Arrestohen të dyshuarit për grabitje në bashkëveprim
Gjatë ditës së djeshme, hetuesit rajonal të Policisë së Kosovës, kanë realizuar urdhër kontrollin e autorizuar nga gjykata e qarkut, për bastisje të koordinuar të dy shtëpive në dy lokacione të ndryshme, në lagjen Ilirida të Mitrovicës.Operacioni i bastisjes ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e katër personave si, të dyshuar kryesor për përfshirjen e tyre në rastin e grabitjes së armatosur, të raportuar të ketë ndodhur më 14 janar 2012, rreth orës 19:00, në një barnatore private në rrugën “Fadil Deliqi” në lagjen Bair të Mitrovicës.
Në rastin e raportuar të grabitjes, dy viktimat e gjinisë femërore, ishin vënë nën kërcënim të armës nga tre sulmuesit e tyre, ndërsa të njëjtit kishin arritur të marrin para në vlerë prej 300 euro dhe një telefon celular.
Me autorizimet e ligjshme në procesin e hetimeve, hetuesit kanë arritur që të sigurojnë prova të mjaftueshme materiale, përfshirë armën e cila besohet te ketë qenë e përfshirë në rast, si dhe telefonin celular që besohet t’i takoj viktimës së rastit të raportuar.
Veç provave materiale të cilat lidhen drejtpërsëdrejti në rastin e grabitjes, në njërën nga shtëpitë e të dyshuarve hetuesit kanë identifikuar dhe sekuestruar edhe katër qese të vogla me rreth 8 gram substancë të dyshuar narkotike, të llojit marihuan.
Katër të dyshuarit e arrestuar, të gjithë të përkatësisë etnike shqiptar, janë intervistuar nga hetuesit policor, ndërsa dy prej katër të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve, me vendim të prokurorit publik. /Telegrafi/