telegrafi/

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.