Aleanca e do PDK-në pa SHIK
Marrëveshja për një koalicion, tani dhe për atë parazgjedhor mes PDK-së dhe AAK-së, do të funksionalizohej nëse PDK-në edhe pas zgjedhjeve të brendshme do ta udhëheqin Hashim Thaqi dhe fraksioni i kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe ish-ministrit të MTPT-së, Fatmir Limaj.Burime të gazetës “Koha Ditore” kanë shpjeguar se Aleanca e Haradinajt e ka problem bashkëpunimin me PDK-në, nëse njerëzit e ish-Shërbimit Informativ të Kosovës do të jenë në strukturat udhëheqëse të saj.
Sipas të njëjtave burime, qëndrimi i AAK-së kundër SHIK-ut është parimor dhe i ndërtuar qysh moti.
“Si i tillë nuk mund të ndryshojë”, ka thënë burimi i gazetës.
Por, sipas këtyre burimeve, oferta aktuale e PDK-së për partinë e tretë opozitare është gatishmëria që të mbështesin Ramush Haradinajn për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme që do të mbaheshin më 2013 ose 2014. Për të arritur këtë marrëveshje, kushti i PDK-së është që AAK-ja t`i bashkohet në koalicionin aktual për të qeverisur Kosovën. /Telegrafi/