Arrest me burg për 18-vjeçaren, akuzohet për vrasje
Gjykata e Tiranës vendosi 30 ditë burg masën e sigurisë për 18-vjeçaren Nazime Visha, e cila dyshohet se ekzekutoi me armë zjarri tre ditë më parë, shtetasin Fiqiri Muça, me të cilin kishte edhe lidhje intime. E pandehura tha se nuk e kishte kryer vrasjen me dashje, por në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi Fiqiri Muça ishte nisur nga Durrësi për ta marrë në shtëpi, njofton Top Channel.
Prokuroria, si provë shtesë përveç provave të fiksuara në vendin e ngjarjes paraqiti si provë shtesë edhe dëshminë e taksistit që dërgoi Fiqiri Muçën nga Durrësi në banesën e 18-vjeçares.
Sipas tij, Muça dhe e pandehura kishin kryer biseda telefonike intime. Por duke marrë parasysh edhe kërkesën e mbrojtjes se 18-vjeçarja ishte përdhunuar sistematikisht nga shtetasi Muça që pas moshës 14 vjeç, gjykatësi Neritan Cena la afat me 30 ditë burg për Vishen, duke i kërkuar Prokurorisë të sqarojë edhe më shume ngjarjen.
Nëse Prokuroria dhe Policia do të kishin hetuar siç duhet rastin e ikjes se Nazime Vishës, në atë kohë ende pa mbushur 18 vjeç, atëherë do të ishte parandaluar një vrasje dhe do të ishte zbuluar një skandal pedofilie.
Kjo është deklarata e avokates së caktuar nga shteti për të mbrojtur adoleshenten. Avokatja Vjollca Pustina deklaron se Nazime Visha është abuzuar seksualisht që pa hyrë në klasën e tetë, ose thënë ndryshe ende pa mbushur 14 vjet.
“Vajza ka deklaruar se kur ka qëndruar me viktimën në një pyll të Bulqizës është dhunuar sistematikisht 11 ditë. Mendoj se ka pasur vend për të bërë hetime dhe për të zbuluar më mirë këtë të vërtetë. Nëse do të kishin qenë hetime më të thella dhe më këmbëngulëse nga policia ndoshta kjo ngjarje do të ishte parandaluar dhe ndoshta do të ishte zbuluar edhe një skandal pedofilie. Fakti i tregon që një burrë në atë moshë të abuzojë me një fëmijë që ende nuk i kishte mbushur 14 vjeç, Kodi Penal i dënon marrëdhëniet seksuale me të mitura", tha Pustina. /Telegrafi/