AK më 28 Nëntor: Kjo nuk është Shqipëria e Ismail Qemalit
Aleanca Kuq e Zi shpalli planin e zhvillimeve të aktiviteteve të 100 vjetorit të Pavarësisë nëpërmjet komisionit organizator me përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Ulqini dhe Lugina e Preshevës.
Aleanca Kuq e Zi do të tubohet ne kufirin Shqipëri-Shqipëri të Morinës mëngjesin e 28 Nëntorit ku mijëra shqiptarë nga Tirana, Shkodra, Ulqini, Prishtina, Tetova, Prizreni, Durrësi, Lezha dhe çdo qytet etnik shqiptar do të udhëtojnë drejt kufirit që prej 100 vitesh i ndau shqiptarët.
“Aleanca Kuq e Zi deklaron se ka ardhur koha që të thyejmë murin ndarës të shqiptarëve, murin shekullor që na ndau, copëtoi, rrënoi, dhunoi, poshtëroi nga një sërë regjimesh politike antishqiptare. Në vend të kufirit ndarës Aleanca Kuq e Zi do të vendos obeliskun e bashkimit dhe shqiponjës si simbole kombëtare të dy pjesëve dikur të ndara por që bashkohen pas një shekulli”, theksoi komisioni organizator, raporton Bw.
Kreu i Aleancës Kuq e Zi Kreshnik Spahiu theksoi se "Aleanca Kuq e Zi ka "detyrim moral dhe historik që të plotësojë aspiratën shekullore të shqiptarëve për bashkim kombëtar", detyrim i cili rrjedh nga parimet kushtetuese, por edhe si realizim i misionit të rilindësve dhe Ismail bej Vlorës i cili 100 vite më parë nuk e shpalli pavarësinë për këtë Shqipëri të vogël dhe që shqiptarët të mbeteshin i vetmi komb që të jetonte në 7 shtete. /Telegrafi/