Ambasadori shqiptar Çejku vizitoi Jabollçishtën e Velesit
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup, Arben Çejku ka vizituar fshatin Jabollçishtë të Çashkës së rajonit të Velesit, ku mori pjesë edhe në ceremoninë festive të shkollës fillore “Liria”.Ai me këtë rast theksoi rëndësinë që kanë për të ardhmen e kësaj komune dhe për të ardhmen e vendit marrëdhëniet e mira ndër-etnike dhe ndër-fetare.
“Për të ardhur deri tek kjo ditë, breza të tërë të mësuesve dhe prindërve shqiptarë të kësaj krahine kanë sakrifikuar ndër vite mundin dhe djersën e tyre për edukimin e brezit të ri. Prandaj, sot, më shumë se kurrë ne i falënderojmë dhe i nderojmë ata me punën dhe sukseset që ju së bashku keni arritur në këto vite në kuadër të shkollës fillore ‘Liria’ këtu në Jabolçishte. Pavarësisht se çfarë është arritur deri më tani, ne nuk duhet të vetëkënaqemi, por duhet të shohim përpara për t’u ballafaquar me sfidat që na presin duke përgatitur nxënës të shkëlqyer, intelektualët e së nesërmes, sepse edhe nga shkollat e vogla dalin njerëz të mëdhenj. Unë shpreh kënaqësinë time për punën dhe përkushtimin tuaj të përbashkët për një shkollë më të mirë, për një jetë më të mirë, për një të ardhme më të mirë”, theksoi ambasadori Çejku.
“Integrimi i brendshëm është i domosdoshëm për integrimin rajonal dhe euro-atlantik. E ardhmja juaj, e ardhmja jonë e përbashkët është në NATO dhe BE, prandaj Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë aspiratën euro-atlantike të Maqedonisë dhe do të thellojë bashkëpunimin në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe pushtetin lokal”, deklaroi ambasadori shqiptar, ku zhvilloi një takim të dobishëm me kryetarin e komunës së Çashkës, Goran Çobanoski. /Ina/Telegrafi/