Çitaku: Veriu nuk negociohet
Ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku ka deklaruar se veriu i Kosovës në asnjë rrethanë nuk do të jetë çështje negocimi me askënd. Ajo është zotuar se nuk do të ketë përsëritje të modelit të Republikës Serbe. Çitaku në një intervistë për “Epokën e Re”, ka bërë me dije se kryeministri Thaçi shumë shpejt pritet të shpalosë një platformë socio-ekonomike për integrimin e plotë të veriut në jetën politike dhe institucionale.
Duke komentuar kërkesën e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon që problemi i veriut të zgjidhet nëpërmjet një dialogu paqësor me Serbinë, ajo theksoi se në asnjë rrethanë ajo pjesë e Kosovës nuk do të jetë çështje negocimi me askënd.
“Integrimi i veriut të Kosovës është një proces i brendshëm dhe assesi Serbia nuk ka rol, por disa parakushte që duhet t’i përmbushë, siç është largimi i menjëhershëm dhe i pakusht i strukturave paralele dhe kriminale, posaçërisht i MUP-it dhe BIA-s, të cilat operojnë atje. Ndërkaq, institucionet e Kosovës do ta bëjnë punën e tyre në integrimin e veriut dhe akomodimin e nevojave dhe kërkesave të arsyeshme të qytetarëve”, ka thënë Çitaku. /Telegrafi/