Ahtisaari: Serbia jo në BE, pa e njohur Kosovën

15:41 / 5.12.2012

Ambasadori jorezident i Republikës së Kosovës në Finlandë, Lulzim Peci është takuar të mërkurën me ish-presidentin e Republikës së Finlandës dhe ndërmjetësuesin e OKB-së për Kosovën, Martti Ahtisaarin, ndërsa ky i fundit ka thënë se Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa a njohur Kosovën.

Ambasadori Peci fillimisht e informoi presidentin Ahtisaari për zhvillimet e fundit rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, njohjet ndërkombëtare dhe progresin e gjithëmbarshëm të Kosovës.

“Presidenti Ahtisaari shprehu përkrahjen e tij të pa rezervë për Kosovën dhe theksoi se Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa a njohur Kosovën”, thuhet në kumtesën e MPJ-së.

Në vazhdim, ambasadori e informoi presidentin Ahtisaari për agjendën e politikës së jashtme të Kosovës për vitin e ardhshëm, dhe sfidat me të cilat mund të ballafaqohet në realizimin e saj.

Presidenti Ahtisaari i uroi Kosovës anëtarësimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe e përkrahu agjendën e saj për integrim në organizatat ndërkombëtare.

Ahtisaari rikonfirmoi mbështetjen e tij të plotë për Kosovën dhe forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtarë. /Telegrafi
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.