Abdyli: Marrëveshja e Ohrit nuk zgjidhi çështjen shqiptare në Maqedoni

12:13 / 7.10.2012
Historiani dhe ish-drejtori i Institutit për Trashëgimi Kulturore Shqiptare në Shkup, Ramiz Abdyli ka shprehur shqetësime lidhur me pozitën e shqiptarëve në Maqedoni dhe se sipas tij, nuk mund të pritet zgjidhja e çështjes shqiptare përmes Marrëveshjes së Ohrit. Ai këtë e ka thënë në një intervistë për “Presheva Jonë”, duke folur edhe për zhvillimet e tjera në rajon.

“Me Marrëveshjen e Ohrit nuk mund të zgjidhet çështja shqiptare në Maqedoni në përputhje me vullnetin e asaj pjese të popullit tonë, madje as në variantin,siç e pranoi subjekti politik e ushtarak i dalë nga Lufta e vitit 2001. Kjo për faktin se ajo Marrëveshje e diktuar nga pala tjetër, ka rezultuar me konstruksione të menduara mirë, që mund të lexohen si ta marrësh. P.sh. në tekstin e saj të papërcaktuar e me bizantizimin e gjuhës askund nuk përmendet emri shqiptar, ngjashëm me Marrëveshjen shqiptaro-osmane të Shkupit më 1912, në të cilën askund nuk përmendet emri Shqipëri dhe shqiptar. Prandaj, nuk mund të pritet zgjidhja e çështjes shqiptare përmes asaj marrëveshje. Zgjidhje minimale e çështjes shqiptare në Maqedoni do të ishte qenia e shqiptarëve element konstituiv (shtetformues), krahas maqedonasve, rrjedhimisht kur Maqedonia do të ishte shtet i maqedonëve dhe i shqiptarëve, por që është shumë vështirë të jetësohet, po të kihet para mendjes paragjykimi i klasës politike maqedonas që kanë kundrejt shqiptarëve”, ka deklaruar Abdyli.

Sipas tij, në Maqedoni shkenca është në shërbim të politikës,ku paragjykimet kanë gjetur strehë prej kohësh.

“Për tragjedinë e saj klasa politike maqedonase dhe aktualisht VMRO-DPMNE bashkë me “shkencën” është gjithnjë në kërkim të identitetit maqedonas. Prandaj, nuk është e rastit që drejtuesit e kësaj partie t’i kërkojnë rrënjët e kombit maqedonas tek maqedonasit e lashtë, me të cilët “sllavo maqedonasit” nuk kanë asgjë të përbashkët. Ajo Maqedoni në fakt ishte një përzierje popujsh (ilirë, grekë e trakas). Këtu pra e ka burimin mohimi i identitetit kombëtar shqiptar e të figurave madhore shqiptare nga klasa politike maqedonase, siç është shkupjania Gonxhe Bojaxhiu, respektivisht Nënë Tereza, e në këtë kuadër rezulton qenia e shqiptarëve ardhacakë nga malet e Shqipërisë. Mbi këtë bazë rezultojnë prej vitesh edhe tekstet e historisë për shkollat fillore e të mesme, bashkautor i ndonjërit prej tyre mund të gjendet edhe ndonjë shqiptar. Përgjegjësisë nuk mund t’i ikin as recensentët shqiptarë të atyre teksteve”, theksoi historiani i njohur shqiptar.

Ai ka folur edhe ndarjet në Ballkan dhe situatën e paqartë në Luginën e Preshevës, duke nënvizuar se ky rajon gjithmonë ka qenë pjesë përbërëse e Provincës së Dardanisë dhe më pas Kosovës.

“Pas vitit 1912 Presheva ishte në kuadër të Banovinës së Vardarit e të Zhupanisë së Shkupit. Presheva mbeti jashtë Kosovës së sotme, si një vazhdimësi e projektit serbomadh kur në vitin 1945 u bë pazari pa hanxhinj. Me vendimet e Mbledhjes së Dytë të AVNOJIT (nëntor 1943), mbi bazën e të cilave Jugosllavia do të ndërtohej në mbështetje të parimeve federative, që do të sillte barazi të plotë midis popujve të saj sllavë, rrjedhimisht të Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Bosnjë Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë, dhe mbi këtë bazë Kuvendi i Serbisë vendosi padrejtësisht që edhe Lugina e Preshevës të ishte pjesë përbërëse e saj (9 prill 1945). Ky vendim u miratua edhe në Mbledhjen e tretë të AVNOIT (7 gusht 1945)”, tha ai.

“Vendimi për bashkëngjitjen e Preshevës Serbisë Federale ishte i njëanshëm dhe në kundërshtim me vullnetin e shqiptarëve në përgjithësi, përfshirë edhe ata të Luginës së Preshevës. Abdullah Krashnica, ishte njëri nga anëtarët shqiptarë të ASNOM-it (Këshillit Antifashist…të Maqedonisë), për çka ai u angazhua që Lugina e Preshevës, që nga Ristovci (kufiri serbo osman), të përfshihej brenda kuadrit të Maqedonisë. Ndërkaq, Selim Selimi ngulmonte për bashkimin e Luginës së Preshevës me Serbinë. Me këto qëndrime ata debatuan në fund të vitit 1944 në sallën e kinemasë së qytetit. Sigurisht se kjo qe njëra nga arsyet për helmimin e Krashnicës, si dhe angazhimi i tij ngulmues për të shpëtuar nga pushkatimi partizan të qindra shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc, Kumanovë e në Gjilan. Ndërkaq, helmimi i tij nuk u bë me helm klasik, siç mendohet, por me një element kimik që ia mori atij jetën brenda një afati disa mujor”, ka theksuar historiani shqiptar nga Maqedonia. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
Ramiz Abdyli
Ramiz Abdyli
 
 
Magazina
23:30 / 19.05.2013
Big Mama, Foto: FB

Big Mama u thotë femrave: Po shkoi njëri vjen tjetri!

Besjana Kasami,e njohur me emrin skenik si Big Mama, së shpejti do të sjellë këngën me titull “Ku mbeti dashuria”, e c...
Teknologji
19:58 / 19.05.2013
Kërkesë e madhe për HTC One, dyfishohet prodhimi

Kërkesë e madhe për HTC One, dyfishohet prodhimi

Njëri nga problemet me të cilat ballafaqohen prodhuesit e telefonave mobil është sasia që ata duhet ta lëshojnë në treg...
Ekonomi
8:43 / 20.05.2013

Kërkon tre milionë euro shpërblim për menaxhim të KEK-ut

Po kërkojnë të shpërblehen me 3 milionë euro për punën që e bënë në Kosovë para shtatë vitesh. Zyrtarët e kompani...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.