Akuzojnë Vucicin për tradhti me Kosovën
Këshilli për Kosovë i Partisë Demokratike të Serbisë (DSS), së Vojislav Kostunicës, e ka akuzuar zëvendëskryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vucic, se me deklaratën për kompromis të dhimbshëm për Kosovën ka paralajmëruar tradhti të interesave nacionale dhe shtetërore serbe."Deklarata e Vucicit se populli i Serbisë duhet të jetë i gatshëm për kompromisi të dhimbshëm me rastin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, paralajmëron tradhtinë e mëtejme të interesave nacionale dhe shtetërore në Kosovë ", thuhet në deklaratën e nënshkruar nga kryetari i DSS për Kosovë, Nenad Kojic, transmeton Beta.
Ai ka thënë se si arsye për kompromis të Vucicit e sheh në dëshirën që Serbia të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE dhe në këtë mënyrë t’iu qasen fondeve të BE-së, të cilën e ka cilësuar si “pazar me territore për BE ".
"Në aspektin material Kosova vlen shumë më shumë. Sipas vlerësimeve të agjencive dhe institucioneve perëndimore, pasuria e mineraleve në Kosovë vlerësohet ndërmjet 4.500 deri në 5000 miliardë dollarë. Edhe diplomati amerikan Philip Gordon, para një muaji kërkoi që nga Beogradi (në njërën nga pesë kërkesat) që Serbia të heq dorë nga resurset energjetike në Kosovë ", thuhet në kumtesën e DSS.
Sipas kësaj partie, Vucic kishte kërkuar miratimin e diplomatit Gordon që ai të jetë sekretar i Këshillit për Sigurinë Kombëtare dhe kishte vlerësuar se kështu flet për “rolin e qartë” të Brukselit dhe Uashingtonit për formimin e qeverisë së re të Serbisë dhe sqaron se pse në vend të ministrisë është formuar Zyra për Kosovë. /Telegrafi/