Arrestohen dy të dyshuar për dhunime gjatë luftës
Gjatë një aksioni të përbashkët të Policisë së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, sot janë arrestuar dy persona lidhur me një rast të krimeve të luftës. Dy të dyshuarit janë duke u hetuar mbi supozimet se kanë kryer krime lufte të dhunimit në prill 1999 në Kosovë.Operacioni i përbashkët, i kryer nga Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës (NJHKL) e Policisë së EULEX-it dhe Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës e Policisë së Kosovës (NJHKLPK), është realizuar në Baimoc (Babin Most) dhe Vushtrri. Mbështetjen operative e kanë ofruar Njësia Speciale e Policisë së Kosovës dhe Njësia Forenzike e Policisë së Kosovës, thuhet në njoftimin e lëshuar nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës.
Në kumtesë nuk bëhet i ditur identiteti as përkatësia etnike e të arrestuarve, por thuhet se të dyshuarit u arrestuan me urdhër të gjykatës, ndërsa është bërë edhe bastisja e shtëpive.
Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK). /Telegrafi/