Akuza Argitës për tokën e Ansarit

19:54 / 17.01.2013

Oferta për të blerë një sipërfaqe toke, ishte një element parësor i korrespondencës mes Zafar Ansarit - biznesmenit pakistanez, i cili donte të investonte 100 milionë euro në ndërtimin e një TEC-i - dhe kompanisë avokatore të Argita Malltezit, vajzës së Kryeministrit Berisha.

"Fillimisht nuk e dija që ajo kishte interes në shitjen e tokës të cilën më ofroi. Fillimisht më pyeti nëse dëshiroja të blija tokë dhe çfarë hapësire. I tregova se kisha nevojë për tokë ku mund të ndërtoja TEC-in. Këtë e bëra nëpërmjet një e-maili ku i shpjegoja specifikat e tokës që më duhej. Ajo më pas më informoi se toka është gati dhe se duhet të veproja shpejt në mënyrë që ta blija sepse më vonë s'do të kisha mundësi. Toka e ofruar prej saj nuk ishte e përshtatshme, pa infrastrukturën e nevojshme, shumë e shtrenjtë dhe nuk i përmbushte kërkesat e mia. E informova se ishte shumë herët të blija tokën sepse fillimisht duhet të aprovohej projekti dhe më pas të investoheshin miliona euro për blerjen e tokës. Ajo më tha se aprovomi i projektit nuk do të përbënte problem. Shitja e tokës do të ishte një mundësi e shpejtë për të bërë para. Po, kishte një presion prej meje për të blerë tokën. Pasi vendosa të mos e blija tokën mu tha se ndërtimi i TEC-it 120 megavat do të ketë probleme", ka thënë Ansari, raporton “Top-Channel”.

Në reagimin e Argita Malltezit një ditë pas intervistës së Ansarit, çështja e tokës nuk përmendet në asnjë rresht të sqarimit të saj rreth marrëdhënies mes zyrës avokatore dhe këtij biznesmeni.

Ky fakt është përdorur nga deputeti socialist Erion Braçe, i cili nëpërmjet rrjetit Facebook ka postuar një planimetri dhe disa të dhëna për pronësinë e kësaj sipërfaqe toke.

“Toka është elementi tjetër kyç, në çështjen 'Zonja 3 milionë euro'", shkruan Braçe, i cili i drejton disa pyetje Argita Malltezit, se e kujt ishte toka qe ajo i ofroi për të blerë z. Zafar Ansar?

"...E juaja? Nëse po, si u bëtë ju pronare e saj? E shtetit? Si e disponuat ju atë? E dikujt tjetër? E kujt?"

Krahas këtyre pyetje, Braçe është i interesuar të dijë nga vajza e Kryeministrit Berisha se si i bleu "Crown Aquisitions" e Damir Fazlicit, 25.030 metër katrorë toke ne fshatin “Rinia”, buzë detit, afër Porto Romanos në Durrës?

Deputeti Eduard Shalsi nisur nga faktet e bëra publike lidhur mbi rolin e vajzës së Kryeministrit në ndërmjetësimin e investimeve të huaja në Shqipëri, akuzoi për konflikt interesi të hapur Kryeministrin e vendit dhe kërkoi sqarimin e rrethanave të kësaj marrëdhënieje. /Telegrafi/


 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.