Arrest me burg Aldo Hoxhës
Gjykata e Tiranës vendosi sot masën e sigurisë “arrest me burg”, për 20-vjeçarin Aldo Hoxha. Ai është i dyshuari kryesor për vrasjen e Fatbardha Tafës, gjatë një tentative për t’i vjedhur varësen që mbante në qafë pak ditë më parë në Tiranë.Prokurori i çështjes u shpreh në seancë se ka provë për përfshirjen e të dyshuarit Hoxha. Prova kryesore është përputhja e njollave të gjakut të gjendura në një kapelë që u sekuestrua në shtëpinë e Hoxhës me gjakun e viktimës Fatbardha Tafa.
Seanca ndaj 20-vjeçarit nisi rreth orës 10.00, por u ndërpre me kërkesë të avokatit të të riut, Arben Qeleshi, i cili kërkoi kohë për tu njohur me dosjen. Seanca rifilloi pas dhe gjykatësi Neritan Cena pranoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës “arrest me burg” ndaj Hoxhës, transmeton NOA.
Fatbardha Tafa u sulmua nga dy të rinj me motor, të cilët tentuan t’i grabisnin varësen e floririt dhe pas rezistencës që bëri ajo, u qëllua disa herë me thikë. /Telegrafi/