A është MSA-ja rezultat i marrëveshjes?!

14:55 / 23.04.2013

Komisioni Evropian të hënën i ka rekomanduar vendeve anëtare të BE-së që të fillojë negociatat me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit (MSA). Njohësit e integrimeve evropiane vlerësojnë për Telegrafin se rekomandimi nga Komisioni Evropian është hap pozitiv për Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane.

Ministrja e Integrimeve evropiane, Vlora Çitaku ka thënë se që ky hapi i parë në këtë udhëtim të bukur. “Faleminderit”, kishte shkruar ajo në Twitter.

Njohësit e integrimeve evropiane vlerësojnë për Telegrafin se hapja e negociatave për MSA-në, për Kosovën është një hap normal, duke marrë parasysh faktin që Kosova gjendet në fazat e para të procesit të integrimeve evropiane, të filluar para shumë viteve.

Besfort Rrecaj tha se hapja e negociatave për MSA-në, për Kosovën ka qenë e lidhur pikë së pari me kriteret afatshkurtra dhe konkluzionet e dhjetorit të vitit të kaluar. Sipas tij, referencë për hapjen e negociatave mbi MSA-në ka qenë edhe konstruktiviteti i palës kosovare në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit.

Rrecaj tha se Qeveria e Kosovës i ka përmbushur kriteret afatshkurtra teknike, me të cilat ka qenë e obliguar.

“Kemi pritur që Komisioni gjatë muajit prill të mblidhet për të diskutuar dhe të marrë rekomandimin që të fillojë negociatat me Kosovën për nënshkrimin e MSA-së”, tha ai, duke shtuar se hapja e negociatave është hapi i parë dhe shumë pozitiv për Kosovën”.

Ai thekson se hapi dytë është mbledhja e Këshilli Evropian, në qershor ose në fillim të korrikut, ku pritet që Komisioni Evropian ta marrë mandatin për fillimin e negociatave.

“MSA-ja është faza e parë kontraktuale, formale dhe juridike drejt anëtarësimit të plotë në BE”, tha Rrecaj.

Ndërsa, profesori Gazmend Qorraj, vlerëson se rekomandimi për fillimin e negociatave për MSA-në, për Kosovën ndërlidhet me marrëveshjen mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Patjetër që rekomandimi për fillimin e negociatave për MSA-në ndërlidhet me marrëveshjen Kosovë–Serbi. Nëse e keni parasysh, raportet e Bashkimit Evropian për vendet e tjera u publikuan dy tre ditë më herët se sa raporti për Kosovën dhe Serbinë. Kjo tregon se raporti do të ishte ndryshe nëse marrëveshja nuk do të ishte arritur, d.m.th autoritetet evropiane kane pritur për rezultatet e bisedimeve dhe mandej e kane përshtatur raportin”, tha ai për Telegrafin.

Sipas tij, rekomandimi i Komisioni Evropian mbi MSA-në bazohet në vlerësimin politik dhe teknik të plotësimit të kritereve, duke shtuar, se kësaj radhe më shumë ka pasur ndikim vlerësimi politik, gjë që nuk është një praktikë e mirë.

“Përveç marrëdhënieve të mira, vendet e Ballkanit Perëndimor, respektivisht Kosova dhe Serbia duhet t’i plotësojnë aspektet teknike si administrata publike, luftimi i krimit dhe korrupsionit, rendi dhe ligji, krijimi i kapaciteteve tregtare dhe ekonomike si dhe çështje tjera të rëndësishme të cilat do ta rrisnin konvergjencën dhe aftësinë konkurruese të këtyre vendeve”, tha Qorraj. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.