AAK-ja mund të jetë partia ime e ardhshme!
Adnan Merovci nuk e ka përjashtuar mundësinë që partia e tij e ardhshme të jetë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Ai ka bërë me dije se është në negociata edhe me partitë e tjera për t’u angazhuar politikisht.Ish-shefi ekzekutiv i PTK-së, edhe pse ka thënë se nuk ka ambicie të mëdha politike, është shprehur se pa përkrahje politike nuk ka as realizim profesional.
“Profesioni im është menaxhimi, e pa përkrahje politike mbetesh rrugëve. Kjo nuk do të thotë se duhet të veprosh kundër parimeve tua. Cila parti të më ofrojë fushë më të mirë atje do të shkoj”, ka thënë Merovci në një intervistë për “Epokën e re”.
Për Merovcin koalicioni PDK - AAK është zgjidhja më e mirë për Kosovën pasi, sipas tij, vetëm atëherë do të kishim qeveri të fortë me opozitë të fortë.
Ndër të tjera, në këtë intervistë Merovci, i cili për shumë vjet ka qenë njeri i afërt me ish-presidentin historik, Ibrahim Rugova, ka folur edhe për librin e tij “Në hap me Rugovën”. Ai ka vlerësuar se ky libër përmban rrëfime autentike, stenograme nga takime të rëndësishme, ilustrime të rugovizmit, fotografi ekskluzive dhe dokumente të rëndësishme.
Duke mohuar se këtë libër e ka shkruar për përfitime materiale, Merovci ka vlerësuar se është munduar që libri të jetë i argumentuar me kohën, vendin, foton dhe dëshmitarët. Ai ka paralajmëruar se nuk do të ndalet më kaq, por shumë shpejt do të dalë edhe me librin tjetër për Rambuje, bombardimet e NATO-s dhe arrestin shtëpiak të Rugovës.
Po ashtu, ai ka bërë me dije se është në bisedime për bërjen e një dokumentari për Rugovën, ngase posedon videoarkiv me mbi 1 000 orë material të digjitalizuar. /Telegrafi/